Politologu Melazim Koci ka thënë se Serbia i ka dhënë fund narrativës për reformim e atij se është shtet pro-evropian me publikimin e memorandumit nga studentët serbë ku Kosovën e cilësojnë pjesë integrale të saj.
Ai ka theksuar se ky memorandum është kopje e atij të vitit 1986, madje sipas tij ky tash është me tone edhe më të ashpra kundër Republikës së Kosovës.
“Jam i befasuar sepse është komplet ajo që kemi lexuar më 1986, është kopje e memorandumit të vitit 86 të Dobrica Çosiq. Është e habitshme edhe për një fakt, sot kam pritur që pjesa pro-evropiane në Serbi të reagoj, nuk reagoi. Kjo flet për një atmosferë të çuditshme në Serbi. Në këtë memorandum ka gjëra edhe më të ashpra se memorandumi i vitit 86. Në këtë memorandum nuk përmendën fare shqiptarët, ne nuk ekzistojmë. Ekziston vetëm territori i Kosovës si pjesë e Serbisë, thuhet ‘është pjesë përbërëse e Serbisë dhe ky fakt nuk është vetëm kategori kushtetuese por edhe imperativ historik dhe moral që nuk negociohet’. Në këtë formë nuk e ka pohuar as Dobrica Çosiq sepse ai si lider i nacionalizmit serb ka menduar që Kosovën duhet ndarë, këta nuk mendojnë kështu, këta mendojnë se Kosova e tëra është e Serbisë”, ka thënë ai në Interaktiv.
Ai ka dhënë mundësinë se lëvizje studentore që publikoi memorandumin të ketë jetë nisur si iniciativë për të kamufluar qëllimin e vërtetë propagandistik, e për të cilin mund të kenë pasur informacione edhe bashkësia ndërkombëtare. Koci ka shtuar se mund të jetë e prekur edhe nga shërbimi sekret rus.
“Mund të kenë pasur informacione të tjera [SHBA-BE] që mund të jetë se ka filluar si lëvizje spontane por që më pas të kenë depërtuar elemente të BIA-s serbe që ta prezantojnë Vuciqin si formë më të moderuar. Ose, me kohë në këtë lëvizje të jenë infiltruar elemente të shërbimit sekret rus”, ka thënë ai.
Edhe
Kujt i ha për broçkullat fashiste të studentëve serbë ndaj Kosovës
Studentë serbë me pretendimin se memorandumi është një lloj dokumenti zyrtar e shpallën “të miratuar” në Kragujevc. E në të thuhet se Kosova nuk është thjesht territor, “por përbërës i identitetit kombëtar serb” – një narrativë shpesh e thënë edhe nga zyrtarë serbë.
Në memorandumin kontrovers të Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve (SANU) të vitit 1986 paraqiten pretendime për rrezikimin e popullit serb në ish-Jugosllavi.Kritikët e konsiderojnë këtë dokument si nxitës për luftërat e viteve ’90, që fillimisht nisën në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë, e më pas më 1998 edhe në Kosovë.