Arbëri

Sijarina: Institucionet nuk po i mbrojnë qytetarët, duhet organizim kolektiv

sijarina

Më 1 maj në Prishtinë do të marshohet në thirrje për mobilizim për të drejtat e punëtorëve. Liridona Sijarina, aktiviste e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist, ka thënë se sivjet marshi i flet çështjeve më të mëdha, përveç drejtësisë tradicionale dhe barazisë.

Sijarina ka theksuar se në 1 majin e këtij viti marshi do të jetë më masiv.

“Sivjet kemi arritë me mobilizu dhe me afru grupe të ndryshme ekonomike dhe shoqërore. Një fokus ua kemi dhënë pensionistëve, pasi është një prej kategorive më të cenueshme të Kosovës”, ka thënë ajo në “Interaktiv”.

Sijarina është shprehur se në fokus janë pensionistët, pasi siç ka thënë ajo, është kategoria më e cenuar dhe që i duhet mbështetje.

“Përvec që është e tmerrshme tregon një qasje të padrejtë, është edhe turp, jo vetëm për ne, por specifikisht për këtë qeveri sepse është thirrë për drejtësi e kjo drejtësi nuk mund të nisë me ata lart në hierarki por me ata që janë më së keqi”.

Ajo ka ngrehur shqetësimin se jetesa e qytetarëve po bëhet gjithnjë e më e vështirë e se vetë ata duhet të dalin me organizime kolektive për të kërkuar mirëqenie.

“Vendi është duke u zvhilluar, por ky zhvillim është duke shkuar në xhepin a tyre që kanë shumë, që janë pronarë, kapitalistë, njerëz q ëpasrohen në kurrizin e punëtorëve. Nëse nuk merret një hap që e kthen mbrapsht vendimin e ZRRE-së, për shumë prej nesh ka me qenë e pamundur me e mshelë muajin në Kosovë. Sepse me rritjen e çmimit të rrymës do të rritet gjithçka dukshëm më shumë. Kjo na prek  ne si qytetarë dhe si punëtorë. Pagat nuk po rriten dhe nuk po mjafton për t’iu përgjigjur rritjes së vazhdueshme enorme që po ndodh në Kosovë”, ka potencuar ajo.

Sijarina ka thënë se institucionet nuk po i mbrojnë qytetarët.

“Krejt zinxhiri institucional, prej ZRRE-së e te Qeveria e institucionet tjera nuk janë në mbrojtje të qytetarëve. Në këto kushte kur ne po sulmohemi prej secilit kënd, na mbetet të luftojmë për vete. Na duhet me u organizu”.