Nën brohoritmat “UÇK”, “Liri për çlirimtarët”, mijëra qytetarë u mblodhën në Strasburg të Francës, para Këshillit të Evropës për të kërkuar drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët ndodhen në Hagë.
Kreu i OVL UÇK-së, Hysni Gucati tha se Haga ka dalë nga “shtrati” i vet, duke marrë dëshmitarë të fabrikuar nga Serbia dhe duke dëshmuar kundër Thaçit e të tjerëve.
“Po protestojmë para asamblesë së Parlamentit të Evropës, ku në këtë parlament është bë një rezolutë e padrejtë e shqiptarëve dhe ish pjesëtarëve të UÇK-së. UÇK-ja nuk njolloset, ajo ka qenë organizatë çlirimtare, e cila e çliroi Kosovën nga hordhitë serbo-çetnike dhe ne sot kemi ardhur këtu para këtij Parlamenti t’i themi stop padrejtësisë, e cila po bëhet në Hagë. Haga ka devijuar nga shtrati i vet, duke marrë dëshmitarë të fabrikuar që i dërgon të dëshmojnë kundër krerëve të UÇK-së. Në atë gjykatë nuk dënohen vetëm krerët, por i gjithë kombi shqiptar”, tha Gucati.
Ndërsa njëri nga organizatorët e kësaj proteste, Ervin Muja nga Anglia, tha se ish-krerët e UÇK-së po gjykohen për kauzën e lirisë së vendit e popullit të Kosovës.
“Ata janë një viktimë e një padrejtësie të re, janë në burg jo për krime, po për kauzën e lirisë sonë. Jemi këtu për t’i thënë jo kësaj padrejtësie të madhe, jemi këtu për t’i treguar botës, se kombi nuk vdes kur ka një kujtesë. Sot të gjithë jemi të bashkuar dhe kur shqiptarë bashkohen nuk ka gjykatë që na thyen”, tha Muja.
Përfaqësuesi i veteranëve në diasporë, Fatmir Koci tha se drejtësia duhet të jetë pa paragjykim e pa agjenda të fshehta.
“Drejtësia nuk mund të jetë e njëanshme, nuk mund të jetë selektive, nuk mund të përdoret si mjet politik. Ne besojmë në të vërtetën, në të drejtat e njeriut, besojmë se dinjiteti i një populli nuk mund të shtypet në korridore të mbyllura. Drejtësia duhet të jetë e njëjtë për të gjithë, pa paragjykim, pa qëllime të fshehta. Çlirimtarët tanë janë vetë historia e Kosovës”, tha Koci.
Përveç protestës dhe kërkimit të drejtësisë, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, njoftoi e publikoi edhe letrën që tha se ia dorëzoi anëtarëve të Asamble së Këshillit të Evropës në të cilën shprehet shqetësimi për këtë proces.
Protesta në Strasburg të Francës, u mbajt pas asaj në Prishtinë, Hagë e Tiranë, me anë të së cilave kërkohet drejtësi për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë dhe tash e pesë vite ndodhen në paraburgim atje.