Përfaqësuesja U20 e Kosovës në basketboll ka përfunduar e teta në Kampionatin Evropian të Divizionit B që të dielën përfundoi në Jerevan të Armenisë.
Në ndeshjen e fundit, atë për vendin e shtatë, Kosova U20 pësoi humbje të thellë nga Irlanda, 74:47. Në çerekun e parë basketbollistët e Kosovës i shënuan vetëm pesë pikë, ndërsa i pranuan plot 24. Edhe në çerekun e dytë irlandezët ishin bindshëm më të mirë duke e fituar këtë periudhë me 25:14. Pas pjesës së parë rezultati ishte 49:19 për Irlandën. Kështu që ndeshja thuajse përfundoi në pjesën e parë.
Në fund të çerekut të tretë rezultat ishte 66:31 për Irlandën, ndërsa dallimi në pikë u zvogëlua në çerekun e katërt, kur çështja e fituesit tashmë dihej.
Rron Dahsyla dhe Mal Syla kishin statistikat më të mira te Kosova. Dahsyla i shënoi 11 pikë për 26 minuta lojë. Ndërkohë Syla luajti 12 minuta dhe realizoi gjashtë pikë e tri kërcime. Megjithatë, kontributi i tyre dhe i të tjerëve nuk ishte as i përafërt me atë që kërkohej për fitore.
Lojtarët e Kosovës U20 kishin saktësi prej vetëm 28 për qind në gjuajtjet nga loja. Për dy pikë i kishin 30 tentime, ndërsa i realizuan vetëm tetë.
Kosova U20 nisi Evropianin e Divizionit B me tri fitore rresht. Fitoi ndaj Suedisë, Shqipërisë dhe Hungarisë. Kështu arriti kualifikimin në çerekfinale, që sipas FBK-së është suksesi më i madh i deritashëm i Kosovës me grupmosha të reja në basketboll.
Por më pas Kosova rreshtoi katër humbje. Fillimisht pësoi nga Turqia në fazën grupore, ndërsa në çerekfinale humbi nga Zvicra me rezultat 72:61. Për plasman, basketbollistët e rinj të Kosovës fillimisht humbën 71:61 nga Britania e Madhe, ndërsa Evropianin e mbyllën me disfatën e thellë nga Irlanda.
Në Evropianin e Divizionit B u paraqitën 21 ekipe përfaqësuese.