Sindikata e Radio Televizionit të Kosovës u ka bërë thirrje deputetëve që në seancën e nesërme të Kuvendit të veprojnë me përgjegjësi dhe të miratojnë zgjidhjen buxhetore për RTK-në, duke paralajmëruar se situata aktuale po rrezikon funksionimin e transmetuesit publik dhe mirëqenien e qindra familjeve.
Në një reagim, Sindikata e Pavarur e RTK-së thekson se çështja e buxhetit të RTK-së është një temë që “tejkalon çdo debat të përditshëm politik”, duke qenë se lidhet drejtpërdrejt me vijimin e punës së institucionit dhe me pagat e mbi 700 punëtorëve, të cilët tashmë prej tre javësh nuk i kanë marrë pagat e muajit tetor.
“Prej tre javësh, mbi 700 punëtorë të RTK-së nuk e kanë marrë pagën. Kjo gjendje po cenon jo vetëm mirëqenien e punëtorëve, por edhe stabilitetin e vetë RTK-së”, thuhet në reagim.
Sindikata u bën thirrje deputetëve që nesër të reflektojnë “me maturi, seriozitet dhe përgjegjësi”, me qëllim që të sigurohet buxheti i nevojshëm për funksionimin normal të transmetuesit publik dhe për ekzekutimin e pagave të punëtorëve.
“RTK është institucion i pavarur, i krijuar nga Kuvendi për t’i shërbyer publikut, për të siguruar informim profesional dhe të balancuar. Pa një zgjidhje të qëndrueshme buxhetore, rrezikohet misioni i tij themelor dhe pavarësia editoriale,” paralajmëron sindikata, duke shtuar se një situatë e tillë mund të krijojë “precedent të rrezikshëm për të ardhmen”.