Arbëri

Tërnava dënon djegien e Kuranit në Gjakovë, kërkon veprime nga institucionet

Pamje nga djegia e Kuranit në Gjakovë

Pamje nga djegia e Kuranit në Gjakovë

Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, ka reaguar ashpër pas djegies dhe përdhosjes së librit të shenjtë të myslimanëve, Kuranit, në lagjen Çabrat të Gjakovës, duke e cilësuar këtë akt si vandal, kriminal dhe një sulm të drejtpërdrejtë ndaj vlerave humane, harmonisë ndërfetare dhe identitetit të popullit shqiptar.

Në një deklaratë të martën, myftiu Tërnava ka thënë se ky veprim është kryer “me porosi dhe mision të qartë kriminal” nga persona ende të panjohur.

Sipas Tërnavës, një veprim i tillë është plotësisht i papranueshëm, pasi cenon rëndë vlerat universale të qytetërimit botëror dhe godet drejtpërdrejt parimet, traditën dhe identitetin e popullit shqiptar.

Ai ka rikujtuar se shqiptarët historikisht janë identifikuar për harmoni, bashkëjetesë dhe mirëkuptim ndërfetar, si dhe për respektimin e besimit, kulturës dhe traditës së tjetrit, veçanërisht në çështjet që lidhen me fenë dhe besimin.

Myftiu i Kosovës ka paralajmëruar se kohëve të fundit këto vlera janë vënë në shënjestër nga, siç i ka quajtur ai, “lëvizje të errëta” që në emër të një “shqiptarie të deformuar” dhe thirrjeve për “kthim në rrënjë”, po promovojnë urrejtje, përçarje dhe dhunë.

Tërnava ka theksuar se individë dhe grupe të organizuara po përhapin gjuhë urrejtjeje dhe po bëjnë thirrje të hapura për dhunë ndaj shqiptarëve të besimit mysliman, si dhe për zhdukjen e trashëgimisë dhe kulturës islame, duke e cilësuar këtë propagandë si të rrezikshme dhe alarmuese.

Ai ka shtuar se djegia e Kuranit në Gjakovë është pasojë direkte e këtyre ideologjive antishqiptare dhe antiislame, të cilat, sipas tij, ndjekin modele historikisht armiqësore ndaj shqiptarëve të besimit islam.

Myftiu i Kosovës ka kërkuar nga organet kompetente shtetërore që të ndërmarrin menjëherë veprime ligjore ndaj autorëve të këtij akti kriminal, por edhe ndaj ideatorëve dhe përkrahësve të ideologjive që nxisin urrejtje dhe dhunë, të fshehur pas parullave të rreme të “fjalës së lirë” dhe “të drejtës së besimit”.