Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ulutash: KFOR-i mbetet i përkushtuar për mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët

kfor

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Ozkan Ulutash, ka zhvilluar një takim me ambasadorët e vendeve të QUINT-it, si dhe me përfaqësues të Turqisë dhe të Bashkimit Evropian në Kosovë.

Gjatë takimit, gjeneralmajori Ulutash paraqiti vlerësimin e tij për situatën e sigurisë në rajon dhe ritheksoi “përkushtimin e KFOR-it për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët e Kosovës”.

“Në këtë kontekst, komandanti i KFOR-it vlerësoi kontributin e kahershëm të të gjithë pjesëmarrësve në mbështetje të misionit të KFOR-it”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

E, të premten, në ditën kur para 27 vjetësh NATO kishte hyrë në Kosovë duke nisur misionin e KFOR-it, është njoftuar se ajo planifikon të zvogëlojë numrin e ushtarëve në këtë mision. Komandanti i NATO-s për Evropën, gjenerali amerikan Alexus Grynkewich, ka njoftuar se do të bëhet një “optimizim“ i pranisë së NATO-s në Kosovë si rezultat i përmirësimit të vazhdueshëm të situatës së sigurisë në kohët e fundit dhe marrjes së më shumë përgjegjësive nga institucionet vendore të sigurisë.

“NATO dhe KFOR-i janë tërësisht të përkushtuar për sigurinë në Kosovë. Pikërisht falë këtij përkushtimi është përmirësuar situata e sigurisë në Kosovë pasi organizatat e sigurisë në Kosovë kanë rritur kapacitetet e tyre. Kushtet ekzistuese krijojnë mundësi për optimizimin e madhësisë dhe pranisë së KFOR-it më tej“, ka thënë ky komandant i NATO-s.

Sipas të dhënave të fundit nga muaji prill misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO-ja në Kosovë ka 4657 persona nga 31 shtete, jo të gjitha anëtare të NATO-s. Më së shumti ushtarë ka nga Italia 907, pasuar me  590 nga Amerika, 408 nga Hungaria, 382 nga Turqia dhe 308 nga Gjermania.

Edhe Komandanti i KFOR-it takohet me përfaqësues diplomatikë për sigurinë Arbëri 7 muaj më parë Komandanti i KFOR-it takohet me përfaqësues diplomatikë për sigurinë

Në selinë e NATO-s në Bruksel kanë thënë vazhdimisht se NATO-ja në Kosovë do të ketë gjithmonë numër të duhur të ushtarëve që kërkon situata në mënyrë që të jetë në gjendje të zbatojë mandatin e saj.

NATO - ja ishte vendosur në Kosovë pikërisht me 12 qershor të vitit 1999 pas një fushate ajrore kundër forcave Serbe të Sllobodan Milosheviqit dhe kjo ndërhyrje, krahas luftës në terren të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shënoj edhe fundin e luftës dhe çlirimin e Kosovës.