Në Qendrën Klinike Universitare dhe në spitalet rajonale, pacientët që trajtohen me hemodializë janë paralajmëruar se së shpejti mund të ketë mungesë të materialeve shpenzuese. Krizën me materiale shpenzuese e kanë konfirmuar këto institucione, por jo edhe ai përgjegjës për furnizimin e tyre - Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës. Tenderi për furnizim me material shpenzues tash e një kohë është në OSHP pas ankesës së një operatori ekonomik
Një burrë nga Prishtina, bashkëshortja e të cilit trajtohet me hemodializë në QKUK, thotë se është paralajmëruar se do të ketë mungesë të materialeve të nevojshme për këtë shërbim jetik.
Një paralajmërim i tillë u është dhënë edhe pacientëve që këtë shërbim e kryejnë në spitalet rajonale, pasi tenderi për furnizim me materiale shpenzuese për hemodializë ka përfunduar në Organin Shqyrtues të Prokurimit.
Ky shërbim nuk kryhet në privat e as materialet nuk mund të blihen privatisht në barnatore.
Por familjari i pacientes në QKUK thotë se një zgjidhje do ta bëjë.
“Dy veshkat i ka llom, veç dializa po i ndihmon. Nëse ndalet, unë marr naj iniciativë vetë, se s’di pa ta, s’mundet. Është rrezik me pasë mungesë”, ka thënë familjari i kësaj paciente.
Nga Klinika e Nefrologjisë në QKUK konfirmojnë se materiali për hemodializë është në sasi të kufizuar.
“Klinika e Nefrologjisë në QKUK aktualisht është duke e vazhduar ofrimin e shërbimeve të hemodializës për të gjithë pacientët e planifikuar në mënyrë të rregullt. Megjithatë, sasia është e kufizuar dhe nuk i përmbush kërkesat për një periudhë afatgjatë pa furnizim të ri”, thuhet në përgjigjen e Klinikës.
E Nasim Velia, pacient në spitalin e Gjilanit, tregon se edhe ai është paralajmëruar për mungesë të materialit.
“Unë jam në dializë tash e disa vjet dhe të hënën kur shkova për trajtim, na paralajmëruan që gjatë verës mund të ketë mungesë të materialeve. Na thanë që janë duke pritur furnizim, po nëse s’vjen me kohë, mund të ketë probleme. Për neve, që jemi në këtë gjendje, çdo seancë është jetike. Nuk mundemi me pritë ose me humbë trajtimin, se e rrezikojmë shëndetin direkt”, ka thënë Nasim Velia, pacient.
Paralajmërimi për mungesë të mundshme të materialeve është konfirmuar nga spitali i Gjilanit, sikur edhe nga spitalet e tjera rajonale në Prizren, Pejë, Ferizaj, Gjakovë e Mitrovicë.
“Jemi në pritje të furnizimit. Aktualisht po punojmë, por për më shumë drejtohuni në ‘SHSKUK’, sepse ata janë përgjegjës, ne vetëm e presim furnizimin”, thuhet në përgjigjen e Spitalit të Gjilanit.
E, në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, institucion përgjegjës për furnizimin të QKUK-së dhe të spitaleve rajonale, kanë mohuar se ka krizë me materiale shpenzuese për hemodializë.
“Janë ndërmarrë të gjitha masat për furnizim të qëndrueshëm. Njësitë shkëmbejnë materiale sipas nevojës. Pacientët do ta vazhdojnë trajtimin pa ndërprerje”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.
Tenderi për materiale shpenzuese përfundoi në OSHP, pasi një operator ekonomik pretendoi se gjatë procesit të vlerësimit të ofertave pati favorizim të kompanive të caktuara.
E nga SHSKUK-ja thonë se janë të detyruar ta presin vendimin e OSHP-së.
“Ne po i menaxhojmë furnizimet nëpërmjet stoqeve, shkëmbimeve ndërmjet njësive spitalore dhe mundësive të tjera brenda sistemit, në mënyrë që të mos ketë ndërprerje të shërbimit për pacientët që marrin dializë. Sapo të merret vendimi i OSHP-së, SHSKUK-ja do të veprojë menjëherë në përputhje me aktvendimin dhe planin e furnizimit”, ka thënë tutje SHSKUK-ja.
Përmes trajtimit me hemodializë, pacientëve iu pastrohet gjaku nga uji çdo tri ditë. Moskryerja e këtij procesi e rrezikon jetën e pacientëve.