Arbëri

Vërshime në disa pjesë të Kosovës, apelohet për kujdes

Vershimet

Foto: Driton Paçarada

Reshjet e dendura të shiut që kanë rënë gjatë natës kanë shkaktuar vërshime në disa pjesë të Kosovës.

Në kryeqytet disa rrugë janë mbushur me ujë duke e bërë të vështirë qarkullimin e automjeteve.

Në Skenderaj, kryetari i Komunës, Sami Lushtaku ka shkruar se reshjet e natës së mbrëmshme të cilat po vazhdojnë edhe sot kanë sjellë vërshime në disa zona, duke shkaktuar vështirësi për një numër familjesh.

“Ekipet emergjente të zjarrfikësve që nga mesnata janë të angazhuara në terren dhe po përcjellin situatën me kujdes të shtuar. Në bashkëpunim me të gjitha ekipet e emergjencave në kuadër të komunës, do të vazhdojmë të jemi pranë qytetarëve për tu përballur së bashku me këtë situate”, ka shkruar ai në Facebook.

Edhe në Malishevë për shkak të reshjeve të dendura është vërshuar parkingu nëntokësor, pak ditë pas përurimit të tij.

Komuna e Prishtinës ka paralajmëruar se, sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, reshjet pritet të vazhdojnë dhe si pasojë mund të ketë vështirësi në qarkullimin rrugor, mbingarkesë të kanalizimit dhe ujërave atmosferike, grumbullim të ujit në zona urbane dhe nënkalime dhe rrezik për rrëshqitje lokale të dheut në zona të ndjeshme.

“Apelojmë te qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, të shmangin zonat e përmbytura dhe të raportojnë çdo situatë që paraqet rrezik për sigurinë publike. Institucionet përkatëse të Kryeqytetit janë në gatishmëri të plotë për monitorimin e situatës dhe ndërhyrje sipas nevojës”, thuhet në njoftim të Komunës.

Edhe Komuna e Drenasit ka njoftuar për vërshime në shumë segmente rrugore.

“Sipas informacioneve nga terreni, rruga Drenas–Grabovc, zona e Çiktovës së Vjetër, Qendra zejtare në Drenas si dhe qendra e Komoranit janë prekur më së shumti nga vërshimet e shkaktuara nga sasia e madhe e reshjeve. Qytetarët raportojnë edhe për zona të tjera në Komunën e Drenasit si të prekura nga vërshimet”, thuhet në njoftim teksa është përmendur se komuna i ka paralajmëruar qytetarët që të mos prekin rrjedhat e natyrshme të ujit nga ndërtimet apo mbulimin e kanaleve. “Për ndërhyrjet e paligjshme të cilat kanë bllokuar këto rrjedha të natyrshme të ujit, zyrtarët do të ndërmarrin masa për t’i tejkaluar ato si dhe veprimet ligjore ndaj shkaktarëve të këtyre ndërhyrjeve me pasojë për pronën private dhe publike”.

Kjo komunë ka apeluar për kujdes të shtuar e që qytetarët të zgjedhin rrugë dhe zona alternative ku të munden.

Në anën tjetër, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se nga datat 3-5 janar, në pjesën perëndimore të Kosovës, janë regjistruar reshje të konsiderueshme të shiut, të cilat kanë ndikuar dukshëm në rritjen e niveleve dhe prurjeve të ujit.

Tutje ka njoftuar se kryesisht bëhet fjalë për lumenjtë që rrjedhin nga Alpet Shqiptare dhe si pasojë, mund të kenë dalë nga shtretërit e tyre.

Zëvendësministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka njoftuar se janë në gjendje gatishmërie për të menaxhuar vërshimet nga reshjet e shiut.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se janë në terren dhe po ndërhyjnë për  të përmirësuar kushtet e qarkullimit.

“Që nga mbrëmë jemi në gjendje gatishmërie për të menaxhuar sa më mirë reshjet e shiut, të cilat kanë ndikuar edhe në disa nga rrugët tona. Ekipet e mirëmbajtjes janë në terren dhe po ndërhyjmë kudo që është e mundur për të përmirësuar kushtet e qarkullimit. Megjithatë, na duhet edhe bashkëpunimi juaj, ju lusim të vozitni me kujdes të shtuar dhe t’u përshtateni kushteve të rrugës”, thuhet në njoftim.

Disa komuna pa ujë të pijes

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka njoftuar për ndërprerje të furnizimit me ujë për shkak të rritjes së turbullueshmërisë në kanalin e Ibër-Lepencit.

Kjo ndërmarrje ka thënë se është e detyruar ta ndërpresë ujin dhe se masa merret me qëllim të garantimit të sigurisë dhe cilësisë së ujit të pijes.

“Ekipet tona teknike janë në terren dhe po monitorojnë vazhdimisht gjendjen. Furnizimi me ujë do të rikthehet menjëherë pas normalizimit të nivelit të turbulleshmërisë dhe krijimit të kushteve të sigurta për distribuim”, thuhet në njoftimin e të martës në mëngjes.

Nga ndalja e furnizimit me ujë janë prekur Fushë-Kosova, Drenasi, Obiliqi dhe një pjesë e lagjes “Kalabria” në Prishtinë, ka bërë të ditur Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”. Pritet që me reduktime të furnizimit të preken edhe zona të tjera në kryeqytet.



 

Shkaku i vërshimeve, shtyhet procesi mësimor për 12 janar për të gjitha shkollat

1 d. më parë / 6 jan 2026 23:35
vershime

Photo: Driton Paçarada

Fillimi i procesit mësimor për gjysmëvjetorin e dytë është shtyrë deri më 12 janar në të gjitha komunat e vendit për shkak të reshjeve dhe kushteve të vështirësuara në disa zona. 

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka njoftuar se nga informacionet nga terreni është konstatuar se fillimi i procesit mësimor i paraparë për të enjten është i pamundur. Mirëpo, MASHTI njoftoi tutje se këto dy ditë do të zëvendësohen gjatë pjesës së dytë të vitit shkollor 2025/2026.  

“Si pasojë e vërshimeve dhe situatës së rënduar në shumicën e komunave, si dhe e qarkullimit të vështirësuar për shkak të reshjeve të vazhdueshme, të cilat sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK) pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim duke shkaktuar vërshime lokale, vështirësi në komunikacion, probleme në sistemet e kanalizimit dhe pengesa në trafik, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka marrë vendim që pushimi dimëror të vazhdojë edhe për dy ditë në nivel vendi, përkatësisht më 8 dhe 9 janar”, thuhet në vendimin e MASHTI-t.
 

KRU “Mitrovica” apelon te konsumatorët që uji të mos përdoret për pije

1 d. më parë / 6 jan 2026 23:29
Turbullira

Kompania Rajonale Ujësjellësi “Mitrovica” ka njoftuar se për shkakt ë niveleve të larta të turbullirave në burimet e furnizimit me ujë, impiantet për trajtimin e ujit të pijes nuk janë në gjendje të operojnë në mënyrë të sigurtë dhe rrjedhimisht uji nuk duhet të përdoret për pije. 

“Gjatë orëve të mbrëmjes është shënuar një rënie e përkohshme e nivelit të turbullshmërisë dhe janë bërë përpjekje për rifillimin e trajtimit të ujit. Megjithatë, këto tentativa nuk kanë rezultuar të suksesshme, pasi niveli i turbullshmërisë ka filluar sërish të rritet. Në këtë kontekst, njoftojmë konsumatorët se edhe në rastet kur uji arrin në rrjet, ai NUK duhet të përdoret për pije, por vetëm për qëllime higjienike dhe teknike, deri në një njoftim të radhës. Ekipet tona janë në monitorim të vazhdueshëm të situatës dhe do të ju mbajmë të informuar me kohë për çdo ndryshim apo përmirësim të gjendjes”, ka njoftuar KRU “Mitrovica” nëpërmjet një postimi në Facebook. 

Të reshurat e shiut që kanë nisur nga e hëna kanë shkaktura vërshime në disa pjesë të Kosovës, ndërsa kanë shkaktuar edhe çrregullime në furnizim me ujë. 


 

Vërshimet në Kosovë, Agjencia e Menaxhimit Emergjent del me raport

1 d. më parë / 6 jan 2026 22:07
vershime

Photo: Driton Paçarada

Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka publikuar një raport të situatës me vërshime në Kosovë të martën, për periudhën nga ora 12:00 deri në orën 15:00. Në raport AME-ja ka thënë se situata paraqitet e menaxhueshme. 

AME-ja në raport ka njoftuar se në Gjakovë ishte kërkuar ndihmë për evakuimin e mbi 20 familjeve, në koordinim me Forcat e Sigurisë së Kosovës. 

E vërshime në oborre, bodrume e rrugë të caktuara ka pasur në Fushë-Kosovë, Drenas, Malishevë, Rahovec, Klinë, Mitrovicë, Vushtrri, Skenderaj e Gjakovë. 

“Sipas informatave nga  Njësitë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit (NJPZSH), dhe Drejtorive për Shërbime Publike dhe Emergjenca  (DSHPE) të koordinuara nga Qendrat Operative Emergjente 112  , situata me vërshime paraqitet e menaxhueshme, me raste të lokalizuara në disa komuna. Rajonet më të prekura: Fushë Kosovë, Drenas, Malishevë, Rahovec, Klinë, Mitrovicë, Vushtrri, Skenderaj dhe Gjakovë – vërshime në oborre, bodrume dhe rrugë të caktuara; Në Gjakovë është kërkuar ndihmë për evakuimin e mbi 20 familjeve, në koordinim me FSK-në; Në shumicën e komunave të tjera, gjendja është relativisht e qetë dhe stabile, në monitorim të vazhdueshëm. Të gjitha ekipet e forcave te Mbrojtjes dhe Shpëtimit ,janë në terren dhe situata po monitorohet vazhdimisht nga sistemi i komunikimit emergjent  Agjencisë Menaxhimit Emergjent”, ka njoftuar AME. 


 

Mblidhet Shtabi Emergjent në Mitrovicë pas situatës së rënduar nga vërshimet

1 d. më parë / 6 jan 2026 22:00
Shtabi Emergjent - Mitrovice e Jugut

Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka njoftuar se të martën mbrëma ka thirrur mbledhje të jashtëzakonshme të Shtabit Emergjent pas vërshimeve të shkaktuara nga reshjet e vazhdueshme të shiut.

“Shtabi Emergjent. I gjithë mekanizmi shtetëror, si në nivel lokal ashtu edhe qendror, janë në gjendje gatishmërie bashkë me ekipe vullnetare për intervenim të menjëhershëm nga vërshimet në Komunën e Mitrovicës. Duke marrë në konsideratë motin e përkeqësuar nga reshjet e vazhdueshme të shiut dhe rrezikun nga vërshimet e mundshme në rajonin e Mitrovicës, sonte në ora 21:00 thirra mbledhje të jashtëzakonshme të gjithë akterët kompetentë në zinxhirin e sigurisë dhe intervenimit emergjent. Në këtë mbledhje u diskutua në lidhje me koordinimin në mes institucioneve, vlerësimin e gjendjes së tanishme në terren, si dhe masat që duhet të ndërmerren. Si kryetar i Komunës, jam i gatshëm që të vë në dispozicion të gjitha mjetet e nevojshme në menaxhim të kësaj situate”, ka njoftuar Peci nëpërmjet një postimi në Facebook. 

“KosovaPress” ka raportuar se në fshatin Koshtovë ka pasur situatë më të rënduar me vërshime dhe se në vendin e ngjarjes janë FSK-ja, njësitet e zjarrfikësve ndër të tjera. 


Osmani: Situata kërkon kujdes maksimal, FSK-ja në gatishmëri

1 d. më parë / 6 jan 2026 18:35
vershime

Photo: Driton Paçarada

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se situata e krijuar nga vërshimet nëpër vend kërkon kujdes maksimal.

Ajo ka shprehur mirënjohje për institucionet e qytetarët për reagimin e shpejt, derisa ka thënë se gjatë ditës ka komunikuar me kryetarët e komunave të prekura.

Osmani ka theksuar se Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave po punon pareshtur bashkë me organet e rendit, ndërsa ka shtuar se Forca e Sigurisë së Kosovës është në gatishmëri të plotë të ofrojë mbështetje nëse paraqitet nevoja. 

“Situata kërkon kujdes maksimal. U bëj thirrje qytetarëve të tregojnë vigjilencë dhe të respektojnë me përpikëri udhëzimet e institucioneve kompetente. Bashkëpunimi i ngushtë dhe reagimi profesional mbeten vendimtare për përballimin me sukses të kësaj situate”, ka shkruar ajo në Facebook.

Paçarizi: Gjendja në Malishevë është emergjente, janë evakuuar gjashtë familje

1 d. më parë / 6 jan 2026 18:28
Vershimet ne Malisheve

Photo: Driton Paçarada

Zëdhënësi i Komunës së Malishevës, Artan Paçarizi, ka thënë se gjendja është emergjente në këtë komunë si pasojë e vërshimeve pas reshjeve të dendura të shiut.

Në emisionin “60 Minuta” në KTV, Paçarizi ka thënë se i kanë informuar të gjithë banorët e fshatrave të cilët ndodhën më afër lumit Mirusha, që të evakuohen për të mos u rrezikuar gjatë natës.

Ai po ashtu ka njoftuar se deri më tani janë evakuuar gjashtë familje.

“Ne i kemi informuar ata dhe kryetarët e fshatrave dhe iu kemi bërë thirrje që të rrijnë në gjendje gadishmërie apo të largohen qysh tani nga shtëpitë e tyre në mënyrë që të mos rrezikohen gjatë natës. Janë evakuuar gjashtë familje apo 12-13 banorë. Dy familje në fshatin Bubavec dhe katër familje në qytetin e Malishevës të cilët kanë qenë musafirë nga një komunë tjetër për shkak të një rasti të vdekjes që e kanë pasur dhe në atë shtëpi ka depërtuar uji dhe i kemi tërhequr familjet i kemi zhvendosur në një vend tjetër. Pastaj janë përcjellë në shtëpitë e tyre”, ka thënë Paçarizi.

Gjendje më e rënduar si pasojë e vërshimeve është paraqitur në fshatra, megjithatë zëdhënësi Paçarizi thotë se niveli i ujit në parkingun e komunës ka qenë deri në një metër.

 “Ngritja e nivelit të ujit në lumin Mirushë ka bërë që shkarkimi i ujit nga nënkalimi dhe parkingu të jetë më i vështirësuar. Momentalisht ka 10 deri në 15 cm ujë në nënkalim dhe këtu uji ka qenë gati një metër por tani ka rënë në masë të madhe niveli i ujit dhe presim që brenda një ose dy ore të tërhiqet uji në tërësi. Megjithatë varet nga niveli i ujit në lumin Mirushë”, ka thënë zëdhënësi Paçarizi.

Në disa pjesë të kësaj komune gjatë ditës është ndërprerë energjia elektrike për të mos u shkaktuar ndonjë rrezik shtesë. Zëdhënësi Paçarizi deklaroi për emisionin “60 Minuta” në KTV se edhe ditëve në vijim nuk do të ketë furnizim me energjinë elektrike. Njësoj do të jetë situata edhe sa i përket furnizimit me ujë të pijes.

Sa i përket dëmeve, ai ka deklaruar se ekonomitë familjare apo amvisëritë janë më të prekura deri më tani, ndonëse edhe bizneset janë të prekura në masë. Pas qetësimit të situatës, Paçarizi tha se do të bëhet edhe vlerësimi i dëmeve.

Gruda: Në Drenas gjatë ditës u evakuuan 20 familje

1 d. më parë / 6 jan 2026 18:27
Drenas

Në Drenas dhe fshatrat përreth gjatë ditës janë evakuuar rreth 20 familje, ka njoftuar për “60 Minuta” në KTV drejtori i Shërbimeve Publike dhe Emergjencave i Komunës së Drenasit, Nexhmedin Gruda.

Gruda ka thënë se qendra e Drenasit, fshatrat Poklek i ri, Çikatovë e vjetër, Shtubullova dhe një pjesë e Tërstenikut kanë qenë më të prekurat.

“Gjendja për momentin ka filluar të stabilizohet pak...Nga njësiti i zjarrfikësve paradite janë evakuuar rreth 20 familje, atyre u kanë dalë në ndihmë edhe qytetarët me varka private që i kanë pasur. Pasdite kemi pasur vetëm intervenime në vetura që kanë mbetur të bllokuara”, ka thënë Gruda.

Ai ka treguar se rrugët Drenas – Komoran, Drenas – Kroi i Mbretit dhe Drenas  - Guri i plakës vazhdojnë të mbesin të bllokuara për vetura të vogla.

“Për momentin ka lëvizje të rralla, disa mjete si kombi-bus apo mjete të mëdha”, tha Gruda. “Izolim total nuk mund të themi se kemi, por lëvizje të lirë nuk kemi. U kemi bërë thirrje qytetarëve përmes faqes zyrtare që të kenë kujdes e të mos dalin pa pasur nevojë të madhe”.

Gruda ka treguar se aktualisht zona më e prekur është tek transformatorët ku po intervenohet me 6 pompa, e ku kanë dalë në ndihmë edhe Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave dhe zjarrfikësit.

Gruda ka thënë se edhe Forca e Sigurisë së Kosovës ka ofruar ndihmë, por për momentin situata është nën kontroll.  

Ai ka treguar se dëmet janë të konsiderueshme dhe që nga nesër do të dalë Komisioni për vlerësim të dëmit nga fatkeqësitë natyrore e do të bëhet vlerësimi.

Gruda ka treguar edhe se situata me rrymë është stabilizuar, pasi për disa orë s’ka pasur rrymë në Drenas. Ai ka thënë se po përcjellet situata, por nuk beson se do të shpallet gjendje e jashtëzakonshme.

E kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, në një postim në Facebook ka bërë thirrje të mos dilet pa nevojë.

Ai ka treguar se dy grupe të Shërbimeve Publike dhe Emergjencat, Policia e Kosovës dhe AME-ja, ndodhen në terren duke u përpjekur për përmirësimin e situatës dhe duke e përcjellur atë.

"Rruga Drenas-Komoran është lehtësuar për qarkullim, aktualisht niveli i ujit ka rënë dhe është e kalueshme. Ftoj qytetarët për kujdes dhe respektim të shiritëve për ndalim të qarkullimit në disa rrugë dhe pranë urave. Falënderoj qytetarët për respektim të urdhërave të organeve kompetente dhe kontribuesit për lehtësimin e gjendjes në këto vërshime të përmasave të mëdha në komunën e Drenasit", ka shkruar Lladrovci.
 

Kryetari i Rahovecit për vërshimet e sotme: Instituti Hidrometeorologjik ka dështuar

1 d. më parë / 6 jan 2026 18:23
vërshime

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka deklaruar se Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka dështuar në paralajmërimin e institucioneve komunale për vërshimet e sotme, duke theksuar se komuna nuk ka marrë asnjë njoftim zyrtar paraprak për reshjet e mëdha.

Rahoveci është prej komunave më të goditura nga reshjet e sotme në Kosovë. Gjithashtu, Malisheva e Drenasi kanë raportuar për dëme të mëdha.

“S’kemi qenë fare të informuar. Mendoj që IHMK-ja ka dështuar. Nuk kemi pasur asnjë raport zyrtar prej tyre, siç zakonisht duhet të veprojnë. Na kanë thënë se po punojnë me staf të reduktuar për shkak të festave të fundvitit”, ka thënë Latifi në emisionin “60 Minuta” të KTV-së të martën.

Sipas tij, askush nuk e ka ditur se do të ketë potencial kaq të madh të reshjeve, ndërsa paralajmërimi i parë nga IHMK-ja ka ardhur vetëm sot, përmes një emaili, ku thuhet se edhe dy ditët në vijim do të ketë reshje dhe se institucionet duhet të jenë në gatishmëri.

Latifi ka bërë të ditur se situata më e rëndë ka qenë nga mesnata deri rreth orës 11:00, kur ekipet komunale, policia, zjarrfikësit dhe operatorë të ndryshëm kanë qenë në terren për të menaxhuar situatën dhe për të minimizuar pasojat nga vërshimet në amvisëri, toka bujqësore dhe infrastrukturë rrugore.

“Ka rrugë që janë shembur, kemi pasur probleme edhe me KEDS-in për shkak të rrëzimit të shtyllave elektrike. Kemi vepruar bashkërisht për t’i minimizuar dëmet”, ka shtuar ai.

Laitifi ka treguar një rast në fshatin Çifllag, ku dy gra të moshuara kishin refuzuar të largoheshin nga shtëpia e përmbytur. Por që u evakuuan më pas nga ekipet e emergjencës dhe aktualisht gjendja e tyre është e mirë. Sipas Latifit, aktualisht në komunë nuk ka persona të ngujuar.

Kryetari i Rahovecit ka konfirmuar se janë kontaktuar edhe nga presidentja Vjosa Osmani, ministri Elbert Krasniqi dhe Hysen Durmishi, të cilët kanë ofruar ndihmë, por për momentin situata po menaxhohet nga institucionet lokale.

“Situata tani është stabilizuar për shkak se kanë pushuar reshjet. Nëse reshjet vazhdojnë me intensitet të ulët, besoj që nuk do të ketë telashe të mëdha”, ka deklaruar Latifi, duke bërë të ditur se është themeluar edhe Shtabi Komunal për Emergjencë.

Sa i përket dëmeve, Latifi ka thënë se është ende herët të flitet për shifra konkrete. Ai theksoi se gjendje më e rëndë është raportuar në Fortesë, por probleme ka pasur edhe në Çifllak, Ratkoc, Gexhë.

Juniku në gjendje të jashtëzakonshme, shtyhet fillimi i gjysmëvjetorit të dytë

1 d. më parë / 6 jan 2026 18:16
junik

Komuna e Junikut ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme për shkak të vërshimeve atje. 

Kjo komunë ka formuar edhe shtabin emergjent. 

Nga komuna është njoftuar po ashtu se fillimi i gjysmëvjetorit të dytë të vitit shkollor 2025/2026 shtyhet deri më 12 janar. 

“Për shkak të kushteve të vështira klimatike, reshjeve të shumta dhe vërshimeve në Komunën e Junikut, Komuna e Junikut ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme dhe ka formuar shtabin emergjent. Në këtë kuadër, fillimi i gjysmëvjetorit të dytë të vitit shkollor 2025/2026 shtyhet deri më 12.01.2026”, thuhet në faqen zyrtare të kësaj komune.

Ditët e humbura të mësimit do të kompensohen, sipas komunës.

Sveçla në Malishevë: Gjendja nën kontroll, janë evakuuar banorët

1 d. më parë / 6 jan 2026 16:48
Malisheve

Photo: Driton Paçarada

Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, ka shkuar në Malishevë prej nga tha se gjendja është nën kontroll dhe se nga zonat më të rrezikuara janë evakuuar banorët.

Malisheva është një prej komunave më të prekura nga vërshimet si pasojë e reshjeve të dendura që nga mbrëmë. Shumë rrugë janë bllokuar nga rritja e nivelit të lumenjve e përroskave. Komuna u ka apeluar qytetarëve që të kenë kujdes dhe të shmangin sa më shumë lëvizjet e panevojshme.

Sveçla përmes një videoje të publikuar nga Malisheva në rrjetin e tij social Facebook, tha se institucionet janë të angazhuara në të gjitha zonat e prekura me qëllim të menaxhimit të situatës.

Peci thotë se situata në Mitrovicë është nën kontroll dhe drejt përmirësimit

1 d. më parë / 6 jan 2026 16:42
Faton Peci

Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka thënë se gjendja në këtë komunë është nën kontroll dhe po shkon drejt përmirësimit pas reshjeve të dendura të shiut që shkaktuan vërshime. 

Peci ka thënë se në të ardhmen çdo projekt i investuar nga Komuna do të planifikohet në mënyrë adekuate. 

“Pas situatës së krijuar nga reshjet e shiut isha në terren për të parë nga afër gjendjen aktuale së bashku me zyrtarë nga Drejtoria për Menaxhimin e Emergjencave. Ne si komunë do të jemi pranë qytetarëve dhe me gjithë mekanizmin në dispozicion pas vlerësimit të situatës nga terreni, po marrim të gjitha masat e nevojshme për intervenim. Në të ardhmen çdo projekt i investuar nga Komuna do të planifikohet në mënyrë adekuate që të minimizohen në maksimum rreziqet e tilla potenciale. Qytetarët të jenë të qetë, gjendja është nën kontroll dhe drejt përmirësimit”, ka shkruar Peci në Facebook. 


 

KEDS-i rikthen në funksion nënstacionin në Drenas, disa trafo-stacione ende të shkyqura

1 d. më parë / 6 jan 2026 16:36
Drenas

Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka njoftuar se nënstacioni 220/10 kV në Drenas është rikthyer në funksion, pas një angazhimi intensiv të ekipeve në terren.

Sipas KEDS-it, nënstacioni kishte qëndruar i shkyçur për rreth katër orë si pasojë e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet. Aktualisht, vetëm katër trafo-stacione 10(20)/0.4 kV vazhdojnë të jenë jashtë funksionit në disa lokalitete, për shkak të akumulimit të madh të ujit dhe rreziqeve për sigurinë, që kanë pamundësuar ndërhyrjen e menjëhershme.

Ekipet e KEDS-it janë ende në terren dhe po punojnë me intensitet të lartë në të gjitha komunat e prekura nga vërshimet, me qëllim rikthimin e plotë të furnizimit me energji elektrike.

KEDS ka shprehur falënderime të veçanta për Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave në kuadër të MPB-së, kryetarin e Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovcin, si dhe për Policinë dhe zjarrfikësit e komunës, për bashkëpunimin dhe përkushtimin e treguar gjatë kësaj periudhe.

Po ashtu, KEDS u ka bërë apel qytetarëve që të respektojnë masat e sigurisë në zonat e përmbytura dhe të raportojnë çdo problem përmes numrave të emergjencës ose linjave zyrtare të kompanisë.

Rama thotë se është intervenuar në mbi 40 raste: Gjendja mbetet nën kontroll

1 d. më parë / 6 jan 2026 16:33
Vershima ne kryeqytet

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se ekipet e kryeqytetit kanë intervenuar në mbi 40 raste si pasojë reshjeve të dendura të shiut dhe se gjendja mbetet nën kontroll. 

Rama ka thënë se situata po monitorohet vazhdimisht dhe ka bërë thirrje për kujdes të shtuar. 

“Në këtë situatë të reshjeve të vazhdueshme në mbarë Kosovën, Kryeqyteti po e menaxhon situatën dhe gjendja mbetet nën kontroll. Ekipet e Kryeqytetit janë vazhdimisht në terren dhe deri tani kanë intervenuar në mbi 40 raste, ndërkohë që situata po monitorohet pa ndërprerje. Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca po koordinon menaxhimin e situatës në bashkëpunim me ekipet komunale dhe shërbimet përkatëse. Ju falënderojmë për bashkëpunimin dhe ju bëjmë thirrje për kujdes të shtuar”, ka shkruar Rama në Facebook. 


 

Shembet rruga në Polluzhë, banorët mbesin pa rrymë e ujë

1 d. më parë / 6 jan 2026 16:29
polluzh

Photo: Kosova Press

Në fshatin Polluzhë të Rahovecit, si pasojë e vërshimeve të mëdha një pjesë e rrugës është shembur dhe është e pakalueshme. Përveç kësaj, banorët e këtij fshati kanë mbetur pa rrymë e ujë, pasi që një shtyllë elektrike është rrëzuar dhe një gyp i ujit është dëmtuar.

Një banor i këtij fshati, Jakup Morina thekson se dëmet janë të konsiderushme nga çarja e rrugës. Sipas tij, për sanimin e ujësjellësit kanë dalë në terren ekipet e Kompanisë Rajonale të Ujit “Gjakova”.

“Prej shiut është shemb rruga, është bërë edhe e pa kalueshme, duhet të intervenohet shpejt me riparua nuk ka rrugë tjetër. Kanë ardhur elektricistët, sepse shtylla e rrymës ka ra poshtë në lum. Edhe uji i pijes gjithashtu është ndërprerë pasi që është dëmtuar gypi. Në vendin e ngjarjes ka dalë ekipi i KRU 'Gjakova' dhe elektricistët”, theksoi ai.

Si pasojë e vërshimeve, edhe në fshatin Çiflak gjendja është e rënduar nga vërshimet./ KosovaPress

Shtyhet fillimi i gjysmëvjetorit të dytë në Malishevë

1 d. më parë / 6 jan 2026 15:29
Vershimet ne Malisheve

Photo: Driton Paçarada

Drejtoria e Arsimit në Komunën e Malishevës ka njoftuar se për shkak të situatës së krijuar pas reshjeve të dendura të shiut, është marrë vendim që të shtyhet fillimi i gjysmëvjetorit të dytë deri më datën 12 janar.

“Duke u bazuar në parashikimet e Institutit Meteorologjik të Kosovës për përkeqësimin e motit dhe gjithashtu bazuar në gjendjen në terren në komunën tonë, e cila po rëndohet për shkak të reshura të shumta të shiut dhe bazuar në vërshimet, të cilat kanë përfshirë pothuajse çdo vendbanim të komunës sonë, ju njoftojmë se fillimi i gjysmë vjetorit të dytë të vitit shkollor 2025/2026 shtyhet deri me datën 12 janar 2026”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Malishevës.

Sipas njoftimit ditët e humbura do të kompensohen gjatë muajve në vijim.

Evokuohen disa familje në Gjakovë

1 d. më parë / 6 jan 2026 14:11
gjakove

Komuna e Gjakovës ka njoftuar se si pasojë e reshjeve të shumta, lumenjtë në territorin e komunës së Gjakovës kanë shkaktuar vërshime. Siç bëhet e ditur, për menaxhimin e situatës tashmë është formuar Shtabi Lokal për Menaxhimin e Krizave, me pjesëmarrjen e të gjitha institucioneve përkatëse.

“Në disa lagje, si Dardania, Brekoci dhe Fshati i Gjelbërt, janë kryer evakuime të familjeve të prekura. Për familjet që kanë nevojë për strehim, komuna po kujdeset duke i akomoduar përkohësisht në banesat sociale.  Zjarrfikësit janë në terren gjatë gjithë kohës duke ndihmuar qytetarët, ndërsa kompania ‘Çabrati’ po merret me pastrimin e urave dhe zonave më problematike. Situata po monitorohet edhe nga Policia e Kosovës, e cila konfirmon se gjendja është nën kontroll dhe fatmirësisht nuk ka dëme në njerëz, por vetëm dëme materiale”, thuhet në njoftim.

Bëhet e ditur se të gjitha ekipet emergjente janë në gjendje gatishmërie.

“24 orët e ardhshme pritet të jenë më të ndjeshme, prandaj apelojmë tek qytetarët: Të jenë të kujdesshëm dhe të shmangin lëvizjet pranë lumenjve.  Të jenë vigjilentë dhe për çdo problem të njoftojnë ekipet emergjente, Policinë apo Zjarrfikësit”, thuhet në njoftim.

Gjendje alarmante edhe në fshatrat e Rahovecit (Foto)

1 d. më parë / 6 jan 2026 13:52
Fortese - Rahovec

Photo: Driton Paçarada

Gjendje e rëndë nga vërshimet është shfaqur edhe në disa fshatra të Komunës së Rahovecit.

Pamjet që ka siguruar KOHA nga fshati Fortesë tregojnë dëmet që kanë pësuar banorët edhe nëpër shtëpitë e tyre.

E në një njoftim të Komunës, është bërë thirrje që banorët e këtij fshati të ndërpresin energjinë nëpër shtëpitë e tyre. “Kjo masë është e nevojshme që, kur të rikthehet energjia elektrike në gjithë fshatin, të mos ketë pasoja në pajisjet elektrike dhe instalimet e brendshme”, thuhet në alarmin e Komunës.

Gjendje e rëndë është raportuar edhe në fshatin Ratkoc.

Komuna e Rahovecit ka themeluar edhe një shtab komunal për emergjencë, që duhet të operojë në çdo kohë dhe t’i koordinojë të gjitha ndërhyrjet për menaxhimin e situatës dhe sigurinë e qytetarëve.

️ 029/278/666 - Zjarrfikësit Rahovec

️ 112 - Numri Unik Emergjent

️ 193 - Njësiti i Zjarrfikjes dhe Shpëtimit

️ 192 - Policia e Kosovës

Fotografitë nga Driton Paçarada/KOHA:

Haradinaj për vërshimet: Urgjencë kombëtare, institucionet t’i shtojnë veprimet

1 d. më parë / 6 jan 2026 13:44
Vershimet

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë thirrje që institucionet të shumëfishojnë përpjekjet për të përballuar gjendjen me vërshime.

Të martën disa komuna janë në gjendje të rënduar nga vërshimet si pasojë e reshjeve të së hënës e që vazhduan edhe sot.

Gjendjen e rënduar, Haradinaj e ka quajtur urgjencë kombëtare.

“Situata e krijuar pas reshjeve të vazhdueshme, që kanë shkaktuar përmbytje në disa zona të Kosovës, është tejet shqetësuese. Në disa vendbanime ka filluar edhe evakuimi i banorëve. Kam kontaktuar me kryetarët e komunave nga Aleanca, për t’u informuar mbi veprimet që po i ndërmerr pushteti lokal në përballimin e kësaj situate të rëndë. Është urgjencë kombëtare që institucionet relevante, si në nivel qendror ashtu edhe lokal, të shumëfishojnë përpjekjet dhe veprimet për përballimin e kësaj gjendjeje”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Gjendje e rënduar në Drenas: Bllokohen rrugët, ndalet rryma dhe evakuohen disa familje

1 d. më parë / 6 jan 2026 11:59
drenas

Komuna e Drenasit ka njoftuar se si pasojë e reshjeve të dendura dhe vërshimeve, përgjatë lumit Drenica, uji ka depërtuar në disa shtëpi dhe biznese, ndërsa disa segmente rrugore janë të pakalueshme.

Tutje njoftohet se disa familje janë evakuuar nga rreziku i vërshimeve, ndërsa rryma elektrike është ndërprerë.

“Rruga nga Drenasi drejt Komoranit, te ‘Trafoja’ është bllokuar, rruga e Feronikelit drejt Kronit të Mbretit është po ashtu e bllokuar. Niveli i lartë i ujit shfaqet edhe në Komoran, Çikatovë të vjetër dhe në lagje të komunës. Kalimi nga qyteti i Drenasit për magjistrale bëhet nëpër Shtrubullovë-Krajkovë-Llapushnik, dhe alternativa tjetër, Drenas-Damanek-Krajkovë-Llapushnik”, thuhet në njoftim.

Komuna ka bërë thirrje që për arsye sigurie, qytetarët që të mos dalin nga shtëpitë pa nevojë dhe të shmangin lëvizjet në zonat e rrezikuara, derisa gjendja të stabilizohet.

“Në këtë situatë të rënduar, falënderojmë personat me automjete private të cilët e ndihmuan përballimin e situatës me ekipet në terren. Ekipet kompetente janë në terren po bëjnë përpjekje për të lehtësuar gjendjen dhe po monitorojnë situatën. Çdo informacion shtesë do të bëhet publik me kohë”, thuhet në njoftim.

Në fotografi – Gjendja e rënduar nga vërshimet në Malishevë

1 d. më parë / 6 jan 2026 11:03
Malisheva

Photo: Driton Paçarada

Malisheva është një prej komunave më të prekura nga vërshimet e fundit. Shumë rrugë janë bllokuar nga rritja e nivelit të lumenjve e përroskave. Komuna u ka apeluar qytetarëve që të kenë kujdes dhe të shmangin sa më shumë lëvizjet e panevojshme.

Zyrtari për media në Komunën e Malishevës, Artan Paçarizi, ka konfirmuar se gjendja është rënduar pas daljes nga shtrati të lumit Mirusha. Ai ka thënë se gjendja megjithatë është e menaxhueshme.

Ekipet emergjente kanë evakuuar në gjashtë raste banorët nga shtëpitë e tyre.

“Në këto momente ka filluar të qetësohet pak situata pasi ka rënë niveli i ujit në lumin Mirusha dhe përroskave që derdhen në lumin Mirusha. Por gjendja është renduar pasi shumica e rrugëve janë të bllokuara nga uji, si pasojë e daljes nga shtrati të lumit Mirusha. Kemi pasur depërtim te ujit edhe në disa shtëpi në qytet, pra ne Malishevë dhe në fshatrat Bubavec, Lladroc dhe disa vende te tjera. Gjendja është bukur e rënduar, por megjithatë është e menaxhueshme. Ekipet emergjente kanë intervenuar në 6 raste për largimin e banorëve nga shtëpitë e tyre. Të gjithë janë sistemuar në vende të sigurta”, ka thënë ai.

Fotoreporteri i KOHËS Driton Paçarada përmes fotografive më poshtë sjell gjendjen në këtë komunë:

KEDS-i ndal rrymën në tri komuna për shkak të reshjeve

1 d. më parë / 6 jan 2026 11:00
keds

Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike ka njoftuar se ka ndërprerë furnizimin me energji elektrike në Drenas, Malishevë dhe Rahovec.

Sipas njoftimit të publikuar në Facebook nga KEDS-i bëhet e ditur se si pasojë e reshjeve të dendura të shiut dhe rrezikut të krijuar në nënstacionin Drenas 220/10 kV, është ndërmarrë masa për ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike në zonën e Drenasit, për arsye sigurie.

Uji, ka njoftuar KEDS-i, ka depërtuar në nënstacion, duke paraqitur rrezik serioz për funksionimin e sigurt të rrjetit elektrik.

“Autoritetet përkatëse, përfshirë Policinë dhe Zjarrfikësit, janë njoftuar dhe janë në koordinim të vazhdueshëm. KEDS njofton se gjendja është jo stabile edhe në Komunat e Malishevës dhe Rahovecit, për shkak të vërshimeve, ku për arsye sigurie është bërë ndalja e furnizimit me energji elektrike deri në stabilizimin e situatës. Ekipet e KEDS janë në terren dhe po punojnë intensivisht për menaxhimin e situatës dhe rikthimin e furnizimit sapo të krijohen kushte të sigurta”, thuhet në njoftim.

IKPSHK-ja me tri rekomandime për shëndetin pas reshjeve

1 d. më parë / 6 jan 2026 10:48
uji

Foto: Ilustrim

Pas reshjeve të shtuara të shiut, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka apeluar qytetarët për kujdes të shtuar për sigurinë dhe shëndetin.

IKSHPK-ja ka rekomanduar që qytetarët që furnizohen me ujë nga bunarët e pambrojtur të vlojnë ujin para përdorimit ose të shfrytëzojnë burime alternative për furnizim me ujë të sigurt.

Është rekomanduar po ashtu që ushqimi të ruhet në vende të sigurta dhe të mos konsumohet ushqimi që ka qenë në kontakt me ujin e shiut.

Grupet më të ndjeshme, përfshirë fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike, rekomandohet të shmangin lëvizjet e panevojshme.