Në ditën e fundit, shumë taksi dhe motoçikleta u parkuan në një nga sheshet jashtë bazilikës. Abraham García, shofer 45-vjeçar nga qyteti i afërt i Nezahualcóyotlit, ishte atje, i shoqëruar nga më shumë se 70 kolegë. “Ne vijmë vit pas viti për ta falënderuar Zotin, bazilikën dhe Virgjëreshën dhe për t’i kërkuar ndihmë”, ka thënë ai. “Ky ishte një vit i mirë për ne, kështu që tani do të largohemi edhe më të bekuar”
Është një nga objektet fetare më të vizituara dhe më të dashura në botë - Bazilika e Zonjës së Guadalupes, me një çati rrethore, në formë tende të dukshme nga kilometra larg dhe një histori e shenjtë që tërheq çdo vit miliona pelegrinë nga afër e larg në vendin e saj në majë të kodrës në Mexico City.
Muaji i festës
Fillimi i dhjetorit është koha më e ngarkuar, pasi pelegrinët mblidhen përpara 12 dhjetorit, dita e festës që nderon Zonjën e Guadalupes. Për besimtarët katolikë, kjo datë është përvjetori i një prej disa shfaqjeve të Virgjëreshës Maria të dëshmuar nga një burrë meksikan indigjen i quajtur Juan Diego në vitin 1531.
Pandemia e COVID-19 e ka shkurtuar numrin e pelegrinëve në vitin 2020. Vitin e kaluar, edhe me disa kufizime ende në fuqi, pjesëmarrja për festimet e dhjetorit u rrit në të paktën 3.5 milionë, sipas zyrtarëve lokalë. Shifra më të mëdha priten këtë vit.
Për shumë pelegrinë, udhëtimi i tyre në vend është një shprehje mirënjohjeje për mrekullitë që ata besojnë se Virgjëresha solli në jetën e tyre. Rreth bazilikës, disa njerëz ndezin qirinj dhe luten në heshtje. Disa gjunjëzohen dhe qajnë. Të tjerë mbajnë statuja të Virgjëreshës në krahë teksa marrin bekimin prej priftit.
Ndër pelegrinët për herë të parë këtë vit ishte Yamilleth Fuente, e cila hyri në bazilikën e veshur me një shall të verdhë të zbukuruar me imazhin e Zonjës së Guadalupes.

Mrekulli pas mrekullie
Fuente, e cila ka udhëtuar e vetme në Mexico City nga shtëpia e saj në El Salvador, ka treguar se ajo u diagnostikua me kancer në vitin 2014 dhe u shërua pasi iu lut Virgjëreshës. Kur ajo sugjeroi ta bënte pelegrinazhin, i shoqi dhe dy fëmijët e inkurajuan.
“E kam dashur Virgjëreshën gjatë gjithë jetës sime. Madje kam ëndërruar për të”, ka thënë Fuente. “Emri i vajzës sime është Alexandra Guadalupe, sepse ajo është gjithashtu një mrekulli që ma dhuroi Virgjëresha”.
Për Kishën Katolike, imazhi i Virgjëreshës është mrekulli në vetvete – që daton në një agim të ftohtë dhjetori në vitin 1531, kur Juan Diego po ecte pranë kodrës Tepeyac.
Sipas traditës katolike, Juan Diego dëgjoi një zë gruaje që e thërriste, u ngjit në kodër dhe pa Virgjëreshën Maria që qëndronte aty, me një fustan që shkëlqente si dielli. Duke folur me të në gjuhën e tij amtare, Nahuatl, ajo kërkoi që të ndërtohej një tempull për ta nderuar djalin e saj, Jezu Krishtin.
Siç mëson kisha, Juan Diego vrapoi për ta njoftuar peshkopin vendas, i cili ishte skeptik, dhe më pas u kthye në kodër për më shumë diskutime me Virgjëreshën. Me sugjerimin e saj, ai u largua nga kodra duke mbajtur lule në mantelin e tij dhe kur më vonë hapi mantelin në prani të peshkopit, ai shfaqi një imazh të detajuar dhe plot ngjyra të Virgjëreshës.
Ajo copë pëlhure aktualisht qëndron e varur në qendër të Bazilikës, e mbrojtur nga një kornizë.
Shfaqja e Virgjëreshës në kohë dëshpërimi
Në një botim të shënuar të tregimit të shfaqjes, kleriku Eduardo Chavez - ekspert kryesor në këtë temë – ka treguar se shfaqja e Virgjëreshës ndodhi në një kohë dëshpërimi. Deri në vitin 1531, 10 vjet pas pushtimit të aztekëve nga spanjollët, lija kishte vrarë gati gjysmën e popullsisë indigjene të Meksikës, duke shkatërruar sistemet e tyre sociale dhe fetare të para pushtimit.
Për shumë meksikanë, imazhi i Virgjëreshës u bë simbol i unitetit, sepse fytyra e saj duket me racë të përzier - as plotësisht indigjene dhe as evropiane, por pak nga të dyja.
Disa akademikë kanë thënë se përkushtimi ndaj Zonjës së Guadalupes ndërthur besimet indigjene dhe katolike, megjithëse Kisha Katolike e hedh poshtë këtë teori. Në rrëzë të kodrës që sot strehon bazilikën ishte një tempull për perëndeshën Coatlicue Tonantzin dhe data e shfaqjes përkoi me një festë indigjene.
Falënderimi i madh
Në ditën e fundit, shumë taksi dhe motoçikleta u parkuan në një nga sheshet jashtë bazilikës. Abraham García, shofer 45-vjeçar nga qyteti i afërt Nezahualcóyotlit, ishte atje, i shoqëruar nga më shumë se 70 kolegë.
“Ne vijmë vit pas viti për ta falënderuar Zotin, bazilikën dhe Virgjëreshën dhe për t’i kërkuar ndihmë”, ka thënë ai. “Ky ishte një vit i mirë për ne, kështu që tani do të largohemi edhe më të bekuar”.
Shumë nga automjetet e shoferëve kanë ngjitëse që mbajnë imazhin e Virgjëreshës në dritaret e tyre; të tjerët shfaqin një statujë të saj nën pasqyrë.
Sipas Nayeli Amezcuas, studiuese në Shkollën Kombëtare të Antropologjisë dhe Historisë, imazhet dhe gdhendjet luajnë rol thelbësor në këtë besim.
“Katolicizmi është fe shumë shqisore... Përmes shumë objekteve, e shenjta transmetohet”, ka thënë ajo. “Ne mund t’i mendojmë ato si përfaqësime, por për ata që besojnë, vetë imazhet janë të gjalla”.
Fuente, pelegrinia salvadorane, është e etur ta ndajë entuziazmin e besimit të saj.
“E gjithë jeta ime është e mbushur me mrekulli nga Zoti dhe Virgjëresha e Bekuar”, është shprehur ajo. “Mund të shkruhet libër për gjithçka që ajo ka bërë për mua”.
Përktheu: Blerta Haxhiu