Arbëri

Sindikata e RTK-së thotë se janë në prag të kolapsit financiar

RTK

Sindikata e Punëtorëve të Radio Televizionit Publik (RTK) ka thënë se janë në prag të kolapsit financiar dhe për këtë kanë njoftuar përfaqësitë diplomatike dhe Federatën Evropiane të Gazetarëve.

Sipas njoftimit, RTK-ja ndodhet përballë një kolapsi financiar, si pasojë e mosalokimit të buxhetit për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2025.

“...gjë që rrezikon funksionimin e rregullt të institucionit, punën e qindra punonjësve dhe misionin publik të garantuar me Kushtetutë”, thuhet në njoftim.

Siç thotë Sindikata, mosveprimi i institucioneve shtetërore po e vë në rrezik serioz të ardhmen e transmetuesit publik, duke kërkuar nga të gjithë faktorët vendimmarrës që urgjentisht të zhbllokohet buxheti dhe të garantohet vazhdimësia e punës dhe e pagave për punonjësit e RTK-së.

“Ne i bëjmë thirrje opinionit publik, institucioneve dhe mediave të qëndrojnë të informuara dhe të bashkohen në mbështetje të transmetuesit publik, si një aset i përbashkët i qytetarëve dhe i demokracisë”, vijon njoftimi.

Buxheti i RTK-së miratohet nga Kuvendi i Kosovës, i cili që nga zgjedhjet e 9 shkurtit është i pakonstituar. Sot do të bëhet përpjekja e 51-të.

Edhe Asociacioni i Gazetarëve (AGK) ka shprehur shqetësim për mosalokimin e buxhetit për RTK-në, duke thënë se situata është alarmuese. 

Në një status në Facebook gjatë ditës së djeshme, ish-kryeministri dhe deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se RTK-ja nuk duhet të mbetet pa buxhet, pavarësisht se Kuvendi nuk është funksional.

“Buxheti për RTK-në është pjesë e Ligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2025, kështu që mjetet ekzistojnë në Thesar dhe janë të përcaktuara për këtë qëllim. Në mungesë të Kuvendit funksional, zgjidhja ligjore për alokimin e përkohshëm të buxhetit mund të bëhet sipas praktikave të mëparshme. Në prag të zgjedhjeve të përgjithshme në vitin 2021, si Qeveri në detyrë patëm marrë vendim më 27.01.2021 për alokimin e buxhetit për RTK-në, sipas Ligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2021. Ky vendim është publik në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës. Në atë vendim janë përfshirë edhe pika 3 dhe pika 4, të cilat e obligojnë Thesarin të bëjë përshtatjet e nevojshme sipas vendimit të Komisionit Parlamentar për Buxhet, që merret pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Zyrtarët ligjorë të Qeverisë së atëhershme dhe këshilltarët ligjorë të Kryeministrit e kishin plotësuar këtë vendim edhe me arsyetimin përkatës, në mënyrë që secili që e lexon këtë vendim të kuptojë rrethanat në të cilat është marrë ai”, ka shkruar Hoti.