Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka publikuar një raport të situatës me vërshime në Kosovë të martën, për periudhën nga ora 12:00 deri në orën 15:00. Në raport AME-ja ka thënë se situata paraqitet e menaxhueshme.
AME-ja në raport ka njoftuar se në Gjakovë ishte kërkuar ndihmë për evakuimin e mbi 20 familjeve, në koordinim me Forcat e Sigurisë së Kosovës.
E vërshime në oborre, bodrume e rrugë të caktuara ka pasur në Fushë-Kosovë, Drenas, Malishevë, Rahovec, Klinë, Mitrovicë, Vushtrri, Skenderaj e Gjakovë.
“Sipas informatave nga Njësitë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit (NJPZSH), dhe Drejtorive për Shërbime Publike dhe Emergjenca (DSHPE) të koordinuara nga Qendrat Operative Emergjente 112 , situata me vërshime paraqitet e menaxhueshme, me raste të lokalizuara në disa komuna. Rajonet më të prekura: Fushë Kosovë, Drenas, Malishevë, Rahovec, Klinë, Mitrovicë, Vushtrri, Skenderaj dhe Gjakovë – vërshime në oborre, bodrume dhe rrugë të caktuara; Në Gjakovë është kërkuar ndihmë për evakuimin e mbi 20 familjeve, në koordinim me FSK-në; Në shumicën e komunave të tjera, gjendja është relativisht e qetë dhe stabile, në monitorim të vazhdueshëm. Të gjitha ekipet e forcave te Mbrojtjes dhe Shpëtimit ,janë në terren dhe situata po monitorohet vazhdimisht nga sistemi i komunikimit emergjent Agjencisë Menaxhimit Emergjent”, ka njoftuar AME.