Delegacionet e Ukrainës, Rusisë dhe SHBA-së do të zhvillojnë bisedime trepalëshe në Abu Dhabi të premten, duke shënuar herën e parë që palët nga tri vendet ulen bashkë që nga pushtimi rus në vitin 2022.

Takimi u konfirmua në orët e hershme të së premtes pas bisedimeve mes presidentit rus, Vladimir Putin, dhe të dërguarit të SHBA-së, Steve Witkoff, si dhe dhëndrit të presidentit amerikan, Jared Kushner. Këshilltari në Kremlin, Yuri Ushakov, ka thënë se bisedimet ishin të dobishme dhe se ishin pajtuar për një takim trilateral.

Detajet e plota për bisedimet nuk u dhanë, dhe nuk është e qartë nëse zyrtarët ukrainas e rusë do të takohen sy më sy. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se bisedimet do të zgjasin dy ditë, raportoi The Guardian. 

Witkoff, Kushner dhe ekipi amerikan priten ta takojnë delegacionin  rus, kryesuar nga gjenerali Igor Kostyukov në Abu Dhabi të premten.

Administrata Trump e ka shtyrë përpara një marrëveshje paqeje, për të cilën disa shqetësohen se mund ta detyrojë Ukrainën drejt një marrëveshje të pafavorshme. Presidenti amerikan, Donald Trump, të mërkurën ka thënë se Putini dhe Zelensky do të ishin “budallenj” nëse dështojnë të bëhen bashkë dhe të arrijnë marrëveshje.

Kremlini përsërit kërkesën që Ukraina të tërhiqet nga Donbasi për përparim në bisedime

48 min. më parë / 23 jan 2026 11:51
rusia

Kremlini zyrtar  ka përsëritur kërkesën që Ukraina të tërheqë forcat e saj nga rajoni lindor i Donbasit për t’i dhënë fund luftës.

Kjo tregon se Rusia nuk ka hequr dorë nga kërkesat e saj maksimale, përpara bisedimeve trepalëshe me Shtetet e Bashkuara dhe Ukrainën në Abu Dhabi, raportoi AFP.

“Qëndrimi i Rusisë dihet. Ukraina dhe forcat e saj të armatosura duhet të largohen nga territori i Donbasit. Ato duhet të tërhiqen prej andej”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Ai shtoi se ky  është “një kusht shumë i rëndësishëm” për përparimin e bisedimeve të paqes.

Zelensky: Territori do të jetë temë kryesore në bisedimet trepalëshe në Abu Dhabi

51 min. më parë / 23 jan 2026 11:47
Volodymyr Zelensky

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi të premten se çështja kyçe e territorit do të diskutohet në bisedimet trepalëshe të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, që do të zhvillohen në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe, të premten dhe të shtunën.

Ukraina po përballet me presion në rritje nga SHBA-ja për të arritur një marrëveshje paqeje në luftën gati katërvjeçare me Rusinë. Moska zyrtare ka kërkuar që Ukraina të heqë dorë nga i gjithë rajoni lindor i Donbasit, raporton Reuters.

Duke iu përgjigjur pyetjeve në një bisedë me mediat në WhatsApp, një ditë pas takimit me presidentin amerikan Donald Trump, të cilin të dy e përshkruan si pozitiv, Zelensky tha se çështja e territorit do të jetë prioritet kryesor në këto bisedime.

“Çështja e Donbasit është thelbësore. Do të diskutohet se si të tri palët e shohin këtë çështje në Abu Dhabi sot dhe nesër”, u shpreh ai.

Kërkesa e presidentit rus Vladimir Putinit që Ukraina të dorëzojë 20% të territorit që ende kontrollon në rajonin lindor të Donetskut ka qenë një pengesë kryesore.

Zelensky ka refuzuar të dorëzojë toka që Rusia nuk ka arritur t’i pushtojë gjatë katër vjetëve të luftës së ashpër.

Presidenti ukrainas shtoi se marrëveshja për garancitë e sigurisë nga SHBA-ja për Ukrainën është gati dhe se ai po pret vetëm që Trump të caktojë datën dhe vendin për nënshkrim.

Ukraina ka kërkuar garanci të forta sigurie nga aleatët, në rast të një marrëveshjeje paqeje, për të parandaluar një pushtim të ri nga Rusia, e cila sipas Kievit ka treguar pak interes për t’i dhënë fund luftës deri tash.

Kur u pyet për përdorimin e parave ruse që janë ngrirë nga Perëndimi, Zelensky e quajti “të pakuptimtë” idenë që këto para të përdoren për rindërtimin e territoreve ruse.

Më herët, Rusia kishte propozuar që këto fonde të përdoren për rindërtimin e zonave të Ukrainës që aktualisht janë nën pushtimin rus.

Zelensky e kundërshtoi këtë propozim dhe tha se këto para duhet të përdoren vetëm për Ukrainën, për të rindërtuar dëmet e shkaktuara nga lufta.

Ai shtoi se Ukraina do të luftojë për ta siguruar përdorimin e të gjitha aseteve të ngrira ruse dhe se kjo është plotësisht e drejtë.