Arbëri

Trajkoviq beson se Trumpi do t’i marrë në dorë negociatat Kosovë – Serbi

Rada Trajkoviq

Politikania serbe Rada Trajkoviq ka thënë se presidenti amerikan Donald Trump do t’i marrë në dorë negociatat mes Kosovës dhe Serbisë dhe po ashtu në Bosnje.

Sipas saj, Bashkimit Evropian nuk ka autoritetin për të vazhduar negociatat prandaj Trumpi pritet ta përcaktojë ritmin e negociatave.

“Fatkeqësisht, BE-ja nuk ka forcën ose autoritetin për të vazhduar negociatat. Dhe presidenti Trump nuk e ka zakon ta ‘ndjekë’ BE-në gjithsesi, por dëshiron të marrë drejtimin dhe të përcaktojë ritmin e negociatave. Unë besoj se ai me siguri do të fillojë bisedimet për Bosnjën dhe Kosovën”, ka thënë ajo në një intervistë për “Danasin”.

Trajkoviq u shpreh se Trumpi tashmë e ka lënë një bazë të rëndësishme me Marrëveshjen e Washingtonit, e cila përfshinte dy elemente kyçe, “statusin e serbëve dhe të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, si dhe normalizimin ekonomik, përfshirë bashkëmenaxhimin e burimeve strategjike si Gazivoda dhe Trepça”.

Ajo vlerësoi përpjekjet e administratës Trump për t’i afruar Prishtinën dhe Beogradin përmes projekteve konkrete – si transporti ajror e hekurudhor – dhe për të ndërtuar bashkëpunim ekonomik, pa e vendosur theksin në kufijtë kombëtarë.

Ajo hodhi poshtë pretendimet e presidentes Vjosa Osmani për përgatitje serioze ushtarake të Serbisë për konflikt me Kosovën në vitin 2025, duke thënë se deri më tani asnjë institucion ndërkombëtar – as NATO, KFOR, BE apo Departamenti Amerikan i Shtetit – nuk ka ofruar dëshmi që mbështesin një pretendim të tillë.

Sipas saj, Ushtria e Serbisë ka marrëdhënie të mira me NATO-n dhe KFOR-in dhe është e pamundur që të ndërmarrë veprime pa një “dritë të gjelbër” nga ndonjë aktor ndërkombëtar. Ajo shton se nëse ndonjë plan i tillë ekziston, ai do të ishte rezultat i një marrëveshjeje jo-transparente, në të cilën nuk beson.