Përfaqësuesja U20 e Kosovës në basketboll është ndalur në çerekfinale të Kampionatit Evropian të Divizionit B që po mbahet në Jerevan të Armenisë.
Të premten mbrëma, Kosova humbi nga Zvicra me rezultat 72:61.
Zviceranët e rinj e fituan çerekun e parë me rezultat 20:15. Në çerekun e dytë u përgjigjën basketbollistët e Kosovës, që këtë dhjetëminutësh e fituan 23:20.
Kështu rezultati pas pjesës së parë ishte 40:38 për Zvicrën.
Pesë minuta para fundit të çerekut të tretë, Kosova shënoi pikën e 49-të, përkatësisht për rezultatin 50:49. Më pas nuk shënoi për kohë të gjatë. Pos Kosovës edhe Zvicra kishte fazë shumë të dobët dhe çereku i tretë përfundoi 54:49 për helvetikët.
Dhe pikën e 50-të, Kosova e shënoi në minutën e pestë të çerekut të katërt. Pra basketbollistët e Kosovës nuk e shënuan asnjë pikë për gati dhjetë minuta lojë. Kosova e ngushtoi rezultatin në 54:50. Edhe zviceranët nuk shënuan asnjë pikë për pesë minuta në çerekun e katërt, por më pas mbyllën ndeshjen me sukses. Pikën e 51-të, Kosova e shënoi vetëm 2:51 sekonda para fundit.
Kjo periudhë loje katastrofale e bëri të pamundur arritjen e fitores.
Erolt Rrahmani ishte sërish më i miri te Kosova me 12 pikë e nëntë kërcime. Eris Zeneli i kishte shtatë pikë e katër kërcime, ndërsa Rron Dahsyla i realizoi 13 pikë e katër kërcime.
13 pikë i kishte edhe Arlind Konjuhi, derisa Jon Ismajli shënoi 11 pikë, por pati shumë gjuajtje të pasakta e plot gjashtë topa të humbur.
Për herë të parë ekipet e grupmoshave të Kosovës në basketboll kanë arritur në çerekfinale të Evropianit B. Për këtë arsye, ky plasman është vlerësuar historik.
Kosova në fazën grupore fitoi ndaj Suedisë, Shqipërisë dhe Hungarisë, ndërsa humbi nga Turqia. Kosova U20 tani i ka edhe dy ndeshje për plasman prej pozitës së pestë deri në pozitën e tetë.