Ka vdekur në moshën 81-vjeçare ish-kryeparlamentari i Kosovës, Nexhat Daci.

Nexhat Daci ishte kimist, profesor universiteti, akademik. Lindi më 26 korrik 1944 në Tërnoc të Bujanocit. Shkollimin e kreu në vendlindje dhe Leskovc (1960). Studimet e rregullta për kimi i kreu në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetit të Beogradit (1966), ku mbaron edhe studimet pasuniversitare (1968). Një kurs pasuniversitar e kreu në Liezh, Belgjikë (1970).

Tezën e disertacionit të Doktoratës e mbrojti në Universitetin e Zagrebit (1973). Studimet e pasdoktoratës i vazhdoi në Angli, në Universitetin e Bradfordit (1974). Në vitin 1966 u zgjodh asistent në degën e kimisë të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, pastaj ligjërues, profesor inordinar dhe në vitin 1984 mori titullin profesor ordinar. Ka bërë shumë udhëtime studimore në vende të ndryshme të botës. Ishte anëtar i disa institucioneve dhe asociacioneve ndërkombëtare, ndër të cilat edhe i Shoqatës Kimistëve Amerikanë (1985), i Akademisë Europiane për Çështje të Mjedisit në Tubingen, në Gjermani dhe Londër (1987).

 Në vitin 1994 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa në vitin 1996 anëtar i rregullt, dhe më pas u bë sekretar i përgjithshëm dhe kryetar i saj (1999–2002). Në vitin 2014 u zgjodh anëtar i Akademisë Europiane të Shkencave dhe të Arteve (ALLEA) me seli në Salcburg. Anëtar i përhershëm i komitetit të ALLEAS për projekte shkencore u zgjodh në vitin 2015. Daci ka qenë aktiv në jetën politike dhe institucionale të Kosovës: në periudhën 2001–2011 u zgjodh deputet i Parlamentit të Kosovës dhe në vitet 2001–2006 ishte kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Në vitin 2007 themeloi Lidhjen Demokratike të Dardanisë dhe u bë kryetar i saj.

Veprimtaria e tij shkencore përmban punime shkencore të publikuara në revista të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, projekte shkencore, elaborate, kumtesa, tekste universitare etj. Veçohen punimet shkencore mbi strukturën e substancës organike të qymyrit të Kosovës, pastaj të përbërësve inorganikë të qymyrit, të analizave të ndryshme të hirit nga termocentralet dhe punime shkencore nga fusha e mbrojtjes së mjedisit, veçmas të ujërave të liqeneve akumuluese dhe të disa lumenjve të Kosovës. Ishte bartës ose pjesëmarrës në shumë projekte shkencore nga fusha e mbrojtjes së mjedisit. Udhëhoqi projektin shkencor të ASHAK-ut “Identifikimi i ndotësve të efluentëve të ujërave urbane dhe të industrisë dhe trajtimi i tyre” (2012–2014) dhe projektin për kadastrin e këtyre ndotësve e trajtimin e tyre. Ishte autor i teksteve universitare dhe monografive (“Kimia organike”, “Struktura e substancave organike të qymyrit të Kosovës”), si dhe bashkautor i një studimi në botimin “Kimia për mbrojtjen e mjedisit” (Elsevier, Amsterdam, Nju-Jork, Oksford, 1987). Ishte bashkautor i studimit monografikIshte bashkautor i studimit monografik “Shkenca e mjedisit – zhvillim i qëndrueshëm” dhe autor dhe bashkautor i teksteve shkollore dhe universitare. Ishte bartës i shumë çmimeve dhe mirënjohjeve për veprimtari arsimore dhe shkencore. 


Akademia e Shkencave reagon për vdekjen e Dacit

Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës ka njoftuar për vdekjen e ish-kryekuvendarit dhe akademikut, Nexhat Daci.

“Me dhembje dhe pikëllim të thellë njoftojmë se sot më 1 janar 2026 ndërroi jetë akademik Nexhat Daci, ish-kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, profesor shumëvjeçar në degën e kimisë të Fakultetit Filozofik, respektivisht të Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetit të Prishtinës”, thuhet në njoftim.

ASHAK-u tutje ka shkruar për jetën dhe veprën e Dacit, ndërkaq ka njoftuar se për detajet rreth organizimit të ceremonisë mortore, do të dalin me njoftim.

Akademik Nexhat Daci lindi më 26 korrik 1944 në Tërnoc të komunës së Bujanocit, ku mbaroi edhe shkollimin fillor, ndërsa shkollën e mesme e kreu në Leskoc. Studimet un universitare i kreu në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetit të Beogradit (1962-1966), ku u diplomua në degën e kimisë në qershor të vitit 1966. Më pas, po në degën e kimisë të Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetit të Beogradit mbaroi studimet pasuniversitare (1966-1968), teksa dy vjet më vonë (1970) ndoqi studime pasuniversitare edhe në Ljèges të Belgjikës. Më 1973 në Universitetin e Zagrebit mbrojti tezën e disertacionit të doktoratës “Kontribut për përcaktimin e strukturës kimike të substancës organike të thëngjillit të Kosovës”. Studimet pasdoktorale i vazhdoi në vitin 1974 në Universitetin e Bradfordit të Britanisë së Madhe. Pas përfundimit të studimeve të rregullta dhe të magjistraturës, në vitin 1968 u zgjodh asistent në Katedrën e Kimisë të Fakultetit Filozofik të Prishtinës. Karrierën universitare e vazhdoi duke u zgjedhur ligjërues më 1971, profesor inordinar më 1974 dhe profesor ordinar më 1984, tituj që i mori në Universitetin e Prishtinës, teksa bëri udhëtime studimi në Çeki (Bërno), Shqipëri dhe Britani (Bradford, Oksford, Londër dhe Aberdin). Përveç në tubime shkencore vendore, ka marrë pjesë në shumë konferenca shkencore ndërkombëtare, si në SHBA, Britani, Gjermani, Itali, Turqi, Hungari, Slloveni, Kroaci, Serbi, Shqipëri dhe Kosovë. Më 1985 u bë anëtar i Shoqatës Amerikane të Kimistëve, ndërsa më 1987 anëtar i Akademisë Europiane për Mjedisin me seli në Tybingen të Gjermanisë. Në vitin 1993 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa në vitin 1996 u bë anëtar i rregullt i saj. Ishte anëtar i Akademisë Europiane të Shkencave dhe të arteve që nga viti 2014. Përveç karrierës universitare, akademik Nexhat Daci ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës në periudhën 2001-2011, si dhe ka ushtruar funksionin e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës në periudhat 2000-2004 dhe 2004-2006. Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës ishte në dy mandate: 1999-2004 dhe 2018-2019”, thuhet në njoftimin e ASHAK-ut.

Osmani: Nga akademia te shteti, Daci la gjurmë të thella

54 min. më parë / 1 jan 2026 12:22
Vjosa Osmani

Foto: Arkiv

Photo: Driton Paçarada

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se me pikëllim ka marrë lajmin për vdekjen e ish-kryeparlamentarit, Nexhat Daci.

Në një postim në Facebook, ajo ka shkruar se Daci ishte një personalitet i rrallë, i cili bashkoi dijen shkencore, përkushtimin akademik dhe angazhimin institucional, duke lënë gjurmë të pashlyeshme si Kryetar i Kuvendit, deputet, akademik dhe udhëheqës i institucioneve shkencore të vendit

“Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të ish-Kryeparlamentarit të Republikës së Kosovës, akademikut dhe profesorit të nderuar, Nexhat Daci. Në vitet më të rënda për popullin e Kosovës, veçanërisht gjatë viteve të nëntëdhjeta, Akademik Nexhat Daci u angazhua fuqishëm në shërbim të kauzës për liri dhe pavarësi, si bashkëpunëtor i afërt i Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova. Me dije, maturi dhe vizion, ai dha një kontribut të çmuar në vendosjen e themeleve të forta të shtetit të Kosovës”, ka shkruar ajo.

Osmani ka thënë se kontributi i tij shumëdimensional në ndërtimin e shtetit, në zhvillimin e arsimit të lartë dhe në avancimin e shkencës do të mbetet pjesë e rëndësishme e historisë institucionale dhe intelektuale të vendit.

“Në këto çaste të rënda, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Daci, miqtë, bashkëpunëtorët dhe të gjithë ata që patën fatin ta njohin dhe të punojnë me të. I përhershëm qoftë kujtimi për Akademik Nexhat Dacin”, ka shkruar tutje Osmani në Facebook.

Basha: Daci la gjurmë të pashlyeshme në historinë e demokracisë parlamentare të Kosovës

1 o. më parë / 1 jan 2026 12:00
Dimal Basha

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, ka reaguar pas vdekjes së  ish-kryeparlamentarit, Nexhat Daci.

Ai ka thënë se gjatë shërbimit të tij në krye të Kuvendit, Daci la gjurmë të pashlyeshme në historinë e demokracisë parlamentare të Kosovës.

Ka shkruar se trashëgimia e tij politike mbetet pjesë e historisë dhe përpjekjeve për shtetndërtim.

“Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të ish-Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, akademik Nexhat Daci, një figurë të shquar të jetës politike dhe publike të vendit tonë. Në emrin tim personal dhe në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Daci, miqve, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të tij. Gjatë viteve të shërbimit të tij në krye të Kuvendit të Kosovës, ai la gjurmë të pashlyeshme në historinë e demokracisë parlamentare të vendit tonë. Me vizion, maturi dhe përkushtim, z. Daci kontribuoi në ndërtimin e institucioneve demokratike, në forcimin e Kuvendit si zë i qytetarëve dhe në avancimin e proceseve politike në prag të shtetësisë së Kosovës. Trashëgimia e tij politike mbetet pjesë e historisë së Kuvendit dhe e përpjekjeve tona për shtetndërtim”, ka shkruar ai.