Komisioneri për drejtësi i Bashkimit Evropian është shprehur i tronditur për rrezikun e disa mallrave që shiten nga Shein dhe Temu.
Me rreth 12 milionë pako me vlerë të ulët që hyjnë çdo ditë në Bashkimin Evropian nga shitës online jashtë bllokut, Michael McGrath është zotuar se do të ndërmarrë masa të rrepta për të ndaluar shitjen e mallrave që shkelin ligjin.
McGrath ka thënë se po pret rezultatet nga një operacion i fshehtë në të gjithë BE-në për të dëshmuar më tej provat e mbledhura se shitësit kinezë po anashkalojnë ligjet e BE-së.
Nga këto mallra, McGrath ka përmendur biberonat për foshnje me rruaza që shkëputen lehtë e që paraqesin rrezik për jetën e foshnjave. Ai përmendi edhe mantelet e shiut, si produkte që prodhohen me kimikate toksike, syze dhe rroba të fëmijëve.
Po ashtu, sipas tij, janë gjetur edhe produkte makijazhi që përmbajnë një kimikat i cili cilësohet si “shumë i rrezikshëm” nga BE-ja dhe është ndaluar që nga viti 2022.
“Jam i tronditur me këtë dhe mendoj se ne kemi një detyrë që të mbrojmë konsumatorët evropianë”, ka thënë McGrath.
Derisa ekzistojnë shqetësimet për sigurinë që paraqesin produktet, McGrath ka thënë se është i shqetësuar se platformat kineze që kanë popullaritet të madh po dëmtojnë bizneset lokale.