Profesori i gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Alban Zeneli, ka vlerësuar se gjuha polarizuese dhe etiketimet në diskursin politik janë taktika zgjedhore që po përdoren, derisa ka komentuar termat e përdorur së fundmi nga zëvendëskryeministri Glauk Konjufca ndaj ish-presidentes Vjosa Osmani, të cilat u konsideruan përqeshëse.
Sipas Zenelit, megjithëse kjo qasje synon fitimin e elektoratit, pasojat që mbeten në shoqëri janë shumë më afatgjata sesa vetë rezultati zgjedhor.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Polarizimi politik në diskurs që përdorin partitë politike është taktikë zgjedhore, kur ajo zgjat më pas për një vjet apo më shumë, degradon edhe në shprehje etiketuese të ndryshme që nuk është niveli i duhur i komunikimit për politikanë të nivelit të tillë. Meqë është taktikë politike për të fituar më shumë elektorat, jam i prirë t’i shoh pasojat që mbesin në shoqëri nga ky lloj i gjuhës e që janë shumë më afatgjate sesa rezultati zgjedhor. Përçarja mbetet në shoqëri edhe pse fushata përfundon”, ka deklaruar ai të mërkurën në “60 Minuta” në KTV.
Sipas profesorit, ndër pasojat negative është mungesa e pajtimit në shoqëri për çështje të rëndësishme, si vlerat historike, figurat kombëtare dhe qëndrimet politike.
“Efekti që mund të shihet në shoqëri është se shoqëria nuk ka konsensus gati për asgjë, nuk është e bashkuar gati për asnjë gjë të caktuar, qoftë për vlera që lidhen me historinë, me heronjtë, me atë se çfarë lloji të politikës së caktuar njerëzit do të ndjekin. Dhe efekti i dytë që është i dëmshëm për fushatën zgjedhore dhe për qytetarin lidhet me atë se gjuha sa më polarizuese lë sa më pak vend për programet dhe për ofertat konkrete politike që kanë partitë”, ka thënë më tej ai.
Zeneli ka theksuar se liderët politikë kanë obligim moral dhe shoqëror që të tërhiqen nga gjuha polarizuese dhe nga komunikimi që, sipas tij, shpeshherë përmban elemente të gjuhës së urrejtjes.