Me ndeshjen Britania e Madhe – Lituania, që zhvillohet të mërkurën nga ora 12:30, fillon Kampionati Evropian i Basketbollit, i njohur si Eurobasket.
Është ky Eurobasketi i 42-të me radhë, ndërsa zhvillohet në Finlandë, Letoni, Poloni e Qipro.
Ndeshja mes Britanisë së Madhe dhe Lituanisë zhvillohet në Tampere. Të mërkurën zhvillohen edhe ndeshje në Riga të Lituanisë.
Kosova nuk është pjesë e kësaj ngjarjeje të rëndësishme. Madje kualifikimi nuk ishte as afër. Në
raundin e parë të parakualifikimeve, Kosova ishte në grup me Danimarkën e Norvegjinë. Shënoi
fitore ndaj Danimarkës, ndërsa i humbi tri ndeshjet e tjera. Si e fundit në grup, kishte rast tjetër në raundin e tretë të parakualifikimeve. Ishte në grup me Danimarkën e Zvicrën. “Dardanët” shënuan dy fitore ndaj Zvicrës, por pësuan dy humbje nga Danimarka dhe kështu nuk dolën në kualifikimet e rregullta.
Ngjarja që nis të mërkurën, për Kosovën përfundoi më 5 gusht 2023, kur e luajti ndeshjen e fundit në parakualifikime.
Eurobasketi megjithatë pritet të përcillet me interesim në Kosovë. Ndër të tjera për shkak të popullaritet të madh të basketbollit në Kosovë, garës që pritet të jetë cilësore dhe interesante e po ashtu për shkak të një lidhjeje “solide” me ngjarjen kontinentale.
Trajneri i Trepçës, Adis Beqiragiq, do të jetë pjesë e Eurobasketit. Beqiragiq, që çmohet për sukseset në basketbollin kosovar, është selektor i Bosnjë-Hercegovinës. Së fundi Beqiragiqi nuk ka pasur ditët më të mira. Për shkak të përzgjedhjes, kritikat ndaj Beqiragiqit ishin të shumta. Bosnja ka dy mungesa të rëndësishme. Xavier Castaneda dhe Gjanan Musa janë të lënduar. Luka Garza nuk e fitoi të drejtën që të luajë për Bosnjë-Hercegovinën.
Jusuf Nurkiq është ylli i madh boshnjak në Eurobasket.
“Grupi ynë është jashtëzakonisht i komplikuar. Ne do të mundohemi në secilën ndeshje, por po do të jemi të vetëdijshëm që çdo gjë mund të vendoset në ndeshjen e fund. Nuk bën të humbim energjinë dhe koncentrimin gjatë ndeshjeve të hershme, pikërisht për shkak të asaj ndeshjeje”, ka thënë Beqiragiq për “Avaz”.
Bosnja është në Grupin C së bashku me Qipron, Italinë, Gjeorgjinë, Spanjën e Greqinë. Katër të
parët avancojnë në fazën nokaut.
Gjithsej në Eurobasket janë 24 përfaqësuese.
Në ngjarjen kryesore evropiane nuk mungon fundori Edon Maxhuni. Ai është pjesë e rëndësishme e Finlandës. 27-vjeçari së fundi ka firmosur për një vit me skuadrën franceze, Gravelines. Ka luajtur deri më tani në shumë vende evropiane.
Së fundi ishte te Karshiyaka në Turqi dhe Scafati në Itali, i huazuar nga Strasbourgu francez.
Te Turqia janë ftuar Kenan Sipahi e Ercan Osmani. 30-vjeçari Sipahi, i njohur edhe me mbiemrin Spahiu, është i lindur në Prishtinë. Aktualisht është te skuadra turke Bahcesehir Koleji, ndërsa ka luajtur edhe për Pinar Karsiyakan, Zaragozan, Fener bahçen, Real Betisin, Beshiktashin e Tofashin. Në Turqi ishte transferuar në moshë të re.
Erxhan Osmani është 27-vjeçar i lindur në Tropojë të Shqipërisë. Karrierën e nisi në Prizren.
Në dy edicionet e fundit luajti për gjigantin turk, Anadolu Efes. Lojtari i gjatë 213 centimetra më herët ishte edhe te Darushafaka, Beshiktashi e Banviti. Është prej lojtarëve më të rëndësishëm të Turqisë. Eurobasketi pritet të jetë shumë interesant për shkak të pjesëmarrjes së thuajse të gjithë yjeve të basketbollit evropian, duke përfshirë edhe yjet e NBA-së.
Finalja është më 14 shtator në Riga të Letonisë.
Eurobasket 2025
Grupi A: Portugalia, Estonia, Letonia, Turqia, Serbia, Çekia 27 gusht: Çekia – Portugali (13:45), Letonia – Turqia (17:00), Serbia – Estonia (20:15)
Grupi B: Gjermania, Finlanda, Britania e Madhe, Lituania, Suedia, Mali i Zi 27 gusht: Britania e Madhe – Lituania (12:30), Mali i Zi – Gjermania (15:30), Suedia – Finlanda (19:30)
Grupi C: Qipro, Italia, Gjeorgjia, Spanja, Greqia, Bosnjë-Hercegovina 28 gusht: Gjeorgjia – Spanja (14:00), Bosnjë-Hercegovina – Qipro (17:15), Greqia – Italia (20:30)
Grupi D: Islanda, Franca, Sllovenia, Polonia, Belgjika, Izraeli 28 gusht: Izraeli – Islanda (14:00), Belgjika – Franca (17:00), Sllovenia – Polonia (20:3