Ka dështuar përpjekja e 11-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Edhe këtë herë ka dështuar që të kalojë propozimi i LVV-së, që të formohet komisionit zgjedhor për votimin e fshehtë për kryetar të Kuvendit. Për kanë votuar 56 deputetë, kundër 1 dhe një ka abstenuar. Vazhdimi i radhës është caktuar për të mërkurën në orën 10:00.

Murati: Opozita të na bashkohet që nënkryetari të mos vijë nga Lista Serbe

1 o. më parë / 5 maj 2025 10:55
Hekuran Murati

Photo: Driton Paçarada

Deputeteti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka kërkuar që opozita në vend se të kundërshtojë Albulena Haxhiun si emër për kryetare të Kuvendit, duhet të bashkëpunojë në mënyrë që nënkryetari të mos jetë nga Lista Serbe.

Duke folur në hollin e Kuvendit pas dështimit të 11-të të konstituimit të Kuvendit, Murati ka thënë se propozimi i LVV-së është që Nenad Rashiq të përfaqësojë komunitetin serb për nënkryetar.

“Qëndrimi jonë si Lëvizje Vetëvendosje bashkërisht me partnerët tanë është që... më e pakta që mund të bëjmë, është që nënkryetari i Kuvendi të mos zgjidhet nga ta, pra qëndrimi i LVV-së është që Nenad Rashiq të përfaqësojë komunitetin serb, dhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës të mos vijë nga Lista Serbe. Opozita në vend se të kundërshtojë për emrin e Albulena Haxhiut për kryetare e Kuvendit, të na bashkohet që së paku te sigurohemi se nënkryetari nuk vjen nga Lista Serbe. Për këtë arsye kemi insistuar që të ketë edhe paketë të marrëveshjhes për emrat e kryetarëve, dhe nënkryetari të mos zgjedhet dikush që nuk e pranon Republikën e Kosovës”, ka thënë Murati.

Ai po ashtu ka thënë se mospranimi i opozitës që të zhvillohet votim i mbyllur, po tregon se ajo nuk u beson deputetëve të saj.

“Votimi i fshehtë është një mënyrë kushtetuese se si të dilet nga situata, por po e shohim që partitë opozitare vazhdojnë të mos u besojnë deputetëve të tyre”, është shprehur ai.

Limaj: Duhen kompromise politike, përgjegjësinë për konstituim e kanë tri partitë e para

1 o. më parë / 5 maj 2025 10:46
Fatmir Limaj

Foto: Arkiv

Kryetari i Nismës Seocialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se vonesat në konstituimin e institucioneve janë të panevojshme. 

Ai ka thënë se për të dalë nga situata e krijuar duhet të gjendet rrugë përmes marrëveshjeve politike. 

“Rrugët gjenden përmes marrëveshjeve politike, përmes kompromiseve, Kosova duhet ta shohë një shumicë parlamentare, nëse partia e parë nuk mund ta bëjë shumicën, atëherë le ta bëjnë të tjerët një shumicë, përgjegjësinë e kanë tri partitë e mëdha, që të marrin iniciativë për ta nxjerrë vendin nga kriza”, ka deklaruara Limaj, pas dështimit të 11-të për konsitutim të Kuvendit. 

Ai ka thënë se përgjegjësia në këtë situatë është e shkallëzuar nga partia e parë e deri te e treta. 

Limaj ka theksuar se “nuk po shoh kapacitete për të arritur deri te diskutimet për pozitën e presidencës”.

VIDEO: Deklarata e plotë

Krasniqi: Kurti e ka më të lehtë ta sakrifikojë Haxhiun sesa të dalë e të matet vetë, e di që nuk i ka numrat

1 o. më parë / 5 maj 2025 10:42
Memli Krasniqi

Krasniqi pas dështimit të 11-të: Kjo që po bën Lëvizja Vetëvendosje është dhunim i demokracisë

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka më të lehtë ta sakrifikojë Albulena Haxhiun sesa të dalë e “të matet” vetë kur bëhet fjalë për formimin e Qeverisë, pasi që, sipas tij, nuk i ka numrat e mjaftueshëm. 

Pas dështimit të tentimit të 11-të për konstituim të Kuvendit, Krasniqi ka thënë se Kurti nuk mund ta mbajë shtetin peng, duhet ta ndryshojë kandidaten nëse dëshiron të bëjë zgjidhje. 

“Për Albin Kurtin duket se Albulena Haxhiu është më e rëndësishme sesa mbi një milion qytetarë që kanë votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe që kanë dhënë verdiktin e tyre se si duhet të krijohen institucionet. Ai po luan me Albulena Haxhiun duke e mbajtur atë si kandidaten që nuk do të kalojë as në të ardhmen, sepse e ka më të lehtë ta sakrifikojë atë sesa të dalë e të matet vetë pasi që e di se nuk i ka numrat. Një gjë duhet ta kuptojë edhe Albin Kuti, nuk mund ta mbajë me zor peng shtetin, e ka mbajtur mjaftueshëm gjatë tashmë, nëse vërtetë dëshiron të kemi rrugëdalje e ftoj ta ndryshojë kandidaten”, ka thënë ai. 

Sipas Krasniqit, kjo që po bën Lëvizja Vetëvendosje është dhunim i demokracisë. 

“LVV-ja duke mos dashur ta pranojë humbjen që e kanë pësuar në zgjedhjet e kaluara, po vazhdon ta mbajë vendin peng. Ky është dhunim i demokracisë, demokracia është pluralizëm, mendime të ndryshme e kompromise. Këtu nuk ka asgjë nga këto. Po tentohet një dhunim i vullnetit”, ka thënë ai. 

VIDEO: Deklarata e plotë
 

Dështon përpjekja e 11-të për konstituimin e Kuvendit

1 o. më parë / 5 maj 2025 10:33
Kuvendi

Photo: Driton Paçarada

Ka dështuar përpjekja e 11-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. 

Edhe këtë herë ka dështuar që të kalojë propozimi i LVV-së, që të formohet komisionit zgjedhor për votimin e fshehtë për kryetar të Kuvendit. 

Për kanë votuar 56 deputetë, kundër 1 dhe një ka abstenuar. 

Vazhdimi i radhës është caktuar për të mërkurën në orën 10:00.
 

Gashi i bën thirrje edhe Abdixhikut që të ulet me Kurtin e të merren vesh

2 o. më parë / 5 maj 2025 10:28
Arben Gashi

Dimal Basha i Vetëvendosjes dhe Arben Gashi i LDK-së sot në Kuvend

Photo: Driton Paçarada

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka bërë thirrje për liderët politikë, edhe atij të partisë që i takon, Lumir Abdixhiku, që të ulen me Albin Kurti dhe të merren vesh. 

Para fillimit të seancës për konstituimin e Kuvendit, Gashi ka thënë se ata duhet të ulen dhe të merren vesh, qoftë edhe për të shkuar në zgjedhje.

“Problemi është se nuk e sheh askush të mundshëm bashkëpunimin me z.Kurti. ajo çka z.Kurti ka prezantuar në pesë vjetët e fundit është problematike. Mënyra se si e ka shkarkuar ministrin e LDK-së, mënyra se si është sjellë në pushtet në katër vjetët e fundit janë problematike. Por unë mendoj se sërish ka mundësi, duhet të tejkalohen këto. Kushdo që të jetë kryeministër nesër, do të ulet me Vuçiqin. E nuk pranon të ulet me Albin Kurtin apo Lumir Abdixhikun apo Memli Krasniqin e Ramush Haradinajn. Është e papranueshme, e paarsyeshme. Duhet të ulen dhe të bisedojnë e të merren vesh, qoftë edhe për të shkuar në zgjedhje. Të gjitha partitë duhet ta mendojnë objektivisht dhe të jenë më konstruktivë”, ka thënë ai. 

Ai ka shtuar se Kurti duhet të kërkojë falje “për gjuhën ofenduese dhe sjelljen degraduese dhe marrja e përgjegjësisë për pozicionin ku gjendet vendi, jo me këtë gjuhë”.

VIDEO:

Haradinaj: Nëse s’ka kandidat unifikues, situata do të vazhdojë njësoj

2 o. më parë / 5 maj 2025 10:26
Ramush Haradinaj

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se në rast të një kandidati të ri unifikues për kryetar Kuvendi, opozita do ta përmbushë detyrën e saj.

Në të kundërtën, ai paralajmëroi vazhdim të bllokadës.

“Mendoj se është urgjente që ne si opozitë ta shqyrtojmë këtë situatë dhe të gjejmë një rrugë për veprime të mëtejme. Mund të jetë një adresim në Gjykatën Kushtetuese”, tha Haradinaj.

Musliu: PDK nuk ka ndërruar qëndrim, Haxhiu po keqpërdoret nga Kurti si armë kundër shtetit

2 o. më parë / 5 maj 2025 10:18
Ganimete Musliu

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka thënë se partia e saj nuk ka ndryshuar qëndrimin as  për votimin e fshehtë qoftë për kandidaten për kryetare, Albulena Haxhiu. 

Ajo ka thënë se Haxhiu po keqpërdoret nga Kurti.

"Më vjen keq që Albulena Haxhiu nuk ka mësuar asgjë nga përvoja e saj në politikë. Kam menduar që pas eksperiencës së saj me gazin lotsjellës, Albulena Haxhiu kurrë më në jetën e saj nuk do të lejojë të keqpërdoret nga shefi i partisë ose kushdoqoftë tjetër, Albin Kurti edhe kësaj radhe, si në rastin e gazit po e përdorë si armë kundër shtetit të Kosovës, prandaj kjo është e pafalshme”, është shprehur Musliu.
 

Limaj kundër votimit të fshehtë: Në kundërshtim me ligjin dhe praktikën parlamentare

2 o. më parë / 5 maj 2025 10:15
Fatmir Limaj

Deputeti nga Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se votimi i fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit është kundër rregullave dhe kundër praktikës parlamentare.

Para fillimit të seancës të së hënës për konstiuim të Kuvendit, Limaj ka thënë se nuk voton diçka që beson se është në kundërshtim me rregulla ligjore. 

Ai ka thënë se votimi ka filluar i hapur dhe duhet të përfundojë si i tillë. 

“Ne e kem pasur qëndrimin, besoj se është kundër rregullave, praktikës parlamentare. Nuk mund të votojmë diçka që ne besojmë se është në kundërshtim me praktikën parlamentare dhe rregulla ligjore. Ka filluar votim i hapur dhe duhet të përfundojë i tillë, sikur të kishte filluar me fillim me votim të fshehtë është e lejueshme edhe me rregullore edhe me ligj dhe nuk do të kishte pasur asnjë problem. Por ka filluar si votim i hapur dhe duhet të përfundojë si i tillë, ne si Nismë dëshirojmë që të respektohen edhe praktika edhe ligji”, ka thënë ai. 

Zemaj: Pa marrëveshje politike, s’do të ketë rezultat

2 o. më parë / 5 maj 2025 10:04
Armend Zemaj

Deputeti i LDK, Armend Zemaj, ka thënë se tashmë është bërë e qartë që s’do të ketë rezultate në formimin e institucioneve pa marrëveshje politike. 

“Është e qartë tashmë se pa pasur një marrëveshje politike dhe pa u definuar se cila parti apo cili subjekt do ta sigurojë shumicën, për të krijuar Kuvendin edhe Qeverinë e Kosovës, nuk besoj se do të ketë ndonjë rezultat”, ka theksuar Zemaj, para nisjes së seancës. 

Ai ka theksuar se mënyra e votimit nuk mund të ndryshohet në mes të seancës.
 

Peci: Me votim të fshehtë po kërkojmë të respektohet vullneti i plotë i deputetëve

2 o. më parë / 5 maj 2025 09:36
Faton Peci

Foto: EO

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, njëherësh deputet i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), ka theksuar se me votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit po kërkojnë të respektohet vullneti i plotë i deputetëve. 

Ai ka thënë se beson që LVV-ja sërish do ta propozojë deputeten Albulena Haxhiun për kandidate për kryetare të Kuvendit.

“Ne kemi hyrë në një cikël ku po kërkojmë që për shkak të respektimit të vullnetit të plotë të deputetëve të kemi një votim të fshehtë. Nëse e kemi shumicën e kërkuar vjen në shprehje se cili do të jetë emri. Unë besoj që Konjufca do të kandidojë zonja Haxhiun”, ka deklaruar Peci para vazhdimit të 11-të të seancës konstituive./EO