Vendet e Ballkanit Perëndimor ndajnë shumë ngjashmëri në organizimin e sistemeve të punës dhe mbrojtjes sociale, por dallojnë në nivelin e mbështetjes që u ofrojnë personave me sëmundje të rënda. Analiza e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë, Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Kosovës tregon se edhe pse shumica nuk kanë politika të veçanta për pacientët me kancer, ato ofrojnë forma të mbështetjes financiare dhe sociale që në shumë raste shkojnë përtej kornizës aktuale ligjore në Kosovë. Kjo pjesë shqyrton praktikat rajonale dhe pozicionin e Kosovës në raport me vendet fqinje
Ky projekt është financuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim (Sida), përmes Ambasadës së Suedisë në Prishtinë, në kuadër të projektit Human Rightivism të zbatuar nga Fondi për Zhvillim Komunitar (CDF). Përgjegjësia për përmbajtjen i takon plotësisht autorit/krijuesit. Sida, Ambasada e Suedisë në Prishtinë dhe CDF nuk i ndajnë domosdoshmërisht pikëpamjet dhe interpretimet e shprehura.
Vendet e Ballkanit Perëndimor përballen me sfida të ngjashme në organizimin e sistemeve të mbrojtjes sociale dhe të drejtave në punë për personat me sëmundje të rënda. Megjithëse shumica nuk kanë politika të veçanta për pacientët me kancer, ato kanë zhvilluar mekanizma të ndryshëm për kompensimin financiar gjatë sëmundjes, përfshirjen e fondeve publike në mbulimin e të ardhurave dhe, në disa raste, mbështetjen për rikthimin në punë pas trajtimit. Analiza e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, si dhe e Kosovës, ofron një pasqyrë më të afërt të praktikave rajonale dhe ndihmon në identifikimin e boshllëqeve ekzistuese në mbrojtjen e pacientëve me kancer në vendin e punës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoMbështetja financiare për pacientët me kancer në Ballkanin Perëndimor
Shqipëria ka një sistem më të kufizuar të mbrojtjes krahasuar me vendet e Evropës Perëndimore. Mbrojtja e punonjësve me sëmundje të rënda mbështetet kryesisht në dispozitat e përgjithshme të ligjit të punës dhe sigurimeve shoqërore, pa një regjim të veçantë për pacientët me kancer.
Korniza ligjore përfshin Kodin e Punës të Republikës së Shqipërisë dhe Ligjin për sigurimet shoqërore. Sipas sistemit shqiptar të sigurimeve shoqërore, 14 ditët e para të paaftësisë së përkohshme për punë paguhen nga punëdhënësi, ndërsa pas ditës së 14-të pagesa kalon te sigurimet shoqërore. Paaftësia e përkohshme për punë zakonisht mund të mbulohet deri në gjashtë muaj, varësisht nga raportet mjekësore dhe procedurat përkatëse.
Sipas rregullave të sigurimeve shoqërore në Shqipëri, paaftësia e përkohshme për punë mund të përfitohet deri në 6 muaj nga data e lindjes së të drejtës për trajtim me raport mjekësor. Pas përfundimit të kësaj periudhe, përfitimi mund të zgjatet përjashtimisht edhe për 3 muaj të tjerë, nëse Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP) vlerëson se personi pritet të shërohet gjatë kësaj periudhe dhe nuk do të deklarohet invalid.
Një zhvillim i rëndësishëm në Shqipëri është përfshirja e pacientëve onkologjikë në rregulloren për raportet mjekësore elektronike. Sipas Rregullores për kriteret, rregullat dhe procedurat e lëshimit të raporteve mjekësore elektronike për paaftësi të përkohshme për punë, të miratuar në vitin 2022 nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore, personat që trajtohen me kimioterapi ose radioterapi mund të pajisen me raport të paaftësisë së përkohshme për punë nga mjekët specialistë të shërbimit përkatës. Edhe pse kjo rregullore nuk krijon përfitime financiare shtesë për pacientët me kancer, ajo ua lehtëson qasjen në raportin mjekësor, redukton pengesat administrative dhe e bën dokumentimin e mungesës nga puna më të përshtatur me nevojat e trajtimit onkologjik, duke siguruar mbulim formal gjatë periudhës së trajtimit dhe rikuperimit.
Në aspektin e rikthimit në punë, Shqipëria nuk ka një mekanizëm të posaçëm dhe të detyrueshëm për pacientët me sëmundje të rënda. Nuk ka rregullim të qartë për kthim gradual, plan rehabilitimi, orar fleksibil ose përshtatje të detyrave. Kjo e lë shumëçka në dorë të praktikës së punëdhënësit ose marrëveshjeve individuale.
Për mbrojtjen kundër diskriminimit, Kodi i Punës ndalon diskriminimin në përgjithësi, por materiali thekson se nuk ka ligj specifik për kancerin. Kjo krijon një boshllëk të ngjashëm me Kosovën, ku sëmundjet e rënda nuk janë të përmendura qartë si kategori e mbrojtur në marrëdhëniet e punës.
Modeli i Shqipërisë tregon kufizimet e sistemeve që mbështeten kryesisht në pushim të shkurtër të paguar nga punëdhënësi. Për Kosovën, krahasimi me Shqipërinë është i rëndësishëm sepse tregon se vendet e rajonit kanë sfida të ngjashme dhe se reforma duhet të shkojë përtej thjesht zgjatjes së disa ditëve të pushimit mjekësor.
Maqedonia e Veriut ka një sistem të ngjashëm me disa vende të tjera të Ballkanit, ku punëdhënësi mban barrën fillestare të pushimit mjekësor dhe më pas përfshihen fondet shtetërore. Megjithatë, sistemi nuk ka një regjim të veçantë për pacientët me kancer dhe nuk ofron mekanizëm të detyrueshëm të ri-integrimit gradual.
Korniza ligjore përfshin Ligjin e Punës dhe ligjet për sigurimet shoqërore. Në material përmendet se pagesa fillestare mbulohet nga punëdhënësi, ndërsa më pas përgjegjësia kalon te fondet shtetërore.
Maqedonia e Veriut ka një sistem ku përgjegjësia për kompensimin gjatë sëmundjes ndahet ndërmjet punëdhënësit dhe Fondit të Sigurimit Shëndetësor. Sipas rregullave të sigurimit shëndetësor, punëdhënësi mbulon 30 ditët e para të pushimit mjekësor, ndërsa pas kësaj periudhe pagesa kalon te Fondi i Sigurimit Shëndetësor. Kompensimi zakonisht varion nga 70% deri në 90% të pagës, varësisht nga kohëzgjatja e mungesës nga puna: 70% për periudhat më të shkurtra, 80% deri në 15 ditë dhe 90% për mungesat më të gjata. Në raste të caktuara, si lëndimet në punë ose sëmundjet profesionale, kompensimi mund të arrijë deri në 100% të pagës.
Sipas Ligjit për Sigurim Shëndetësor, paaftësia e përkohshme për punë mund të zgjasë deri në 12 muaj. Nëse paaftësia vazhdon edhe pas kësaj periudhe, personi referohet për vlerësim të aftësisë për punë sipas sistemit të sigurimit pensional dhe invalidor, me qëllim të përcaktimit nëse ekziston paaftësi afatgjatë për punë dhe nevoja për përfitime të lidhura me invaliditetin. Kjo do të thotë se sistemi ofron mbështetje financiare për një periudhë relativisht të gjatë, por më pas e zhvendos çështjen drejt vlerësimit të invaliditetit dhe aftësisë së mbetur për punë.
Për pacientët me kancer, ky sistem siguron vazhdimësi më të madhe të mbështetjes financiare sesa modelet që kufizohen në disa javë ose muaj pushim mjekësor. Megjithatë, nuk u gjetën dispozita që krijojnë regjim të veçantë për sëmundjet onkologjike ose mekanizëm të detyrueshëm të ri-integrimit gradual në punë, të krahasueshëm me modelet e Holandës ose Gjermanisë. Mbrojtja bazohet kryesisht në rregullat e përgjithshme të sigurimit shëndetësor, sigurimit invalidor dhe ndalimit të diskriminimit për shkak të gjendjes shëndetësore ose aftësisë së kufizuar.
Për Kosovën, Maqedonia e Veriut është shembull i kufizimeve të një sistemi që ka disa dispozita të përgjithshme për shëndetin në punë, por nuk ka politikë specifike për pacientët me kancer.
Mali i Zi ofron një nivel më të gjerë mbrojtjeje financiare sesa disa vende të tjera të rajonit, sidomos për shkak të periudhës më të gjatë të pagesës nga punëdhënësi dhe përfshirjes së fondit shtetëror pas saj. Megjithatë, edhe këtu mungon një regjim i posaçëm për pacientët me kancer.
Korniza ligjore mbështetet në Ligjin e Punës (Zakon o radu) dhe ligjet për sigurimet shoqërore. Mali i Zi ofron një nivel relativisht të lartë të mbrojtjes financiare për personat që përballen me sëmundje të rënda, përfshirë kancerin. Sistemi bazohet në Ligjin për Sigurimin e Detyrueshëm Shëndetësor dhe në ndarjen e përgjegjësisë ndërmjet punëdhënësit dhe Fondit të Sigurimit Shëndetësor. Punëdhënësi mbulon kompensimin gjatë 60 ditëve të para të paaftësisë së përkohshme për punë, ndërsa pas kësaj periudhe kompensimi vazhdon përmes Fondit të Sigurimit Shëndetësor. Ligji parashikon që kompensimi gjatë paaftësisë së përkohshme për punë zakonisht është së paku 70% e bazës së pagës, ndërsa për kategori të caktuara të sëmundjeve dhe gjendjeve shëndetësore kompensimi paguhet në nivelin 100% të bazës së kompensimit. Sipas dispozitave të ligjit, në këtë kategori përfshihen edhe sëmundjet malinje, përfshirë kancerin. Në rastet kur paaftësia për punë vazhdon për periudhë më të gjatë, më së voni pas 10 muajve të paaftësisë së pandërprerë për punë, ose pas 12 muajve gjatë të cilëve personi ka pasur gjithsej 10 muaj paaftësi për punë me ndërprerje, Fondi i Sigurimit Shëndetësor duhet ta referojë personin për vlerësim të aftësisë për punë ose invaliditetit. Kjo do të thotë se pacientët me kancer mund të përfitojnë kompensim të plotë gjatë periudhës së paaftësisë së përkohshme për punë, ndërsa në rastet kur sëmundja shkakton pamundësi afatgjatë për punë, aktivizohen procedurat ligjore për vlerësimin e invaliditetit sipas sistemit të sigurimit pensional dhe invalidor.
Në aspektin e rikthimit në punë, Mali i Zi mbështetet në dispozita të përgjithshme për shëndetin dhe sigurinë në punë. Punonjësit me gjendje të rëndë shëndetësore mund të përfitojnë nga përshtatje të detyrave ose forma të rehabilitimit, por nuk ka një mekanizëm të detyrueshëm dhe të detajuar si në Holandë apo Gjermani.
Për mosdiskriminimin, materiali thekson se Kushtetuta dhe ligjet për barazi ndalojnë diskriminimin në punë dhe se kanceri mund të trajtohet si aftësi e kufizuar ose gjendje shëndetësore e mbrojtur. Megjithatë, mungesa e përmendjes specifike të kancerit e bën mbrojtjen më pak të qartë.
Për Kosovën, Mali i Zi është shembull rajonal që tregon se mund të ketë mbrojtje më të gjatë financiare se 20 ditë dhe përfshirje të fondit shtetëror pas periudhës së parë.
Në Serbi, mbrojtja gjatë paaftësisë së përkohshme për punë rregullohet nga Ligji për Sigurimin Shëndetësor dhe financohet fillimisht nga punëdhënësi, ndërsa më pas nga Fondi Republikan i Sigurimit Shëndetësor (RFZO). Punëdhënësi paguan kompensimin gjatë 30 ditëve të para të mungesës nga puna, ndërsa nga dita e 31-të pagesa kalon te RFZO. Për sëmundjet dhe lëndimet që nuk lidhen me punën, kompensimi nuk mund të jetë më i ulët se 65% e bazës së kompensimit, ndërsa për lëndimet në punë dhe sëmundjet profesionale paguhet në nivelin 100%. Për pacientët me sëmundje malinje, përfshirë kancerin, ligji nuk parashikon një normë të veçantë kompensimi financiar si kategori e ndarë, por parashikon procedurë më të favorshme për përcaktimin e paaftësisë së përkohshme për punë. Mjeku i zgjedhur, si rregull, mund të përcaktojë paaftësinë për punë deri në 30 ditë, ndërsa për personat me sëmundje malinje deri në 60 ditë. Pas kësaj periudhe, rasti kalon te komisioni mjekësor i RFZO-së, i cili vlerëson dokumentacionin mjekësor dhe vendos për vazhdimin, zgjatjen ose ndërprerjen e paaftësisë për punë. Në burimet ligjore dhe rregullative të konsultuara nuk u identifikua një afat maksimal i përgjithshëm i përcaktuar shprehimisht për kohëzgjatjen totale të paaftësisë së përkohshme për punë për pacientët me kancer. Vazhdimi i saj varet nga vlerësimet periodike të komisionit mjekësor të RFZO-së dhe nga dokumentacioni mjekësor që dëshmon gjendjen shëndetësore të pacientit. Kjo do të thotë se pacientët me kancer në Serbi mbrohen përmes sistemit të përgjithshëm të paaftësisë së përkohshme për punë, me mundësi të zgjatjes së saj për aq kohë sa komisioni mjekësor vlerëson se ekziston bazë mjekësore për vazhdimin e pushimit mjekësor.
Në aspektin e rikthimit në punë, ligji serb kërkon që punëdhënësi të marrë parasysh gjendjen shëndetësore të punonjësit. Në raste të caktuara mund të kërkohet vlerësim mjekësor ose përshtatje e detyrave. Megjithatë, nuk ka një sistem të zhvilluar të planit individual të ri-integrimit.
Për mosdiskriminimin, Serbia ka Ligjin për ndalimin e diskriminimit dhe dispozita në Ligjin e Punës (Zakon o radu). Materiali thekson se sëmundjet e rënda mund të mbrohen përmes kategorisë së gjendjes shëndetësore ose aftësisë së kufizuar.
Modeli serb është i rëndësishëm për krahasim rajonal, sepse tregon se edhe në sistemet e afërta me Kosovën ekzistojnë forma më të gjata të mbështetjes sesa pushimi i shkurtër prej 20 ditësh.
Bosnja dhe Hercegovina ka një sistem më të ndërlikuar për shkak të strukturës së saj institucionale. Kompetencat për punën dhe sigurimet shëndetësore janë të ndara ndërmjet entiteteve dhe kantoneve, gjë që krijon dallime të mundshme në zbatimin e të drejtave.
Korniza ligjore përfshin Ligjet e Punës (Zakon o radu) në Federatën e Bosnjës dhe Hercegovinës dhe në Republikën Srpska, si dhe ligjet për sigurimet shëndetësore në nivel entitetesh ose kantonesh. Bosnja dhe Hercegovina ka një sistem të fragmentuar të mbrojtjes gjatë sëmundjes për shkak të ndarjes së kompetencave ndërmjet Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Republikës Srpska dhe kantoneve. Në Federatën e Bosnjës dhe Hercegovinës, punëdhënësi zakonisht mbulon 42 ditët e para të pushimit mjekësor, ndërsa më pas kompensimi paguhet nga fondet përkatëse të sigurimit shëndetësor sipas rregullave kantonale. Në Republikën Srpska, punëdhënësi mbulon 30 ditët e para, ndërsa pas kësaj periudhe kompensimi paguhet nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor. Niveli i kompensimit dhe kohëzgjatja e mbështetjes mund të ndryshojnë ndërmjet entiteteve. Në Republikën Srpska, kompensimi nga fondi mund të zgjasë deri në 12 muaj, ndërsa pas kësaj periudhe personi i nënshtrohet vlerësimit të aftësisë për punë dhe mund të referohet në sistemin e sigurimit pensional dhe invalidor. Për Federatën e Bosnjës dhe Hercegovinës nuk ekziston një afat unik në nivel shtetëror, pasi rregullat varen nga fondet dhe dispozitat përkatëse të entiteteve dhe kantoneve.
Për pacientët me kancer, sfida kryesore është pabarazia territoriale. Një pacient mund të ketë mbrojtje më të mirë në një kanton sesa në një tjetër. Kjo e bën sistemin më pak të parashikueshëm dhe më të vështirë për t’u kuptuar nga vetë punonjësit.
Në aspektin e rikthimit në punë, ekzistojnë dispozita të përgjithshme për rehabilitim profesional dhe aftësi të kufizuar, por nuk ka mekanizëm unik shtetëror për pacientët me kancer. Kjo do të thotë se mbështetja varet shumë nga praktika institucionale lokale.
Për mosdiskriminimin, Bosnja dhe Hercegovina ka ligje për barazi dhe ndalim të diskriminimit. Materiali thekson se sëmundjet e rënda mund të mbrohen përmes kategorisë së gjendjes shëndetësore ose aftësisë së kufizuar, por kanceri nuk përmendet si kategori e veçantë.
Ky model tregon se jo vetëm mungesa e ligjit është problem, por edhe fragmentimi institucional mund ta dobësojë mbrojtjen e pacientëve me sëmundje të rënda.
Kosova përballë praktikave rajonale
Kosova ka një nga kornizat më të kufizuara në krahasim me shtetet e analizuara sa i përket mbrojtjes së punonjësve me sëmundje të rënda, përfshirë kancerin. Mbrojtja aktuale mbështetet kryesisht në dispozitat e përgjithshme të Ligjit të Punës Nr. 03/L-212 dhe Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi, pa një regjim të veçantë për sëmundjet onkologjike ose për sëmundjet afatgjata. Ndryshe nga shumica e vendeve evropiane të analizuara, Kosova nuk ka një sistem funksional të sigurimit të sëmundjes që garanton kompensim afatgjatë të të ardhurave gjatë paaftësisë për punë.
Sipas Ligjit të Punës Nr. 03/L-212, punonjësi ka të drejtë në pushim mjekësor të kompensuar deri në 20 ditë pune brenda një viti, me kompensim që mbulohet nga punëdhënësi. Për pacientët me kancer, kjo periudhë është dukshëm e pamjaftueshme, pasi trajtimi onkologjik zakonisht zgjat me muaj dhe përfshin cikle të përsëritura të kimioterapisë, radioterapisë, ndërhyrjeve kirurgjikale dhe rikuperimit. Pas përfundimit të kësaj periudhe, legjislacioni i Kosovës nuk ofron një skemë të qartë dhe funksionale të sigurimit të sëmundjes që do të garantonte kompensim afatgjatë të të ardhurave për personat që mbeten të paaftë për punë për shkak të trajtimit ose rikuperimit nga kanceri. Kjo krijon pasiguri financiare për pacientët në një periudhë kur nevoja për mbështetje ekonomike është më e madhe.
Kosova gjithashtu nuk ka mekanizëm të detyrueshëm për rikthim gradual në punë pas trajtimit të sëmundjeve të rënda. Legjislacioni nuk obligon punëdhënësin të hartojë plan individual të ri-integrimit, të ofrojë orar fleksibil, të mundësojë punë hibride, të përshtatë detyrat e punës ose të reduktojë ngarkesën e punës për personat që kthehen pas trajtimit onkologjik. Kjo e dallon Kosovën nga vende si Holanda, Gjermania, Franca ose Mbretëria e Bashkuar, të cilat kanë mekanizma më të zhvilluar për mbështetjen e rikthimit në punë.
Në aspektin e mosdiskriminimit, Ligji për Mbrojtje nga Diskriminimi dhe Ligji i Punës ndalojnë diskriminimin në marrëdhëniet e punës dhe ofrojnë mbrojtje të përgjithshme për personat që përballen me trajtim të pafavorshëm. Megjithatë, asnjëri prej këtyre ligjeve nuk e përmend shprehimisht kancerin ose sëmundjet e rënda si kategori të veçanta që kërkojnë mbrojtje të posaçme. Si rezultat, pacientët me kancer mbeten të mbrojtur përmes dispozitave të përgjithshme, pa garanci të qarta ligjore për akomodim të arsyeshëm, mbrojtje të veçantë gjatë trajtimit ose rikthim të përshtatur në punë.
Në krahasim me shtetet e tjera të analizuara, Kosova dallon për tri mangësi kryesore: periudhën shumë të shkurtër të pushimit mjekësor të kompensuar, mungesën e një skeme funksionale të sigurimit të sëmundjes për rastet afatgjata dhe mungesën e mekanizmave të detyrueshëm për riintegrimin e punonjësve pas trajtimit. Për këtë arsye, reforma ligjore duhet të fokusohet në krijimin e një sistemi të qëndrueshëm të mbështetjes financiare për sëmundjet afatgjata, forcimin e mbrojtjes kundër diskriminimit dhe vendosjen e detyrimeve për akomodim të arsyeshëm dhe rikthim gradual në punë për pacientët me kancer.
Në krahasim me 16 shtetet e tjera, Kosova dallon për tri mangësi kryesore: periudhë shumë të shkurtër të pushimit të paguar, mungesë të sigurimit shoqëror për sëmundje afatgjata dhe mungesë të mekanizmave të detyrueshëm të ri-integrimit. Për këtë arsye, reforma ligjore në Kosovë duhet të fokusohet në njohjen e kancerit si sëmundje e rëndë që kërkon mbrojtje të veçantë, zgjatjen e kompensimit financiar, krijimin e skemës së sigurimeve shoqërore dhe vendosjen e detyrimit për akomodim të arsyeshëm në vendin e punës.
Çfarë tregon krahasimi rajonal?
Analiza e vendeve të Ballkanit Perëndimor tregon se edhe në sisteme me kapacitete më të kufizuara sociale dhe institucionale, mbështetja për punonjësit me sëmundje të rënda nuk përfundon domosdoshmërisht pas pak ditësh pushim mjekësor. Në forma të ndryshme, këto vende kanë mekanizma që përfshijnë fondet publike, sigurimet shëndetësore ose procedura të zgjatjes së pushimit mjekësor.
Në këtë krahasim, Kosova del me boshllëqe të dukshme: pushim mjekësor shumë të shkurtër, mungesë të sigurimit të sëmundjes për raste afatgjata dhe mungesë të mekanizmave të detyrueshëm për rikthim gradual në punë. Këto gjetje e bëjnë të domosdoshme që analiza të kalojë nga krahasimi ligjor te përvoja reale e pacientëve dhe te nevoja për reformë.
(Vijon nesër)
Pjesa e parë:
Pjesa e dytë: