Bashkimi ka fituar përballë GO+ Pejës në ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës së Kosovës në basketboll.
Sfidën në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, ku ndodhi edhe incidenti ndaj Dardan Berishës i cili u shënua pas hedhjeve të gjësendeve në parket nga shikuesit shtatë minuta para pushimit, Bashkimi e fitoi me rezultatin 96:90.
Berisha i skuadrës pejane pati të çarë në ballë, dhe skuadra u tërhoq nga parketi, për t’u kthyer pas afro 40 minutave.
Loja vazhdoi, ndërsa u zbraz një pjesë e tribunës qendrore.
Në pjesën e parë, Bashkimi krijoi epërsi prej tetë pikëve, 48:40.
Çereku i tretë ishte i barabartë, 24:24, ndërsa dhjetëminutëshin e fundit, GO+ Peja e fitoi me rezultatin 26:24.
Ndeshja kthyese do të luhet pas dy javësh në palestrën “Karagaçi” në Pejë.
Shannon Shorter ishte më i dalluari te prizrenasit në fitore me 27 pikë, katër kërcime e po aq asistime, kurse Isiah Cousins dha kontribut të madh me dyshifror të dyfishtë, prej 17 pikëve e 10 asistimeve. Cousins i shtoi edhe pesë kërcime.
TJ Bickerstaff i shtoi 16 pikë në fitore, ndërsa Ike Nëamu e Dequon Lake i shënuan 11-të, respektivisht 10 pikë.
Kapiteni Dardan Berisha te GO+ Peja i pati 20 pikë, katër kërcime e dy asistime, por statistikat më të mira i kishte Tajh Green. Green regjistroi “double-double” me 10 pikë e 12 kërcime. Ai e shtoi edhe një asistim.
Basketbollistët e Bashkimit e GO+ Pejës kthehen në parket
Basketbollistët e Bashkimit dhe GO+ Pejës janë kthyer në parket.
Ndeshja u ndërpre shtatë minuta para se skuadrat të shkonin në pushim, pasi basketbollisti Dardan Berisha është qëlluar pas hedhjeve të gjësendeve në parket nga shikuesit vendës në palestrën “Sezai Surroi”.
Me t’u kthyer në parket, në drejtim të Berishës ka pasur fyerje.
Vetëm një pjesë e vogël e shikuesve është larguar nga palestra.
Ndërpritet ndeshja në Prizren, Peja thotë se Berishës i është çarë koka
Është ndërprerë ndeshja ndërmjet Bashkimit dhe Pejës, që i takon çerekfinales së Kupës së Kosovës në basketboll. Ndërprerja ka ardhur pas hedhjes së gjësendeve në parket nga shikuesit në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren.
Nga gjuajtjet, siç njofton Peja, ka pësuar Dardan Berisha. Skuadra pejane është larguar drejt dhomës së zhveshjes.
“Basketbollistit tonë Dardan Berisha i është qarë koka nga goditjet dhe hedhjet e publikut në Prizren. Skuadra jonë largohet në drejtim të zhveshtoreve”, shkruan në njoftimin e Pejës.
Ndeshja e kthimit luhet në “Karagaçi”.