Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

BE-ja thotë se s'do të pranojë asnjë rritje të tarifave të SHBA-së pas vendimit të Supremes

Tarifat

Foto: Associated Press

Komisioni Evropian ka deklaruar se nuk do të pranojë asnjë rritje të tarifave amerikane ndaj mallrave evropiane, pas vendimit të Gjykatës Supreme të SHBA-së për të rrëzuar tarifat globale të vendosura nga presidenti Donald Trump. 

Brukseli ka reaguar pasi presidenti amerikan më 20 shkurt shpalli tarifa të përkohshme të përgjithshme prej 10%, të cilat një ditë më vonë, më 21 shkurt, i rriti në 15%. Trump këtë vendim e mori menjëherë pasi Supremja ia rrëzoi tarifat që ishin në fuqi më herët, duke konstatuar se ishin joligjore. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në një deklaratë të publikuar të dielën, Komisioni – që negocion politikën tregtare në emër të 27 shteteve anëtare të BE-së – kërkoi nga Washingtoni “qartësi të plotë” mbi hapat që synon të ndërmarrë pas vendimit të gjykatës. 

“Situata aktuale nuk është e favorshme për të ofruar tregti dhe investime transatlantike të drejta, të balancuara dhe reciprokisht përfituese, siç është rënë dakord nga të dyja palët. Marrëveshja është marrëveshje”, theksohet në reagim.

Qëndrimi i ri i Brukselit është dukshëm më i ashpër se reagimi fillestar i së premtes, kur Komisioni u shpreh se po studionte vendimin e Gjykatës Supreme dhe po mbante kontakte me administratën amerikane.

Marrëveshja tregtare BE–SHBA e arritur vitin e kaluar parashikonte një tarifë 15% për shumicën e mallrave evropiane që hyjnë në tregun amerikan, me përjashtime për produkte të caktuara si avionët dhe pjesët e këmbimit, të cilat përfitonin tarifa zero. Po ashtu, BE-ja hoqi detyrimet doganore për shumë produkte amerikane dhe tërhoqi kërcënimin për masa hakmarrëse.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse tarifat e reja 15% të shpallura nga Trumpi e zëvendësojnë marrëveshjen ekzistuese.