Arbëri

Vendimet gjyqësore e përmbarimore “shterin” buxhetet e komunave

Mbi 86 milionë euro kanë shpenzuar 38 komunat vitin e kaluar për pagesa të vendimeve gjyqësore e përmbarimore. Prej tyre, mbi 10 milionë euro i shpenzoi vetëm Komuna e Prishtinës. Këto janë pagesa që lidhen kryesisht me obligimet e dala nga kontrata kolektive, e të cilat nuk janë buxhetuar në kategori të pagave

Më shumë se 160 milionë euro i shpenzuan 38 komunat e Kosovës gjatë tre vjetëve të fundit për vendime gjyqësore e përmbarimore.  

Vetëm vitin e shkuar, për këtë destinim u shpenzuan mbi 86 milionë euro. Pagesat lidhen kryesisht me obligimet e dala nga kontrata kolektive, e të cilat nuk janë buxhetuar në kategori të pagave.

Për këtë problematikë që “gëlltitë” buxhetin komunave, koordinatori i programeve në Institutin për Qeverisje Lokale, Sadri Rrmoku, ka thënë se kërkohet vëmendje nga të dy nivelet e qeverisjes.

“Deri më tani po shohim se nuk ekziston një vullnet i tillë për t’i ndaluar këto shpenzime.... Për t’i ndaluar këto mendoj që duhet edhe niveli qendror, edhe niveli lokal të ulën dhe t’i koordinojnë aktivitetet e tyre për ta fituar një lloj mirëbesimi edhe te personat që po ngrenë padi dhe nëpërmjet të cilit po fitojnë të drejtat e tyre që dalin nga kontrata kolektive”, ka thënë Rrmoku.

Bazuar në Raportin financiar për vitin 2024, Komuna e Prishtinës shpenzoi më së shumti mjete për vendime gjyqësore. Vjet ajo pagoi mbi 10 milionë euro, afro 6 milionë më shumë se më 2023.

Pas Prishtinës, më së shumti shpenzuan Komuna e Pejës dhe ajo e Gjilanit – me nga 7 milionë euro, teksa mbi 5.5 milionë i pagoi ajo e Prizrenit.

E këto pagesa, Rrmoku ka thënë se prodhojnë pasoja për projektet kapitale të komunave.

“Për kryeqytetin 10 milionë euro mund të ketë një efekt, por jo edhe aq të madh llogarite në një komunë të vogël që kemi pasur raste, ku mbi 80 për qind të kategorisë së investimeve kapitale i ka marrë përmbaruesi, që mund të ketë një kolaps në kuptimin e zhvillimit dhe implementimit të projekteve kapitale brenda për brenda komunës”, ka deklaruar ai.

Rreth 40 milionë euro vjet u shpenzuan edhe për vendime gjyqësore të nivelit qendror. Kjo shumë është gati trefish më e lartë se më 2023, kur u paguan mbi 11 milionë euro.

Mosekzekutimi me kohë i vendimeve të gjykatave ka shkaktuar dëm në buxhetin e shtetit. Përveç shpenzimeve të interesit që institucionet detyrohen t’i paguajnë, komunat janë ankuar edhe për pamundësi të realizimit të projekteve të planifikuara dhe për rrezikim të projekteve të reja.

Raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2023, që u publikua në gusht të 2024-tës, tregon se organizatat buxhetore ballafaqohen me mungesë fondesh për kryerjen e detyrimeve ndaj operatorëve ekonomikë dhe debitorëve të tjerë.

“Moskryerja e detyrimeve me kohë nga ana e organizatave buxhetore ka rezultuar me kosto shtesë për buxhetin e shtetit për shkak të kostove të procedurave gjyqësore (përmbarimore) dhe shpenzimeve të interesit. Marrë parasysh faktin se një pjesë të madhe të këtyre shpenzimeve e përbëjnë investimet kapitale, rezulton që shumë projekte kanë mbetur pa u realizuar duke qenë se fondet janë ridestinuar për t’u paguar këto detyrime”, thuhet në këtë raport.

Një raport i Institutit GAP specifikon se ndikim në vlerën e lartë të pagesave për vendime gjyqësore e përmbarimore del të ketë edhe prezantimi jo i duhur nga përfaqësuesit ligjorë të institucioneve publike. Aty thuhet se në disa raste, këta përfaqësues të caktuar nga Avokatura Shtetërore nuk morën fare pjesë në seanca gjyqësore, duke mos e mbrojtur interesin e institucioneve publike.