Bashkimi Evropian (BE) dhe Meksika kanë shprehur zhgënjim të thellë pas paralajmërimit të presidentit amerikan, Donald Trump, për vendosjen e tarifave 30% ndaj importeve për këta dy partnerë tregtarë duke nisur nga 1 gushti.
Meksika e cilësoi si një “marrëveshje të padrejtë” vendimin e Trumpit dhe theksoi se sovraniteti i saj nuk është i negociueshëm. Nga ana tjetër, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, paralajmëroi se BE do të marrë “masa të përshtatshme për kundërpërgjigje”, nëse kjo do të jetë e nevojshme. Të dyja palët theksuan se mbeten të angazhuara për të vazhduar negociatat me Shtetet e Bashkuara.
Presidenti Trump ka kërcënuar se në rast se BE apo Meksika vendosin të përgjigjen me tarifa të tyre ndaj mallrave amerikane, ai do të rrisë më tej normën e tarifave përtej 30%-shit të shpallur.
Gjatë kësaj jave, Trump njoftoi gjithashtu vendosjen e tarifave të reja mbi mallrat që vijnë nga Japonia, Koreja e Jugut, Kanadaja dhe Brazili, të cilat do të hyjnë në fuqi nga muaji i ardhshëm.
Në një letër që Trump i dërgoi presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen të premten, ai shkroi: “Kemi pasur vite të tëra për të diskutuar marrëdhënien tonë tregtare me Bashkimin Evropian, dhe kemi arritur në përfundimin se duhet të largohemi nga këto deficite të mëdha, të vazhdueshme dhe afatgjata që janë krijuar nga tarifat, politikat jotarifore dhe barrierat tuaja tregtare. Marrëdhënia jonë ka qenë, fatkeqësisht, larg reciprocitetit”.
Në të njëjtën frymë, Trumpi ka përsëritur në letra të ndara dërguar BE-së dhe Meksikës se çdo masë hakmarrëse nga ana e tyre do të sjellë tarifa shtesë nga SHBA, përtej 30%.
Në një intervistë të regjistruar më herët për Fox News, e transmetuar të shtunën në mbrëmje, presidenti Trump tha se “disa vende janë shumë të mërzitura tani,” por këmbënguli se tarifat kanë sjellë “qindra miliarda dollarë” në arkën amerikane.