Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Basketboll

Peja e sanksionuar nga BAT-i, aktualisht nuk mund të transferojë lojtarë

GO+ Peja

Më 29 janar, GO+ Peja e ka prezantuar përforcimin e fundit. Bëhet fjalë për amerikanin Logan Routt. Prej atëherë i ka larguar disa lojtarë të huaj, por nuk ka prezantuar të tjerë.

Po më 29 janar, klubi i basketbollit Peja është sanksionuar nga gjykata e FIBA-s, e njohur si BAT. Në faqen zyrtare të FIBA-s, data e parë e “sanksionimit” është 29 janari. Peja është dënuar për humbje të rastit me një lojtar në BAT. Kjo nënkupton që pa paguar borxhin ndaj lojtarit, apo pa arritur marrëveshje për pagesë të borxhit, Peja nuk mund të regjistrojë lojtarë të rinj. Deri të martën, sanksionimi ndaj Pejës nuk është larguar nga faqja zyrtare e FIBA-s.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Basketball Arbitral Tribunal”, i njohur ndryshe si BAT, është term goxha i përhapur në basketbollin kosovar. Ky organ vendos kur ka mosmarrëveshje mes lojtarëve dhe klubeve. Në basketboll këto mosmarrëveshje janë të shpeshta, e thuajse të rregullta. Peja, por edhe klube të tjera, janë dërguar në BAT edhe në të kaluarën. Klubet kosovare kanë humbur shumë raste, kryesisht për mosrespektim të kontratave me basketbollistë të huaj. 

Pas vendimeve të BAT-it, zakonisht klubet reagojnë duke arritur marrëveshje me lojtarët apo përfaqësuesit e tyre, për pagesë të borxhit në disa rata. 

“Në përputhje me Rregulloren e Brendshme të FIBA-s, klubet, lojtarët, agjentët dhe trajnerët e mëposhtëm janë sanksionuar nga FIBA për dështimin e tyre për të respektuar një vendim të Tribunalit të Arbitrazhit të Basketbollit”, shkruan në faqen e BAT-it. 

Dhe e listuar në mesin e shumë klubeve nga vende të ndryshme, aktualisht është edhe Peja. Është klubi i vetëm nga Kosova i paraqitur në listën e të sanksionuarve.

KOHA ka mësuar se Peja ka humbur në BAT rast me basketbollistin ukrainas, Denis Lukashov, dhe agjentin e tij. Lukashov 36-vjeçar, luajti për Pejën në edicionin e kaluar. Iu bashkua skuadrës pejane në fund të tetorit të vitit 2024, kurse u largua pa lënë ndonjë gjurmë. Por Peja nuk kreu të gjitha obligimet ndaj këtij lojtari.

Megjithatë klubi pejan është shumë afër marrëveshjes me Lukashovin dhe agjentin e tij për të hequr bllokadën. Dhe vetëm më pas mund të transferojë lojtarë të tjerë.

Pas 29 janarit te Peja janë bërë ndryshime të shumta. Me kërkesë të tifozëve, drejtues të kaluar janë larguar nga klubi, ndërsa erdhën drejtues të rinj. Gjatë këtij muaji, Peja ka njoftuar në faqen zyrtare se është ndarë me lojtarë si Skyler Flatten e Jordan Johnson. 

Në aspektin e rezultateve, Peja qëndron jo më së miri. Ka humbur tri ndeshjet e fundit. 

Në Superligë është në vendin e katërt me 10 fitore e 11 humbje. I ka edhe dy humbje në Ligën Unike, nga Vllaznia dhe Apolonia.