Përfaqësuesja U20 e Kosovës në basketboll ka vazhduar me fitore në Kampionatin Evropian të Divizionit B që po mbahet në Armeni.
Kosova U20 të martën e shënoi fitoren e tretë rresht dhe më të madhen deri më tani. Basketbollistët e rinj të Kosovës fituan 78:73 ndaj Hungarisë dhe siguruan kualifikimin në çerekfinale.
Basketbollistët e Kosovës nisën furishëm ndeshjen dhe çerekun e parë e fituan 25:17. Hungarezët u përgjigjën në çerekun e dytë, që përfundoi 21:16 në të mirë të tyre.
Kosova U20 dominoi edhe në çerekun e tretë. Rezultati i këtij dhjetëminutëshi ishte 19:9 për Kosovën.
Në minutat e fundit hungarezët u afruan në dy pikë, por Kosova megjithatë e mbajti epërsinë për fitore shumë të rëndësishme. Më herët Kosova U20 ka fituar edhe ndaj Suedisë dhe Shqipërisë. Të mërkurën luan me Turqinë për vendin e parë në grup.
Turqia po ashtu ka fituar tri ndeshjet e deritashme.
Erolt Rrahmani shkëlqeu te Kosova me 21 pikë, 11 kërcime dhe pesë topa të rrëmbyer. Rron Dahsyla dha kontribut të madh po ashtu, duke e përfunduar ndeshjen me 15 pikë, gjashtë kërcime e pesë asistime. Hadis Durguti i kishte 17 pikë, ndërsa Jon Ismajli kontribuoi me 17 pikë e nëntë asistime.