Ndërtimi i objektit të ri të Klinikës Emergjente i nisur në vitin 2015 ende nuk ka përfunduar shkaku i procedurave të prokurimit. Vazhdim i punimeve është pezulluar pas tri ankesave të dorëzuara në Organin Shqyrtues të Prokurimit, ku operatorët pjesëmarrës pretendojnë favorizim të grupit të operatorëve fitues.
I nisur para 11 vjetësh ndërtimi i objektit të ri të Emergjencës në QKUK ende nuk ka përfunduar.
E tenderi për vazhdimin e punimeve është bllokuar nga tri ankesa në Organin Shqyrtues të Prokurimit.
Ministria e Shëndetësisë e kishte hapur procedurën e prokurimit në tetor të vitit të kaluar për të vazhduar ndërtimin e këtij objekti, ku që nga viti 2019 janë realizuar vetëm punimet e vrazhda.
Objekti fillimisht ishte planifikuar të përfundohej brenda tre vjetësh me kosto rreth 8 milionë euro, por sipas dosjes së tenderit të ri, vlera e përgjithshme e projektit pritet të arrijë në afro 21 milionë euro.
Në dosjen është specifikuar se grupi i operatorëve ekonomikë (GOE) duhet të dëshmojnë se kanë realizuar me sukses projekte të ngjashme me vlerë të madhe.
Por në ankesën e dorëzuar, grupi i operatorëve ankues “NIKA PRO, ING, AKTIV, ANION MEP CONTRACTING” thotë se GOE i rekomanduar për kontratë nuk e ka përmbushur këtë kriter.
“Operatori Ekonomik i rekomanduar nuk ka arritur të përmbushë këtë kërkesë të dosjes së tenderit, pasi që, edhe pas dorëzimit të sqarimeve të kërkuara nga Autoriteti Kontraktues, ka paraqitur vetëm paramasë të punëve të kryera, të cilat nuk plotësojnë kriteret për projekte spitalore me punime të lidhura me X-ray, gaz medicinal, ventilim, klimatizim dhe dyer X-ray automatike. Për rrjedhojë konsiderojmë se GOE i rekomanduar nuk plotëson kriteret e përcaktuara në kërkesën 2, duke mos përmbushur objektivin teknik dhe profesion të procedurës së prokurimit”, thuhet në ankesën.
Në Ministrinë e Shëndetësisë janë arsyetuar duke theksuar se bëhet fjalë për një keqkuptim nga palët e tjera.
“Ka qenë një keqkuptim edhe nga palët e tjera për këtë pikë, konkretisht termi “kontratë me vlerë te madhe” dhe “projekt me vlere te madhe”, kriteri ne tender ka qene për projekt spitalor e jo kontrate. Kontrata me vlere te madhe kategorizohet sipas LPP-se e barabarte ose mbi 500,00 euro, ndërsa Projektin me vlere te madhe e përcakton autori i projektit-projektuesi dhe vlera e këtij projekti nga projektuesi ka qene 750,000.00 €. Sidoqoftë edhe ky është pretendim ankimor ne OSHP dhe pritet shqyrtimi nga ana e OSHP-se, andaj ne këtë faze ne nuk mund te komentojmë me shume rreth këtij pretendimi ankimor...”, thuhet nga Ministria e Shëndetësisë.
E grupi tjetër ankues i OE “ACELER INSAAT” pretendon se kërkesa për sqarim nga MSH-ja është refuzuar si jashtë afatit.
Sipas tyre, edhe një operator tjetër, po ashtu jashtë afateve, është lejuar.
“Nëse një operator penalizohet për vonesë (jashtë afatit), atëherë i njëjti standard duhet të zbatohet për të gjithë operatorët, pa përjashtim. Lejimi për disa operatorit që të modifikojë ofertën pas afatit, ndërkohë që operatorëve të tjerë u refuzohet çdo e drejtë procedurale për të njëjtin shkak, krijon dyshime serioze për favorizim të qëllimshëm të operatorit fitues. Prandaj, që në fazën e përgatitjes së dosjes së tenderit, janë shfaqur indikacionet se ku do të shkojë kontrata”, thuhet nga “ACELER INSAAT”.
Në MSH i kanë mohuar këto akuza ndërsa kanë theksuar se operatorët e eliminuar kanë pasur mangësi të shumta.
“Ofertat e eliminuara kanë shumë arsye për eliminim të tyre, andaj edhe komisioni vlerësues nuk e ka parë të nevojshme të kërkojë sqarime për ofertat të cilët janë konstatuar të papërgjegjshëm dhe me mangësi të shumta të cilat nuk mund të mbulohen me sqarime shtesë”, u tha nga MSH-ja.
Klinika e re Emergjente është paraparë të ketë një sipërfaqe bruto prej 17.359 metrash katrorë, 20 salla operacionesh të kategorive të ndryshme dhe shërbime të tjera që lidhen me kujdesin shëndetësor emergjent.
Në objektin e Emergjencës, ndërtimi i së cilës ka filluar në vitin 2015, është paraparë edhe një pistë për aterim helikopterësh.