(E përditësuar 17:11) - Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, të martën pasdite ka qenë i pranishëm në ceremoninë e vendosjes së gurthemeleve të dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë, pavarësisht paralajmërimeve të Bashkimit Evropian. Ai ka qenë i shoqëruar nga ministri në detyrë i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elber Krasniqi, deputetët Armend Muja e Faton Peci e kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq.

Njëra do të shërbejë për kalim të veturave dhe të këmbësorëve, tjetra vetëm për këmbësorë.

Deklarata e Kurtit 

FOTO: Driton Paçarada


Sot vendosen gurthemelet e dy urave të reja mbi Ibër

(10:59) - Qeveria në detyrë e Kosovës ka njoftuar se të martën, 1 korrik, do të vendosen gurthemelet e dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Në një njoftim për media nga Zyra e Kryeministrit, u bë e ditur për agjendën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Aty u bë e ditur se në orën 17:00 do të vendoset gurthemeli i urës për kalimin e veturave mbi Ibër, ndërsa pak më vonë do të vendoset gurthemeli për urën për kalimin e këmbësorëve.

“Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me kryetarin e Komunës së Mitrovicës së veriut, Erden Atiq, nënkryetarin e Komunës së Mitrovicës së jugut, Arian Tahiri, ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, njëherësh Kryesues i Bordit të Përbashkët të dy komunave, Elbert Krasniqi, dhe ministri në detyrë i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, marrin pjesë sot në vendosjen e gurthemeleve të dy urave të reja mbi lumin i Ibër në kuadër të Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe komunave të Mitrovicës së jugut dhe veriut”, thuhet në njoftim.


Agjenda:

Aktivitetet:

1. Vendosja e gurthemelit të urës për kalim të veturave mbi lumin Ibër

KOHA: 17:00

VENDI: Në afërsi të objektit të Komunës së Mitrovicës së veriut, Mitrovicë e veriut

2. Ecje e përbashkët drejt vendosjes së gurthemelit të urës për kalim të këmbësorëve mbi lumin Ibër

KOHA: 17.15

3. Vendosja e gurthemelit të urës për kalimin e këmbësorëve mbi lumin Ibër

KOHA: 17:30

VENDI: Përballë kopshtit të fëmijëve "Gëzimi ynë", Mitrovicë e jugut

Pas vendosjes së gurthemelit të urës për kalimin e këmbësorëve do të ketë prononcim të përbashkët për media


Vetëm një ditë më parë, Bashkimi Evropian u bëri thirrje autoriteteve të Kosovës “që të përmbahen nga ndonjë veprim i njëanshëm, përfshirë edhe ndërtimin e urave bashkangjitëse”. Ky reagim erdhi në përgjigjen që BE-ja ia dha KOHËS lidhur me testimet e kryera në urën kryesore mbi lumin Ibër. BE-ja konfirmoi se ajo ka bërë vlerësimin e saj dhe zonës dhe se për këtë kanë qenë të njoftuara autoritetet e Kosovës. Megjithatë, u tha se testimet s’janë sinjal për ndryshim në status quon e kësaj ure.

Ditë më parë, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje publikoi fotografi se si do të dukeshin këto dy ura. Ato dukeshin në të dy anët e urës kryesore. E fotografia ishte publikuar pasi ministri në detyrë i Infrastrukturës, Liburn Aliu, njoftoi se bashkë me komunat e Mitrovicës në jug dhe në veri, Ministria ka arritur memorandum bashkëpunimi për mbështetje të projekteve infrastrukturore – e si projekt i përbashkët përmendi ndërtimin e dy urave.

Ura mbi Ibër është e hapur vetëm për këmbësorë. Vitin e kaluar, Qeveria njoftoi se planifikon ta hapë dhe menjëherë pati reagime nga bashkësia ndërkombëtare.

BE-ja pati thënë se çështja e hapjes së kësaj ure duhet të jetë temë e dialogut Kosovë-Serbi.

Lirohet për qarkullim rruga drejt Jarinjës

9 o. më parë / 1 kor 2025 22:31
Pika kufitare në Jarinjë

Pika kufitare në Jarinjë /Arkiv

(E përditësuar 22:40) - Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitare (QKMK) ka thënë se rruga që të shpie drejt Jarinjës nga Serbia është liruar për qarkullim, disa minuta pasi njoftoi se është bllokuar.

“Ju njoftojmë se sipas informatave rruga që shpie nga magjistralja e Rashkës për në PKK Jarinje është zhbllokuar dhe është liruar për qarkullim”, thuhet në njoftim.

Kjo qendër njoftoi se në orën 18:00 edhe rruga që të çon drejt Merdarit është bllokuar. Po si për Jarinjë, edhe në Merdar, QKMK-ja njoftoi pas disa minutash se rruga është zhbllokuar.


Serbët bllokojnë rrugën drejt Jarinjës

Qytetarë serbë kanë bllokuar rrugën magjistrale në Rashkë, në drejtim të pikës kufitare në Jarinjë, duke shkaktuar pengesa serioze në qarkullim dhe duke ndaluar hyrjen e automjeteve në territorin e Kosovës.

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar (QKMK) në një postim të martën vonë ka thënë se është njoftuar nga qytetarë për bllokadën në rrugë, ndërsa edhe vetë kanë vërejtur rënie drastike të lëvizjes së mjeteve.

“Ju njoftojmë se kemi informata nga disa qytetarë se magjistralja në Rashkë, në drejtim të Jarinjës, është e bllokuar nga disa qytetarë serbë. Ne kemi vërejtur më herët se qarkullimi i automjeteve në hyrje të Republikës së Kosovës është shumë i vogël, sepse kemi informata se vetëm nga qyteti i Novi Pazarit mund të qarkullojnë automjetet,” thuhet në njoftimin e QKMK-së.

Sipas tyre, për momentin nuk është regjistruar asnjë kamion apo automjet që ka hyrë në Kosovë përmes Jarinjës.

Autoritetet kufitare i kanë bërë thirrje udhëtarëve që të shmangin këtë drejtim dhe të përdorin pika alternative deri në normalizimin e gjendjes.

Në orën 18:00, serbët për pak minuta bllokuan rrugën që të shpie drejt Merdarit.

Bllokimet vijnë në ditën kur kryeministri në detyrë, Albin Kurti, mori pjesë në vendosjen e gurthemeleve për ndërtimin e dy urave mbi Ibër.

Rihapet rruga që shpie në Merdar

13 o. më parë / 1 kor 2025 18:37
Merdar

Foto: Arkiv

Rruga që shpie drejt pikës kufitare Merdar është rihapur për qarkullim, pas përfundimit të bllokadës së përkohshme nga qytetarët në territorin e Serbisë, është njoftuar nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar.

"Qarkullimi tashmë është i lejuar në të dy drejtimet, luten të gjithë pjesëmarrësit në trafik të qarkullojnë me kujdes të shtuar, për shkak të sigurisë dhe mundësisë së vonesave të lehta", thuhet në njoftim.


Serbët bllokojnë rrugën që shpie drejt Merdares

Qytetarë serbë nga ora 18:00 kanë bllokuar rrugën që shpie në pikëkalimin kufitar në Merdar nga ana e Serbisë, ka bërë të ditur Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar (QKMF) të martën pasdite, duke bërë thirrje që të shmanget kjo pikë.

“Me qëllim të evitimit të kësaj rruge dhe pengesave në rrugë që shpiejnë në PKK Merdarë, inkurajojmë udhëtarët që të shfrytëzojnë pikëkalime të tjera kufitare, deri në një njoftim të ri,” thuhet në komunikatën e qendrës.

Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që të informohen para nisjes së udhëtimit dhe të shmangin këtë pikëkalim për të mos hasur në pengesa të panevojshme.

“Për informacione shtesë, qytetarët mund të kontaktojnë në numrat e telefonit 045198000, 045198606, si dhe në numrin pa pagesë 080050095”, vijon njoftimi.

Bllokimi vjen në ditën kur kryeministri në detyrë, Albin Kurti, mori pjesë në vendosjen e gurthemeleve për ndërtimin e dy urave mbi Ibër.

Vendosja e gurthemeleve për urat mbi Ibër, ndalohen 6 persona

13 o. më parë / 1 kor 2025 17:57
Policia e Kosovës në veri

Photo: Driton Paçarada

Policia e Kosovës ka ndaluar gjashtë persona pak para nisjes së ceremonisë për vendosjen e gurthemeleve për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha për KOHËN se personat u ndaluan për mosrespektim të urdhrave të policit.

“Atyre do t’u shqiptohet nga një tiketë për kundërvajtje”, ka thënë Elshani.

Kurti: Ndërtimi i urave mbi Ibër rrit bashkëpunimin, mungesa e tyre sjell tensione

14 o. më parë / 1 kor 2025 17:38
Albin Kurti

Albin Kurti gjatë adresimin për media pas vendosjes së gurthemelit për dy ura të reja mbi lumin Ibër

Photo: Driton Paçarada

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se ndërtimi i urave të reja është në funksion të komunikimit dhe bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve, duke theksuar se mungesa e urave krijon tensione. Këtë deklaratë ai e bëri të shtunën pasdite pas vendosjes së gurthemeleve për dy ura të reja mbi lumin Ibër, në veri të vendit.

“Jam gjithmonë për ura të bashkëpunimit. Këto ura janë të tregojnë përkushtimin tonë që ndërmjet veriut dhe jugut të ketë sa më shumë komunikim, qarkullim, bashkëpunim dhe shkëmbime”, ka thënë Kurti, duke shtuar se “urat nuk janë kundër askujt, janë për të gjithë qytetarët, për shqiptarët, serbët, boshnjakët, romët e të tjerët”.

Ai theksoi se ndërtimi i këtyre urave është në përputhje të plotë me planet zhvillimore dhe ligjin, duke iu përgjigjur edhe paralajmërimit të një dite më parë nga Bashkimi Evropian, i cili i kishte kërkuar autoriteteve të Kosovës të përmbahen nga “veprime të njëanshme”, përfshirë edhe ndërtimin e urave bashkangjitëse.

Kurti bëri të ditur se njëra nga urat e reja do të ketë gjatësi 51 metra dhe gjerësi 10 metra, me trotuare nga 1.5 metra, ndërsa tjetra do të jetë 41 metra e gjatë dhe 37 metra e gjerë. Njëra do të shërbejë për automjete dhe këmbësorë, e tjetra vetëm për këmbësorë.

Kurti bëri të ditur se me këto dy ura të reja, numri i përgjithshëm i urave mbi lumin Ibër në Kosovë do të shkojë në 37, “ndërsa në të gjithë lumin, që kalon nëpër Kosovë, Mal të Zi dhe Serbi, janë gjithsej 77 ura”.

Ai falënderoi kryetarët e të dy komunave për bashkëpunimin, si dhe Ministrinë për realizimin e këtij projekti që pritet të përfundojë në vjeshtë, me një kosto prej afro 3 milionë euro.

Duke folur edhe për urën kryesore mbi Ibër, që aktualisht është e mbyllur për qarkullim të veturave dhe e monitoruar nga karabinierët italianë, Kurti ka thënë se ajo duhet të hapet sa më parë.

“Nuk heqim dorë asnjëherë prej asnjë qëllimi tonë. Kjo urë ka nevojë të hapet. Sa më parë të hapet, më e arsyeshme. E kur hapet është edhe në dorën e karabinierëve italianë. Ne nuk duam të krijojmë kurrfarë fërkimesh me askënd, përfshire edhe karabinierët italianë prandaj po i presim që të binden edhe ata, siç jemi bindur ne, që ura ka nevojë të hapet për qarkullim edhe të veturave”, theksoi ai.

“Të jeni të sigurt, me dy ura më tepër në lumin Ibër do të jetë vetëm më mirë”, e përmbylli fjalimin e tij Kurti.

Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Liburn Aliu, u shpreh se më së largu në tetor do të përfundojnë punimet – një muaj më vonë sesa e tha Kurti. E më optimist u shfaq ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i cili ka thënë se punimet do të përfundojnë në fillim të shtatorit.