Në episodin e fundit të podcastit PIKË, publicisti dhe ish-politikani Veton Surroi shpalosi detaje mbi rolin e tij dhe të delegacionit shqiptar në një takim të mbajtur në janar të vitit 1991 në Stubiçke Toplice, Kroaci – një moment vendimtar që, sipas tij, mund të kishte ndryshuar rrjedhën e historisë së Kosovës në vitet e shpërbërjes së Jugosllavisë.
Në bashkëbisedim me gazetarin gjerman Michael Martens, i cili aktualisht është duke shkruar një libër mbi rolin e Gjermanisë në shpërbërjen e Jugosllavisë, Surroi foli për presionin që u bë gjatë atij takimi për të hapur një “front jugor” të luftës, me pjesëmarrjen e shqiptarëve. Kjo nismë, e nxitur nga presidenti kroat Franjo Tugjman dhe disa nga gjeneralët e tij, përfshinte premtime për furnizim me armë nëse shqiptarët do të angazhoheshin në luftime kundër forcave jugosllave.
“Në ditët e para të debatit, Rugova ishte në pakicë. Kishte më shumë njerëz që donin të shkonin në luftë”, rrëfeu Surroi.
Ai përmendi se si pjesëmarrës i Këshillit të Partive Politike të Shqiptarëve të Jugosllavisë, ku përfaqësoheshin shqiptarë nga Kosova, Tetova, Ulqini dhe Lugina e Preshevës, ishte i vendosur që të mos mbështeste një përshkallëzim të dhunës.
Surroi renditi dy arsye kyçe pse Kosova nuk hyri në luftë në atë periudhë, mungesën e mbështetjes politike ndërkombëtare dhe mospërgatitjen ushtarake.
“Ne kishim fituar simpati ndërkombëtare për shkak të lëvizjes sonë paqësore. Lufta do ta shkatërronte këtë imazh. Në pesë vitet e fundit para 1991-shit, asnjë shqiptar nuk ishte thirrur në stërvitje rezerviste nga ushtria jugosllave. Nuk kishim kapacitet të luftonim”, shtoi Surroi, duke nënvizuar edhe mungesën e strukturave ushtarake të organizuara.
Takimi në Stubiçke Toplice, i mbrojtur nga forcat speciale kroate dhe fillimisht i mbajtur sekret, kishte ngritur shumë dilema për të ardhmen e shqiptarëve në Jugosllavi. Surroi, atëherë udhëheqës i një partie të re të dalë nga një lëvizje studentore, përkrahu idenë e strukturimit të një procesi më të integruar politik – jo ushtarak – për të përballuar shpërbërjen e shtetit.
“Diskutuam ide që, në atë kohë, ishin shumë të frikshme. Kishte madje sugjerime për transportim armësh përmes Shqipërisë. Por ne ishim të bindur se një rrugë e tillë do të ishte fatale”, ka thënë Surroi, duke shtuar se jo vetëm bindjet paqësore, por edhe llogaritjet strategjike e gjeopolitike e bënë të pamundur hyrjen në luftë të shqiptarëve në atë fazë.
