Arbëri

U.d. i kryeprokurorit Qalaj pjesë e mbledhjes së KPK-së, 4 anëtarë lëshojnë sallën

Agron Qalaj

Agron Qalaj

Foto: Driton Paçarada

Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit, Agron Qalaj, po merr pjesë në takimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK).  

Qalaj është zgjedhur ushtrues detyre i kryeprokurorit me pesë nga 10 votat e anëtarëve. 

Ai tha se do të marrë pjesë dhe do ta respektojë cilindo vendim të gjykatës lidhur me ankesën e ish-u.d kryeprokurorit Besim Kelmendi, i cili ka kontestuar vendimin për shkarkimin e tij.  

Tha po ashtu se nuk do të votojë e as nuk do të përfshihet në diskutime.

Anëtari Veton Shabani ka kërkuar që Qalaj ta lëshojë mbledhjen meqë Besim Kelmendi është ankuar edhe në Gjykatën Supreme, e edhe në Gjykatën Themelore në Prishtinë. 

Ai theksoi se ankesa në Supreme ka efekt pezullues të vendimit për shkarkimin e Kelmendit.

Anëtari Visar Krasniqi ka thënë se nëse mund të shkojnë me arbitraritet, siç është shprehur, si herën e kaluar, atëherë propozon shkarkimin e kryesuesit Ardian Hajdaraj nga pozita e tij si anëtar.

Pas kësaj, Krasniqi e edhe prokurori Shabani, e kanë lëshuar mbledhjen.

Ps tyre edhe anëtarët Arian Gashi dhe Dardan Vuniqi kanë dalë nga salla.

Vuniqi tha se vazhdimisht i rrëzon studentët nga provimi nëse ata nuk e dinë se çfarë është efekti suspensiv. Në këtë rast tha se nuk ka se si të dalë para tyre nëse vazhdon të qëndrojë në mbledhje. Ai theksoi se ankesa që Besim Kelmendi e ka dorëzuar në Supreme e pezullon vendimin për shkarkimim e tij. Këtë e tha edhe anëtari Arian Gashi, i cili insistoi që ta dijë nëse do vazhdojë mbledhja me prezencën e Agron Qalajt. Pas konfirmimit se ajo vazhdon, ai doli nga mbledhja.

Para se të lëshonte sallën Gashi tha se Qalaj, me praninë e tij në mbledhje të Këshillit, po krijon kuorum të kundërligjshëm.

Me gjashtë anëtarë prezentë, përfshirë Agron Qalajn, mbledhja ka vazhduar.

Pas kësaj janë dhënë 10 minuta pauzë për ta diskutuar siç është thënë, propozimin e Visar Krasniqit për shkarkim të kryesuesit Ardian Hajdaraj.

Zëvendëskryesuesja e KPK-së, Jehona Grantolli, i ka fajësuar katër anëtarët për bllokim dhe sabotim.

Grantolli tha po ashtu se me mungesat që po i bëjnë anëtarët, po e shkelin ligjin për KPK-në meqë dy mungesa të paarsyetuara radhazi, sipas saj, janë bazë e humbje të mandatit të anëtarëve.

Ndërkohë propozimet e tyre që Qalaj të largohet nga mbledhja i kundërshtoi vazhdimisht kryesuesi Ardian Hajdaraj.

Pas këtyre diskutimeve anëtari i KPK-së nga radhët e shoqërisë civile, Visar Krasniqi, është rikthyer në sallë. Ai ka theksuar se deklarata e tij është nxjerrë nga konteksti. Ka deklaroi se nuk mund të bëhet me këtë procedurë as shkarkimi i kryesuesit. 

"Nuk jam pranë propozimit për shkarkim sepse nuk e ka asnjë efekt'", ka theksuar ai.

Anëtari i KPK-së, Visar Krasniqi duke e lëshuar mbledhjen. Foto: Driton Paçarada /KOHA
Anëtari i KPK-së, Veton Shabani duke e lëshuar mbledhjen. Foto: Driton Paçarada /KOHA
Anëtari i KPK-së, Veton Shabani duke e lëshuar mbledhjen. Foto: Driton Paçarada /KOHA
Anëtari i KPK-së, Visar Krasniqi duke e lëshuar mbledhjen. Foto: Driton Paçarada /KOHA
Anëtari i KPK-së, Dardan Vuniqi duke e lëshuar mbledhjen. Foto: Driton Paçarada /KOHA

 

VIDEO: