Rritja e çmimeve të naftës si pasojë e shpërthimit të luftës në Lindjen e Mesme ka ndikuar në rritjen e të hyrave nga TVSH-ja për produktet e derivateve. Ende pa u përfunduar muaji mars, arka e shtetit është mbushur për 27.5 milionë euro, prej të cilave mbi 10 milionë euro janë nga TVSH-ja dhe 17.5 milionë nga akciza. Ende pa u përmbyllur muaji, të hyrat e TVSH-së janë rritur për 1 milion euro më shumë se sa në shkurt
Afro 97 milionë euro është shuma që arka e shtetit i ka grumbulluar brenda tre muajve nga akciza dhe TVSH-ja për produkte të derivateve.
Rritja e çmimeve të derivateve që nga shpërthimi i luftës në Lindjen e Mesme në fillim të marsit, ka ndikuar edhe në rritjen e të hyrave nga TVSH-ja.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSipas të dhënave të Doganës, që nga shpërthimi i luftës në fillim të marsit, në Kosovë janë importuar 50 milionë e 527 mijë e 171 litra naftë, në vlerë prej afro 40 milionë euro, nga të cilat shteti ka përfituar mbi 10 milionë euro nga TVSH-ja ndërsa 17.5 milionë nga akciza.
Ani se në shkurt janë importuar mbi 57 milionë litra, kur kanë mbetur edhe 7 ditë deri në përfundimin e muajit të hyrat nga TVSH-ja kanë qenë rreth 9 milionë euro apo afro 1 milion euro më pak sesa në mars.
Derivatet janë produkti i dytë më i importuar në Kosovë. Sipas të dhënave të Doganës dhe të Administratës Tatimore (ATK), vitin e shkuar janë importuar naftë dhe benzinë në vlerë të 578 milionë eurove.
Nga këto produkte, arka e shtetit është mbushur për 505 milionë euro apo 17 për qind e të hyrave nga këto dy institucione, prej të cilave 348 milionë nga akciza dhe 156 milionë nga TVSH-ja.
Në kohën kur çmimi i një litre naftë ka arritur në mbi 1.80 euro, në shoqata të bizneseve dhe në parti politike kanë kërkuar që Qeveria të ndërhyjë duke e bërë heqjen e akcizës apo lirimin nga TVSH-ja.
Por, ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se këto dy kërkesa nuk janë opsion aktualisht, pasi që për akcizë “duhet të ndryshohet ligji”, ndërsa për TVSH-në “është vështirë të monitorohet”.
E Berat Rukiqi, i cili dikur ka qenë kryetari i Odës Ekonomike (EOK) dhe tani është anëtar i Kryesisë së Lidhjes Demokratike (LDK), ka thënë se shteti mund të marrë veprime emergjente edhe me akcizën.
“Ta suspendoj me një udhëzim administrativ, mos ta largojë obligimin, sepse nuk ka të drejtë, ta suspendojë deri në një situatë të re dhe në të njëjtën kohë, ta përdorë një normë të diferencuar të TVSH-së, që i lejohet me Udhëzim administrativ, pasi kështu ka qenë Ligji i TVSH-së”, ka theksuar Rukiqi.
Por ekonomisti Edison Jakurti ka thënë se Qeveria nuk duhet t’i heqë të dyja njëkohësisht. Sipas tij, Qeveria duhet që ta zgjedhë njërën prej tyre teksa ka vlerësuar që më optimale është heqja e TVSH-së, pasi që ajo ofron ulje të çmimit për konsumatorët e njëkohësisht edhe ulja e të hyrave është më e vogël.
“Një simulim i thjeshtë mbi çmimin aktual prej rreth 1.70 euro për litër naftë tregon një trade-off të qartë midis heqjes së akcizës dhe TVSH-së. Heqja e TVSH-së (18%) do ta ulte çmimin në rreth 1.44 euro për litër (ulje prej rreth 15% apo 26 cent), ndërsa heqja e akcizës (0.36 euro për litër) në rreth 1.28 euro për litër (ulje prej rreth 25% apo 42 cent). Megjithatë, heqja e akcizës kushton më shumë se dyfish për buxhetin, por ul çmimin vetëm rreth 1.6 herë më shumë se TVSH-ja”, ka thënë ai.
Vendet e rajonit tashmë kanë ndërmarrë masa lehtësuese për të ulur çmimet e derivateve.
Shqipëria e ka zbritur akcizën për derivate për 20 për qind, ndërsa Maqedonia e Veriut e ka ulur TVSH-në nga 18 në 10 për qind, për një periudhë kohore prej dy javësh.