Basketboll

Fitore shumë e rëndësishme e Borës ndaj Rahovecit 029

KB Bora

Lojtarët e Rahovecit 029 nuk i realizuan tri gjuajtje për tri pikë në minutën e fundit të ndeshjes me Borën.

Dhe në fund festa ishte për Borën që fitoi 79:74, të mërkurën mbrëma në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë. Ndeshja i takoi xhiros së 15-të të Superligës së Kosovës në basketboll.

Për të dy skuadrat ishte ndeshje shumë e rëndësishme.

Minuti i fundit i ndeshjes nisi me rezultatin 77:74 për Borën, pasi Bardh Rexha humbi dy gjuajtje të lira për ekipin mysafir.

Fillimisht i pasaktë për tri pikë ishte Jalen Johnson. Vendasit e humbën topin, ndërsa më pas edhe Kentrell Pullian nuk ishte i saktë në tentimin për tri pikë. Amin Hot realizoi dy gjuajtje të lira për 79:74, kurse Rexha i “vreshtarëve” humbi tjetër gjuajtje për tri pikë.

Alex Hunter udhëhoqi Borën me 20 pikë, tetë asistime e gjashtë kërcime. Tyler Cheese i kishte 26 pikë e gjashtë kërcime. 

Johnson i Rahovecit 029 i realizoi 31 pikë e gjashtë kërcime. Fisnik Rugova i kishte 12 pikë e katër kërcime.

Bora tani i ka shtatë fitore e tetë humbje. Rahoveci 029 mbetet me pesë fitore, ndërsa e pësoi humbjen e dhjetë.