Arbëri

Vjet, mbi 1.1 miliard euro u shpenzuan për subvencione e transfere

Rreth 1.1 miliardë euro janë shpenzuar vjet nga buxheti i shtetit për subvencione dhe transfere. Kjo shumë paraqet një rritje prej 30 për qind krahasuar me vitin 2021. Shpenzimet për këtë kategori janë 40 për qind më shumë sesa në atë për investime kapitale

Rreth 30 për qind janë rritur shpenzimet për subvencione dhe transfere me Qeverinë Kurti 2.

Derisa në vitin 2021 për këtë kategori janë shpenzuar 843 milionë euro, vjet u shpenzuan mbi 1.1 miliardë euro.

Duke mos u mjaftuar me buxhetin fillestar që ishte paraparë për 2024, prej 1 miliardë e 62 milionë euro, gjatë vitit kësaj kategorie iu shtuan edhe rreth 100 milionë euro të tjera. 

Në raportin financiar për vitin e kaluar, Ministria e Financave ka arsyetuar rritjen.

“Subvencionet dhe transferet janë rritur për rreth 9% për efekte të shpenzimeve të mbështetjes së qytetarëve dhe subvencionimit sipas masave të qeverisë nga pakoja për ringjallje ekonomike (kontributi te ndryshimet sipas LMFPP-së; te ndarjet nga të hyrat vetjake dhe ndarjet prej granteve të përcaktuara nga donatorët)”, thuhet në arsyetim.

Edhe vjet, ashtu si viteve paraprake, më shumë u shpenzua për subvencione dhe transfere sesa për investime kapitale.

Ani se pati rritje të shpenzimeve në realizimin e projekteve, nga 840 milionë sa ishin planifikuar, u shpenzuan 647 milionë euro.

Sipas raportit financiar, mbi 120 milionë euro u shpenzuan vjet për rrugë lokale, shumë kjo për rreth 17 milionë më shumë sesa më 2023.

Rreth 50 për qind janë rritur shpenzimet kapitale për rrugë regjionale gjatë vitit 2024.

Vjet u shpenzuan rreth 75 milionë euro, ndërsa në 2023 ishin shpenzuar 35 milionë.

78 milionë euro apo 18 milionë më shumë u shpenzuan avancë për investime.

Përqindje e ulët e realizimit të investimeve kapitale, sipas raportit, vërehet te Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, me 26 për qind, Ministria e Ekonomisë me 31 për qind dhe ajo e Shëndetësisë me 57 për qind.

Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin vjetor për 2023, të publikuar në gusht të 2024-s, kishte kritikuar përqindjen e ulët të realizimit të projekteve kapitale.

“Në këtë nivel të ulët të realizimit kanë ndikuar mosinicimi me kohë i kërkesave nga njësitë kërkuese të organizatave, apo tejzgjatja e procedurave të prokurimit për shkak të ankesave nga operatorët në OSHP. Po ashtu, një pjesë e kontratave për punë janë ndërprerë për shkak të mosrealizimit të punimeve nga operatorët ekonomikë, menaxhimi jo i duhur i zbatimit të kontratave dhe moszgjidhja e problemeve shpronësore mbetet një sfidë nga viti në vit, si shkak i së cilës tejzgjaten punimet e kontraktuara”, thuhet në raportin e ZKA-së.

E në buxhetin për 2025 parashihet që të ketë rritje të investimeve kapitale.

Shuma e paraparë për këtë kategori është 927.8 milionë euro, por që 90 për qind e projekteve janë të bartura nga vitet paraprake.

Numri i projekteve të papërfunduara është rreth 260 që i përkasin periudhës 2008-2019.