Seanca ndaj tre të akuzuarve në rastin e sulmit terrorist në Banjskë që është paraparë të zhvillohej të hënën ka dështuar, ka njoftuar Gjykata Themelore në Prishtinë.
Arsyeja e anulimit është se Gjykata e Shkupit ka njoftuar se nuk është e mundur të realizohet lidhja me video e konferencës për sot, pasi pajisjet nuk janë funksionale për dëgjimin e dëshmitarit të paraparë.
“Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar se është anuluar seanca së shqyrtimit gjyqësor në çështjen penale ndaj të akuzuarve B.S, D.M. dhe V.T. , pasi përmes emailit zyrtar nga Ministria e Drejtësisë së Republikës së Kosovës është njoftuar se Autoritet e Maqedonisë së Veriut, gjegjësisht Gjykata e Shkupit ka njoftuar se nuk kanë mundësi që të bëjnë lidhjen me video konferencë për datën 27 tetor 2025, pasi pajisjet nuk janë funksionale për dëgjimin e dëshmitarit të paraparë”, thuhet në njoftim.
Gjykata ka bërë të ditur se lidhur me caktimin e datave të radhës në këtë çështje penale, palët do të njoftohen paraprakisht, përmes ftesave.
Në seancën e kaluar është paralajmëruar se do të dëgjohet një dëshmitar nga Maqedonia e Veriut, i cili do të dëshmojë përmes videolidhjes shkaku që këtë ia mundëson bashkëpunimi gjyqësor.
Tre të akuzuarit për sulmin në Banjskë sërish sot para trupit gjykues
Seanca ndaj tre të akuzuarve në rastin e sulmit terrorist në Banjskë, do të vazhdojë të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Në këtë seancë është e paraparë të dëshmojë Goran Tanevski, shtetasi i Maqedonisë së Veriut që ishte në pushim me familjen e afërt të tij në hotelin Rajska Banja në Banjskë kur pjesëtarët e grupit të armatosur kryen sulmin terrorist. Dëshminë e tij në seancën e kaluar e ka paralajmëruar kryetari i trupit gjykues, i cili ka thënë se shtetasi i Maqedonisë do të dëshmojë përmes video-lidhjes, që realizohet bashkëpunim gjyqësor.
Duke u gjykuar për kryerje të veprës terroriste për sulmin, ku u vra polici Afrim Bunjaku, janë tre të akuzuarit: Bllagoje Spasojeviq, Vlladimir Tolliq dhe Dushan Maksimoviq.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim, me të cilin ka refuzuar propozimin që gjykimi për 42 të akuzuarit e tjerë (41 persona fizikë dhe një person juridik) të akuzuar për sulmin terrorist në “Banjskë” të vazhdojë në mungesë.
Në aktakuzë thuhet se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë të akuzuarit kanë tentuar ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Kosovës dhe t’ia bashkojnë Serbisë.