Arbëri

Vit i mbrapshtë për spiunët

Viti 2025 shënoi dënimin e parë mbi akuzat për spiunazh me pranim fajësie. Shtatë persona u ndeshën me ligjin shkaku i pretendimeve të Prokurorisë Speciale se janë spiunë që i shërbyen Serbisë. Ekspertët vlerësojnë se viti i ardhshëm do të jetë vit i nxehtë në kuptimin e sigurisë, andaj nuk përjashtohet që rreziku nga spiunazhi të jetë i madh.

Shtetasi i Kosovës, Milan Vukashinoviq, për më shumë se pesë vjet kishte shmangur udhëtimet në Serbi për shkak të frikës për sigurinë e tij. Ai nuk i bindej Listës Serbe, parti me lidhje të drejtpërdrejta me Beogradin. Megjithatë, më 1 nëntor Vukashinoviqi udhëtoi drejt fshatit Jellakcë, pranë kufirit me Serbinë, ku dyshohet se ra në një kurth.

Atje ai u rrëmbye nga persona të panjohur dhe u qëllua me breshëri plumbash, në rrethana që po hetohen nga autoritetet e Kosovës. Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka konfirmuar se është duke zhvilluar hetime për tentativë vrasje, ndërsa Prokuroria e Lartë në Krushevc nuk ka bërë të ditur nëse ndaj Vukashinoviqit po zhvillohet ndonjë hetim për spiunazh.

Emri i tij ishte përmendur më herët nga Aleksandar Vllajiq, personi i parë i dënuar për spiunazh në Kosovë. Në komunikimet e tij me Agjencinë e Inteligjencës së Sigurisë së Serbisë (BIA), Vllajiq e kishte cilësuar Vukashinoviqin si “bashkëpunëtor shumëvjeçar të shërbimeve të Kosovës”.

Viti i kaluar shënoi zhvillime të rëndësishme në luftën kundër spiunazhit në Kosovë: u ngritën shtatë aktakuzat a para për këtë vepër penale, u shqiptua dënimi i parë dhe u arrestua një person i dyshuar për bashkëpunim me Agjencinë e Inteligjencës Ushtarake të Serbisë.

Ish-kryeinspektori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Shkëlzen Sopjani, thotë se Serbia ka për synim minimin e shtetësisë së Kosovës dhe ka ndërmarrë veprime konkrete në këtë drejtim edhe vitet e fundit. Sipas tij, numri i arrestimeve për spiunazh nuk është befasues, duke marrë parasysh rrethanat e sigurisë.

“Arrestimet nuk janë për t’u çuditur, kur merret parasysh volumi i veprimeve që ndodhin në Republikën e Kosovës. Sidomos kur këtyre u shtohen zhvillimet në veri, si rasti i Banjskës apo sulmi ndaj kanalit të Ibër-Lepencit”, thotë Sopjani.

Edhe Mentori Vrajolli, drejtor i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, vlerëson se institucionet e Kosovës për një kohë të gjatë nuk e kanë konsideruar spiunazhin serb si kërcënim serioz për sigurinë kombëtare.

“Spiunazhi nuk është trajtuar si rrezik i madh, pasi ka pasur struktura të tëra që janë paguar drejtpërdrejt nga shteti serb. Kjo ka krijuar një logjistikë shumë të gjerë, e cila për një kohë të gjatë është toleruar”, thekson Vrajolli

Edhe organizatat kyç ndërkombëtare të sigurisë u cenuan nga spiunazhi

Ish-polic i Kosovës, Aleksandar Vllajiq, u arrestua në qershor të 2022-tës. Atëkohë dyshohej për sulmin në zyrën e Komisionit Komunal Zgjedhor të Mitrovicës së Veriut. Vllajiqi është dënuar në shkallë të parë për sulmin terrorist që kishte për synim t’i detyronte institucionet në Kosovë të mos i mbanin zgjedhjet që i planifikuan për katër komunat në veri të Ibrit.  Vllajiq u dënua edhe më pesë vjet burgim për spiunazh pasi pranoi fajësinë.    

Rasti i të dënuarit të parë për spiunazh shpalosi se BIA përmes spiunëve pati qasje, jo vetëm tek informata të klasifikuara të AKI-së dhe Policisë së Kosovës, por edhe të dhënat e organizatave kyç të sigurisë si misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR), Misioni i BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX), si dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Në aktakuzën ndaj Vllajiqit përmendet se për informata në EULEX ai shfrytëzonte personin me emrin Martin, ndërsa për KFOR dyshohet se shfrytëzoi personin me emrin Nikita dhe në OSBE, Jelena Gjukanoviq. Këto institucione nuk kanë dhënë detaje lidhur me atë se a kanë ndonjë hetim të brendshëm sa u përket këtyre personave, por OSBE-ja ka bërë të ditur se Gjukanoviq është në pushim të detyrueshëm administrativ deri në vendosjen e rastit nga gjykata.

“Misioni i OSBE-së në Kosovë e respekton plotësisht pavarësinë e institucioneve të drejtësisë së Kosovës dhe vazhdon të jetë e përkushtuar në bashkëpunim me to në përputhje me mandatin e saj”, ka shtuar OSBE-ja.

E ish-kryeinspektori Sopjani thotë se organizatat ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë janë vend i përshtatshëm për kamuflim të agjentëve.

“Në veçanti Kosova është një terren interesant për këtë fushë, për shkak se mundësitë për ta kryer këtë veprimtari janë më të mëdha për shkak edhe të mundësive të kamuflimit që i kanë, qoftë përmes organizatave jo-qeveritare, qoftë përmes edhe organizatave ndërkombëtare që operojnë në Republikën e Kosovës, që kemi disa prej tyre që edhe nuk e njohin zyrtarisht pavarësinë apo shtetësinë e Republikës së Kosovës”, thotë Sopjani.

Prokuroria Speciale, përveç Vllajiqit, që është duke vuajtur dënimin, i akuzon edhe shtatë persona të tjerë për spiunazh. Gjashtë të akuzuarit si bashkëpunëtorë të BIA-s janë:, Hysri Selimi i cili është  i dënuari edhe për terrorizëm, togeri i Policisë së Kosovës, Bojan Jevtiq (i dyshuar), ish-polici Muharrem Qerimi, ish-doganieri Bedri Shabani, punëtorja e OSBE-së, Jelena Gjukanoviq, ish-drejtuesi i organizatës “Instituti për Avancimin e Marrëdhënieve Ndëretnike”, Fatmir Sheholli, i cili ishte edhe ish-anëtar i sigurimit të shtetit të Serbisë gjatë viteve ‘90.

Në bazë të aktakuzave të Prokurorisë Speciale të Kosovës, personat që akuzohen si spiunë të Serbisë, ndër të tjera, i dërgojnë informata këtij shteti lidhur me vehabistët, identitetet e zyrtarëve të AKI-së, vendet ku ka policë, hetimet për krimin e organizuar dhe personat e dyshuar për krim të organizuar, si dhe identitetet e pjesëtarëve të UÇK-së me qëllim të ndërtimit të narrativës së rreme për një rrjet trafikimi organesh nga UÇK-ja që shtrihet nga Kosova në Shqipëri.

Strategjia e Serbisë

Gjatë dy vjetëve të kaluar edhe Serbia ka bërë arrestime për spiunazh. Në bazë të raportimeve të publikuara në mediat serbe, për spiunazh në favor të Shërbimit Informativ të Shqipërisë (SHISH) dhe Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI), nga janari i 2024-s janë arrestuar katër persona: D.R (dyshohet se filmoi ushtrinë serbe në Rashkë), A.D (dyshohet se i ndihmoi D.R), P.M dhe Sasha Gjorgjeiviq u arrestuan pasi dyshohet se ua shpalosën identitetet pjesëtarëve të BIA-s, ushtrisë dhe MUP-it të Serbisë.

Prokuroria në Prokuple e ka konfirmuar se ka ngritur aktakuzë kundër Sasha Gjorgjeviqit nga Komuna e Shtërpcës për spiunazh, ndërsa Prokuroria në Jagodinë (ku ka qenë duke u hetuar rasti i D.R, A.D dhe P.M) nuk janë përgjigjur në pyetjet e redaksisë.

Ish-kryeinspektori Shkëlzen Sopjani vlerëson se arrestimet e atyre që janë akuzuar si spiunë të Kosovës e Shqipërisë në Serbi janë bërë për efekt propagandistik.

“Në Serbi me sa kam parë, kam goxha bindje se nuk ka ndonjë element përveç një konsumi publik që e kanë bërë dhe ata shpesh dinë t’i bëjnë ato gjëra për konsum të brendshëm publik – të tregojnë se po bëjnë diçka e kështu me radhë, që edhe kur nuk e kanë armik gjithmonë, ta shpikin një armik”, thotë Sopjani.

Ai ka folur edhe për rrezikun që kosovarët kanë kur kalojnë përmes Serbisë . Kalimi apo qëndrimi i zyrtarëve shtetërorë në Serbi, sipas ish-kryeinspektorit të AKI-së, Shkëlzen Sopjani, nuk i rrezikon vetëm zyrtarët, por edhe shtetin.

Përmes transportit rrugor, rruga nga shtetet e Evropës qendrore e veriore në Kosovë është më e shkurtër kah Serbia, por, BIA vazhdimisht ka ndaluar shtetasit e Kosovës e të cilët janë akuzuar për vepra penale kundër rendit kushtetues

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u ka bërë thirrje të vazhdueshme qytetarëve që ta shmangin kalimin në Serbi. Serbia ka arrestuar edhe ish-pjesëtarë të institucioneve të sigurisë së Kosovës duke pretenduar për vepra të ndryshme penale, siç është ajo kundër rendit kushtetues.

Arbnor Spahiu, ish-polic i Kosovës, u mbajt në paraburgim nga qershori deri në nëntor kinse për vepra antikushtetuese që lidhen me vrasjen e pjesëtarëve të grupit në sulmin në Banjskë. 
“Nuk duhet të presin ata dhembshuri prej Republikës së Kosovës kur arrestohen prej Serbisë, por ata duhet ta kenë parasysh se ata e kanë bërë gabimin, se ata e kanë bërë lëshimin, se ata kanë qenë të pakujdesshëm. Një pakujdesi e tyre, përveçqë e cenon lirinë e tyre, mund ta cenojë edhe integritetin e institucionit të cilit e përfaqësojnë”, thotë Sopjani.

Aktakuza në të cilën e ka pranuar fajësinë Vllajiqi tregon edhe për pasojat që i ka pasur spiunazhi i tij te serbët të cilëve ua ka përmendur emrat. Në këtë dokument thuhet se disa shtetas të Kosovës që Vllajiqi ia ka përmendur BIA-s, i ka rekrutuar Serbia. Paraprakisht, sipas Prokurorisë Speciale, ata janë ndaluar në Serbi.

“Veprimet në mbështetje të këtij bashkëpunimi spiunazhi përfshijnë, por nuk kufizohen në:..4. Targetimi i individëve të ndryshëm, kryesisht serbë, të punësuar në organizata ndërkombëtare në Kosovë, si bashkëpunëtorë të shërbimeve të huaja të inteligjencës në Kosovë, të cilët më pas, gjatë vizitave në Serbi, janë ndaluar, intervistuar, shantazhuar dhe rekrutuar nga BIA, për të punuar më pas në favor të tyre”, thuhet në aktakuzë.

Por ndjekja e spiunazhit penalisht në Kosovë është më e lehtë, sipas drejtorit të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Mentor Vrajolli, meqë Kosova i ka tkurrur strukturat e sigurisë së Serbisë në veri të vendit dhe meqë tash nuk ka zyrtarë policorë që marrin paga nga Kosova dhe Serbia njëherësh.

Sipas tij, shteti duhet t’u japë mbrojtje të gjithë zyrtarëve të saj shtetërorë, në mënyrë që të mos ndodhin dorëheqjet si ato në FSK më 2018-n apo në institucionet e sigurisë dhe drejtësisë më 2022-tën.

“Këto struktura kishin bërë presione të ndryshme te këta persona që pa dashjen e tyre ishin detyruar që të tërhiqeshin për shkak të një morie të metodave që kanë përdorur ata për t’i detyruar ata që të tërhiqeshin. Ngjashëm mund të ndodhë edhe me pjesëtarët e rinj të Policisë së Kosovës, të cilët janë duke u rekrutuar. Andaj, duhet të mbrohen, edhe zyrtari publik i yni që të mos u nënshtrohet këtyre personave”, thekson Vrajolli.

Sipas tij, institucionet duhet të angazhohen në komunikim direkt me serbët dhe në mënyrë që ata të mos e njohin shtetin vetëm si shtet policor.

“Mendoj që është me rëndësi të krijohet ai momentum ku komuniteti serb të jetë i hapur për integrim dhe pastaj përgjegjësia të bartet tek institucionet tona, për shkak se është përgjegjësi e institucioneve tona për ta integruar çdo qytetar”, deklaron Vrajolli.

Trendët

42 shtetas të BE-së janë dënuar për spiunazh (shumica në favor të Rusisë) në bazë të raportit të Agjencisë Suedeze për Hulumtime të Sigurisë “Spiunazhi nga Evropianët”.

Lufta në Ukrainë e ka ndryshuar bilancin e sigurisë, ndërsa në Kosovë që atëherë vit pas viti u ballafaqua me sulme terroriste në veri të vendit. Për të gjitha këto sulme, Kosova e ka fajësuar Serbinë.

Megjithatë, për ta përmirësuar situatën e sigurisë, sipas Vrajollit, institucionet duhet të përqendrohen te parandalimi i këtyre rasteve. Veçanërisht te komuniteti serb, sipas tij, shteti duhet t’u ofrojë mbrojtje zyrtarëve të institucioneve të Kosovës dhe t’i ndjekë penalisht personat që i kërcënojnë për t’u tërhequr nga institucionet e Kosovës.

“Ngjashëm mund të ndodhë edhe me pjesëtarët e rinj të Policisë së Kosovës, të cilët janë duke u rekrutuar. Andaj, duhet të mbrohen, edhe zyrtari publik i yni që të mos u nënshtrohet këtyre personave. Kjo është punë e bashkërenditur që duhet të bëhet mes institucioneve të sigurisë, duke filluar nga Policia, AKI-ja e institucionet e tjera”, thotë Vrajolli.

Njohësit paralajmërojnë se edhe viti 2026 është po ashtu vit i rreziqeve të sigurisë. Sopjani vlerëson se rreziku i spiunazhit nga Serbia nuk ka afat dhe shton se pavarësisht rrethanave politike, ky shtet do të mundohet ta minojë Kosovën përmes spiunazhit.

“Rreziku është permanent dhe do të jetë edhe afatgjatë, sepse nuk është një rrezik që përfundon apo që ka një afat skadimi, sepse unë e vlerësoj që edhe në rastin më të mirë të mundshëm, nëse do ta kishim një marrëveshje paqeje me Serbinë apo për njohje të ndërsjellë, prapëseprapë në kanale të ndryshme do të vazhdojë kjo”, thotë Sopjani.

E Vrajolli thotë se siguria është kryetema gjithandej, shkaku i zhvillimeve globale, e posaçërisht në kontinentin evropian shkaku i luftës në Ukrainë.

“Siguria është temë globale, është tema numër një dhe duke i pasur parasysh edhe zhvillimet e përgjithshme botërore ne duhet të jemi të gatshëm që të mbrohemi nga kërcënimet dhe rreziqet dhe përderisa nuk mbrohemi brenda për brenda shoqërisë, atëherë këto rreziqe mund të bëhen shumë më potente”, ka deklaruar Vrajolli.