Arbëri

Strehimi i afganëve në Shqipëri shqetëson eurodeputeten greke Asimakopulu

Eurodeputetja greke e partisë Demokracia e Re (Nea Dimokratia), Ana Mishel Asimakopulu, e cila mban njëkohësisht edhe postin e zv.kryetares së Komisionit të tregtisë ndërkombëtare të BE-së, ka kërkuar informacion urgjent prej Tiranës zyrtare, Këshillit të Evropës dhe Parlamentit Evropian për numrin final të afganëve që do të strehohen në Shqipëri, ku do të strehohen, sa kohë do të qëndrojnë në territorin e këtij vendi dhe nëse prania e tyre pritet të përkeqësojë të drejtat e minoritetit etnik grek.

Një shqetësim sipas Asimakopulus është nëse prania e tyre në Shqipëri do të shtojë fluksin e emigrantëve që do të tentojnë të hyjnë në Greqi nëpërmjet kufirit dypalësh.

Interesimi i eurodeputetes greke ka sjellë jo pak habi në qarqet e Parlamentit Evropian, të cilët thonë se vendimi i kryeministrit shqiptar, Edi Rama, për strehimin e rreth 4000 refugjatëve politikë të ndjekur prej talebanëve është një akt human dhe solidariteti për t’u admiruar dhe në këtë vendim nuk ka aspak asnjë gjë për t’u shqetësuar, sepse Shqipëria ka firmosur të gjitha kartat në mbrojtje të minoriteteve, ndërsa nuk ka asnjë referencë për presion ose shkelje të të drejtave të minoriteteve në Shqipëri.