Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Alban Zogaj, i ka cilësuar shqetësuese “sulmet” e presidentes Vjosa Osmani ndaj Gjykatës Kushtetuese lidhur me vendosjen e masës së përkohshme përmes së cilës ky institucion ua ndaloi deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të ndërmarrin veprime, si dhe ua ndaloi zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së re.
Të enjten në “60 Minuta” të KTV-së, Zogaj ka thënë se po sulmohet një prej institucioneve më të larta të vendit.
“Ata që sot sulmojnë Gjykatën Kushtetuese dhe po e sulmojnë rëndë, po e sulmojnë shtetësinë e vendit. Edhe deklarimet e presidentes ishin me të vërtetë shqetësuese. Gjykatën Kushtetuese është problematike për ta sulmuar. Po sulmohet njëri prej institucioneve më të larta të vendit. Këto sulme janë shqetësuese dhe e cenojnë edhe rendin demokratik kushtetues të këtij vendi”, ka thënë ai.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të martën se funksionalizimi i Kuvendit të Kosovës nuk duhet të bllokohet nga mungesa e një nënkryetari, si dhe e kritikoi Listën Serbe se po “synon” ta bllokojë formimin e institucioneve të vendit.
Derisa ka folur për takimin trepalësh e sotëm në Bruksel, Zogaj ka thënë zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi nuk ka legjitimitet ta përfaqësojë Kosovën në këto bisedime.
“Këto bisedime janë tërësisht jotransparente, pra nuk është informuar askush nga shoqëria e gjerë, nga partitë politike për qëllimet, agjendën dhe rezultatet që dëshirohen të arrihen. Si parti politike marrim vesh për një takim të tillë nga mediat dhe fotografitë që i pamë në Bruksel. Këtu nuk ka legjitimitet. Zv.kryeministri nuk e ka të drejtën të na përfaqësojë atje sepse kemi rrethana të reja në vend. E kemi një Kuvend të ri që duhet t’i zgjedhë institucionet e veta të reja dhe ta marrë legjitimitetin e rezultateve të fundit të zgjedhjeve dhe më pas të shkojë atje me detyra të plota, me qëllime dhe agjendë të saktë. Bislimi sot nuk e përfaqëson askënd”, ka thënë ai.