Specialistë të turizmit në Shqipëri kanë shpërfillur shifrat zyrtare duke bërë fjalë për rreth 2.2 milionë turistë të huaj që kanë hyrë në Shqipëri nga mesi i majit dhe deri sot, edhe pse shifrat zyrtare flasin për një numër shumë më të vogël.
Në ditën e parë të gushtit, rrugët e Shqipërisë ishin të mbingarkuara. E diela ka sjell trafik të rënduar në superstradën Lezhe-Milot, por edhe në autostradën Milot-Fushë-Krujë dhe në rrugët që të çojnë drejt jugut të Shqipërisë. Që nga orët e para të mëngjesit të 1 gushtit 2021, fluksi i madh i automjeteve të ardhur kryesisht nga Kosova për të kaluar fundjavën në bregdetet e Shqipërisë, ka krijuar radhe kilometrike automjetesh dhe bllokim të qarkullimit.
Vetëm të dielën kanë hyrë në Shqipëri rreth 30 mijë qytetarë nga Kosova. Kryesisht ata vizitojnë plazhet e Shëngjinit, Velipojës në Shkodër e Tales në Lezhë. Edhe në qytetin e Vlorës pothuajse të gjitha rrugët hyrëse ishin të bllokuara paraditen e kësaj të diele.
Dhjetëra automjete mbetën për orë të tëra në trafik, ndërsa destinacioni i tyre është bregdeti i jugut. Policia rrugore e Vlorës ka apeluar drejtuesit e mjeteve që kanë si destinacion Himarën që të shmangnin qarkullimin brenda qytetit, dhe të përdorin Bypassin që është hapur pak ditë më parë. Fluksi i turistëve ka nisur edhe nga rrugët detare. Në portin e Vlorës këtë të diel kanë mbërritur 812 pasagjerë me 79 makina, 7 autobusë dhe 1 minibus. Edhe në pikën hyrëse më të madhe detare në Shqipëri në Durrës mëngjesi i së dielës, 1 gusht, ka krijuar fluks emigrantësh dhe turistësh që do të kalojnë pushimet në Shqipëri.
Deri në orën 10:00 të së dielës aty kanë mbërritur 3731 persona me 888 automjete, ndërsa të shtunën kanë zbarkuar rreth 6000 persona. Specialistë të turizmit në Shqipëri kanë shpërfillur shifrat zyrtare duke bërë fjalë për rreth 2.2 milionë turistë të huaj që kanë hyrë në Shqipëri nga mesi i majit dhe deri sot.
Kjo shifër bëhet me dije nga specialisti i turizmit Feriold Ozuni, edhe pse shifrat zyrtare flasin për një numër shumë më të vogël.
“Presim statistikat zyrtare por nga ajo që shohim numri i turistëve është shumë herë më i madh se vjet por i pakrahasueshëm me 2019. Diskutohet që nga mesi i muajit maj deri në këto momente shifrat të kenë arritur 2.2 milionë turistë të huaj në Shqipëri, heqim ata që vijnë për biznes, pra turistë që kalojnë minimalisht një natë qëndrimi në Shqipëri. Këtë verë rekord turistësh ka pasur edhe nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut, pa llogaritur shqiptarët e Kosovës që si gjithmonë mbajnë pjesën e luanit në turizmin shqiptar”, thotë specialisti i turizmit në Shqipëri Feriold Ozuni.
Por në bazë të shifrave të publikuara nga INSTAT( Instituti Shqiptar I Statistikave), hyrjet e shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri gjatë gjashtëmujorit të parë të 2021, është 1.687.919, duke u rritur me 2,2 herë, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2020. Ndërkohë që në qershor të këtij viti, numri i përgjithshëm i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin e Shqipërisë është 604.381. Krahasuar me qershorin 2020, ky numër është rritur me 3,4 herë. Megjithatë, turizmi “post pandemik” në Shqipëri vazhdon të jetë ai patriotik. Kosova ka qenë e vazhdon të jetë rezervuari kryesor i mbështetjes, të sektorit turistik në Shqipëri duke zënë 55.4%% të numrit të përgjithshëm të shtetasve të huaj që kanë vizituar Shqipërinë për muajin qershor dhe 38% të numrit që shtetasve të huaj që kanë vizituar këtë vend për gjashtëmujorin e parë të vitit.
Në bazë të shifrave të publikuara nga INSTAT, numri i qytetarëve nga Kosova që kanë hyrë në Shqipëri për qershorin e këtij viti ka qenë 334.908 persona, krahasuar me 213.550 persona që kanë hyrë në vitin 2019 dhe 105.517 persona që kanë hyrë në Shqipëri në vitin 2020. Ndërkohë që shifrat për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, bëjnë fjalë për një rritje të vogël të shifrave me 5.5% më shumë se viti i suksesshëm i 2019-s.
Rritje të ndjeshme ka pësuar hyrja në Shqipëri e qytetarëve nga Kosova, krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2020, me 115.2% rritje. Sipas shifrave të INSTAT për gjashtëmujorin e parë të këtij viti kanë hyrë në Shqipëri 641.767 qytetarë nga Kosova, krahasuar me 608.649 që kanë hyrë në vitin 2019 dhe 298.162 qytetarë që kanë hyrë në gjashtëmujorin e parë të 2020-s. Ekspertët e ekonomisë në Shqipëri vazhdojnë t’i qëndrojnë idesë se turizmi në vend ishte një nga sektorët më të goditur nga pandemia e Covid-19. Por pavarësisht kësaj, sipas ekspertit të ekonomisë Ardian Civici, këtë vit ka një zhvillim të turizmit të brendshëm teksa shton se ka prenotime nga turistët nga Kosova, Serbia po edhe Polonia e Çekia.
Më tej ai thotë se “topi është në fushën e Shqipërisë ”, por mbetet për t’u parë sa janë përgatitur autoritetet përkatëse për të pritur turistët.
“Turizmi është një nga sektorët më të prekur. Por në vitin 2017 dhe në vitin 2019, turizmi ishte një nga sektorët më dinamik, që ndikoi në rritjen e ekonomisë shqiptare. Por këtë vit, sektori që u godit më shumë nga pandemia ishte turizmi. Lehtësimi i masave dhe i kushteve të lëvizjes jo vetëm në Shqipëri por edhe në vendet përreth, si Kosova e Maqedonia e Veriut, kanë qenë mbështetësit kryesor të sektorit turistik shqiptar duke ka bërë të mundur që megjithëse akoma nuk është në kapacitet të plotë, shpresa është që muaji gusht të jetë akoma më intensiv sa i përket sezonit turistik”, theksoi Civici.