Pas arrestimeve të shtatë të dyshuarve për presion ndaj subjektit politik të Nenad Rashiqit me largime nga puna, kryeministri Albin Kurti, e ka quajtur alarmues nivelin e presionit që Lista Serbe po e bën te subjektet e tjera. Derisa ka pasur arrestime në kuadër të hetimit penal të Prokurorisë së Prishtinës nga Serbia kanë ardhur kërcënime për ata që bashkëpunojnë me organet e Kosovës për ta ndriçuar rastin.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se serbët e Kosovës po përballen me trysni dhe kërcënime të papara për t’u orientuar politikisht drejt Listës Serbe, duke e cilësuar situatën si ndër më të rëndat në vitet e fundit.
Pas arrestimit të shtatë personave në Graçanicë gjatë së martës dhe mërkurës, të dyshuar për kërcënim të votuesve, në një konferencë për media, Kurti tha se Beogradi po terrorizon serbët.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Fjalët e ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, në mbledhjen e fundit të qeverisë mbi trysninë e tmerrshme që po bëhet nga Beogradi për serbët e Kosovës për ta votuar Listën Serbe, duke përcjellë edhe rrjetet sociale të secilës figurë publike, secilit politikan serb që ka garuar qoftë një herë, me të vërtetë janë alarmuese. Këtë lloj terrori që po e bën Beogradi e kemi të dëshmuar nga ankesat e serbëve të Kosovës. Është fenomen që ka marrë përmasa të mëdha dhe të thella si asnjëherë më parë në këto vite sa jam kryeministër”, ka deklaruar Kurti.
Tek kundërshtoi narrativin e Serbisë që pretendon për arrestime politike, kryeministri në detyrë tha se prokurorët vendosin në mënyrë të pavarur.
Kurti e fajësoi Serbinë edhe për veprimtari ilegale brenda Kosovës.
“Serbia vazhdimisht mundohet të ketë elemente të saj, përmes së cilave dëshiron të krijojë dualizma shtetërorë brenda territorit tonë sa i përket funksionimit të institucioneve, shërbimeve publike. Ato janë veprime ilegale në shtetin tonë të pavarur. Republika jonë i ka pushtetet e ndara, ne jemi ekzekutivi, legjislativi nuk është funksional, por gjyqësori e prokuroria vendosin në mënyrë të pavarur. E kanë mbështetjen e plotë të qeverisë për ta mbrojtur sundimin e ligjit dhe zbatimin e tij të plotë pa dallim. S’ka të bëjë me etninë e asnjë qytetari që ndalohet, kjo ka të bëjë me dyshimet mbi veprime e tyre”, ka theksuar ai.
Ndërkohë, Serbia i është përgjigjur me mllef arrestimit të shtatë të dyshuarve për cenim të përcaktimit të lirë të votuesve.
Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka deklaruar se Serbia do t’i ndëshkojë të gjithë ata që i ndihmojnë hetimit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
“Lidhur me ndalimin e paligjshëm dhe të pabazuar të serbëve, drejtorë të institucioneve shëndetësore dhe arsimore serbe nga pjesa qendrore e Kosovës dhe Metohisë, nga Institucionet e Përkohshme të Vetëqeverisjes në Prishtinë, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë njofton se të gjithë personat që kontribuuan në këtë ndalim me veprimet e tyre do të ndiqen penalisht dhe do të sanksionohen në përputhje me ligjet e Republikës së Serbisë”, ka theksuar Daçiq.
Si ministri Nenad Rashiq ashtu edhe pjesëtarë të partisë së tij kanë bërë të ditur se jozyrtarisht iu kanë thënë se arsyeja e largimit nga puna është shkaku që nuk e mbështesin Listën Serbe.
Ministri në detyrë i punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se kërcënimet, presioni e shantazhi mbi votuesit burojnë nga direktiva të orkestruara nga Serbia, të cilat cenojnë pluralizmin politik dhe rendin demokratik të Kosovës.