Basketboll

Wendell Green: Nuk ndikohem nga thashethemet, i gatshëm për ndeshjen e së mërkurës

Wendell Green

Ka bërë bujë mungesa e Wendell Green Jr në ndeshjen e tretë finale të plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll. Të dielën në Prizren, Trepça shënoi fitore bindëse ndaj Bashkimit, 88:71, dhe tani ka përparësinë e terrenit vendas në serinë finale. “Xehetarët” udhëheqin 2:1 në ndeshje, derisa takimi i katërt është të mërkurën prej orës 19:00 në palestrën “Minatori” në Mitrovicë. Me fitore, Trepça do t’i afrohej shumë titullit. Por prizrenasit kanë plane të tjera. Do të udhëtojnë për fitore në Mitrovicë, për të barazuar rezultatin në 2:2 dhe kështu ta kthejnë avantazhin e terrenit. Skuadra që i shënon katër fitore shpallet kampione.

Fundor amerikan, Wendell Green ishte në 12-shen e Bashkimit, por nuk u aktivizua fare të dielën. Ka pasur raportime se Green doli pozitiv në testin për doping dhe për këtë arsye nuk u aktivizua. Por Bashkimi dhe Agjencia Kosova e Antidopingut mohuan të hënën që Green të jetë testuar dhe rrjedhimisht të ketë pranuar rezultat pozitiv.

Bashkimi ka njoftuar se Green mungoi për shkak të një gripi. Të martën 22-vjeçari ka thënë për KOHËN se me grip ishte që pas ndeshjes së dytë finale, të luajtur të mërkurën e kaluar në Mitrovicë. Ai ka shtuar se nuk është ndikuar nga thashethemet për doping.

“Mungova në ndeshje për shkak se isha i sëmurë, përkatësisht me grip, që nga përfundimi i ndeshjes së dytë. Sa u takon thashethemeve të ditëve të fundit, nuk jam ndikuar fare nga to”, ka thënë Green të martën.

Wendell Green është njëri prej pesë amerikanëve të Bashkimit. Është prej më të rëndësishmëve në skuadër po ashtu. Ai ka thënë se nuk asnjë pakënaqësi me Bashkimin si klub apo me skuadrën.

“Kemi humbur dy ndeshje rresht, por ende kemi një shans të shkëlqyer për t’u shpallur kampionë deri në fund të finales”, është optimist Green.

Bashkimi e fitoi finalen e parë me rezultat 84:77. Ndeshjen e dytë e fitoi Trepça me rezultat 79:72, ndërsa tifozët prizrenas mbetën të heshtur pas ndeshjes së tretë që u fitua bindshëm nga skuadra mitrovicase.

“Do të jem gati për ndeshjen e katërt. Plani është të fitojmë dhe të gjej ritmin për ndeshjen e pestë që e kemi në shtëpi”, ka thënë Wendell Green Jr.

Jo rrallë ka zhvillime të papritura rreth lojtarëve të huaj të skuadrave kosovare. Gjatë edicionit në skuadrat e vendit afrohen e largohen shumë të huaj. Bashkimi e Trepça ishin prej skuadrave me më pak ndryshime në përbërje dhe kjo vlerësohet prej arsyeve pse arritën deri në finale.