Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka thënë se Bekë Berisha nuk mund të jetë edhe deputet, edhe kryetari i klubit basketbollistik Prishtina pasi kjo përbën konflikt interesi.
Bekë Berisha u zgjodh kryetar i KB Prishtinës në një Kuvend të mbajtur të mërkurën. Plisat e kanë kundërshtuar fuqishëm emërimin e tij. Berisha gjithashtu fitoi votat e mjaftueshme për t’u bërë deputet në radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Në një reagim në rrjetet sociale, MKRS-ja ka thënë se Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit parasheh që një zyrtar mund të jetë anëtar i organit drejtues të OJQ-ve nga fusha e sportit, por jo bartës i funksionit drejtues. Sipas MKRS-së, çdo situatë e konfliktit të interesit duhet të zgjidhet brenda afatit prej 30 ditësh nga marrja e detyrës.
MKRS-ja i ka bërë thirrje Berishës që pasi të betohet si deputet t’i ndërmarrë masat e nevojshme brenda afateve ligjore për të shmangur çdo konflikt interesi.
“MKRS do të përcjellë situatën dhe do të bashkëpunojë me institucionet relevante, përfshirë Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, me qëllim të ruajtjes së integritetit në sport dhe respektimit të standardeve të qeverisjes së mirë”, thuhet në reagim.
Po ashtu MKRS-ja ka njoftuar se do të kërkojë nga Federata e Basketbollit e Kosovës të sigurohet se në Kuvendin zgjedhor të KB Prishtinës janë zbatuar të gjitha detyrimet që ndërlidhen me papajtueshmërinë e implikimeve ndër të tjera politike në menaxhimin e organizatave sportive si dhe të ruajtjes e garantimit të integritetit ligjor sportiv.
Ndërkaq, Bekë Berisha e ka cilësuar tendencioz reagimin e MKRS-së. Berisha ka bërë të ditur se për këtë çështje do t’i drejtohet Agjencisë Kundër Korrupsionit, nga e cila pret një sqarim zyrtar lidhur me ligjshmërinë e ushtrimit të njëkohshëm të funksionit të tij politik dhe atij sportiv në krye të klubit të basketbollit nga Prishtina.
“Po bën me qenë deputet e kryeministër, e nuk po bënë me qenë kryetar klubi... Po shihet që tendencioze prej Ministrisë. Domethënë, mbasi bën Albin Kurti me qenë deputet edhe kryeministër... Edhe ka domethënë shembuj. Bylbyl Sokoli ka qenë deputet edhe trajner i KF Drenicës... Tani unë e bëj një kërkesë aty në antikorrupsion edhe besoj ma kthejnë një përgjigje”, ka deklaruar ai për KosovaPress.
Reagimi i plotë i Ministrisë: