Basketboll

FBK-ja ka “vërejtur” duhan e alkool në palestra, kërkon masa

Topi i basktebollit me logo te FBK-se

Federata e Basketbollit e Kosovës ka lëshuar një tjetër njoftim të hënën. Dhe sërish ka të bëjë me mosrespektim të rregullave, përkatësisht të ligjit.

Bëhet fjalë për ligjin që ndalon konsumimin e duhanit dhe pijeve alkoolike në palestra. FBK-ja ka kërkuar që klubet të angazhohen për të mos lejuar duhan dhe alkool në ndeshje të basketbollit.

“Federata e Basketbollit të Kosovës njofton se gjatë disa ndeshjeve është vërejtur mosrespektim i ligjeve në fuqi sa i përket konsumimit të duhanit, përfshirë cigaret elektronike dhe ‘vape’, si dhe pijeve alkoolike në palestra sportive. Rikujtojmë se, sipas ligjeve në fuqi, në të gjitha hapësirat e brendshme të palestrave sportive ndalohet rreptësisht konsumimi i duhanit, përfshirë cigaret elektronike apo ‘vape’; futja, konsumimi dhe shitja e pijeve alkoolike. Këto rregulla vlejnë për të gjitha ndeshjet dhe aktivitetet zyrtare të FBK-së dhe janë obligative për të gjitha klubet organizatore. Kërkojmë që këto rregulla të zbatohen në mënyrë rigoroze”, ka shkruar FBK-ja të hënën.