Arbëri

Shqiptarët e Shqipërisë, ndryshe nga ata të Kosovës në Britaninë e Madhe

90% e të dënuarve nga Shqipëria deportohen nga Britania e Madhe pas kryerjes së dënimit. Për shtetasit nga Kosova, ndërkohë, norma fiksohet pranë 33%. Mesatarja për të gjitha kombësitë është 65%. Një normë kaq e lartë regjistrohet vetëm për qytetarët nga Nigeria, mes atyre me shifra të larta burgosjeje. Shqiptarët nga Shqipëria përbëjnë plot 89% të totalit të të deportuarve me origjinë evropiane nga Britania e Madhe në 5 vjet

Shqiptarët e Shqipërisë trajtohen ndryshe nga ata të Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, kur vjen puna për deportimin në vendin e origjinës pas vuajtjes së dënimit. 90% e të dënuarve nga Shqipëria deportohen nga Britania e Madhe në vendin e origjinës pas kryerjes së dënimit, ndërsa për shtetasit nga Kosova norma fiksohet pranë 33%.

Sipas të dhënave zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar, me më shumë se 1.800 të dënuar në Angli dhe Uells, shtetasit shqiptarë përbëjnë përqindjen më të lartë të të burgosurve të huaj në Mbretërinë e Bashkuar me rreth 10 për qind. Një publikim i fundit i Ministrisë së Drejtësisë dhe “Home Office” britanik, mbi normat e deportimeve për nacionalitete të ndryshme, ka ngjallur shumë polemika në Mbretërinë e Bashkuar, me grupe të caktuara interesi që i quajnë këto të dhëna si provën e spastrimit etnik.

Në bazë të këtij publikimi, shqiptarët e Shqipërisë janë më të diskriminuarit në Mbretërinë e Bashkuar. Shifrat tregojnë raportin mes të dënuarve me të paktën 12 muaj, që nga viti 2015, sipas kombësisë, dhe numrit të të deportuarve në vendin e origjinës. Mesatarja për të gjitha kombësitë është 65%. Po për shqiptarët shifra është 90%. Thënë ndryshe, 9 në 10 të dënuar me të paktën 12 muaj burgim në Mbretërinë e Bashkuar deportohen në Shqipëri. Një normë kaq e lartë regjistrohet vetëm për qytetarët nga Nigeria, mes atyre me shifra të larta burgosjeje.

Për shtetasit nga Kosova, ndërkohë, norma fiksohet pranë 33%. Asnjë vend tjetër i Evropës apo Ballkanit Perëndimor nuk regjistron një normë kaq të lartë. Madje, shqiptarët përbëjnë plot 89% të totalit të të deportuarve me origjinë evropiane nga Britania e Madhe në 5 vjet.

Nga ana tjetër, shifrat që përfshijnë periudhën maj 2015-shkurt 2020, tregojnë se, asnjë nacionalitet tjetër në rang global nuk ka më shumë të dënuar se shqiptarët në burgjet britanike, plot 1.833 për periudhën në fjalë. Me diçka rreth 1.729 të burgosur për të paktën 12 muaj, ndjekin rumunët. Ndërkohë qe 12 vjet më parë, shifra e të dënuarve nga Shqipëria në Mbretërinë e Bashkuar ishte vetëm 166.

Sipas mediave britanike, shtimi i madh i të burgosurve nga Shqipëria në Britani ndodh pas krijimit të bandave të organizuara dhe të pamëshirshme shqiptare që u futën në tregun e drogës në Britani. Ata jo vetëm që kontrollojnë tregtinë e drogës në rrugë, por edhe importin e dërgesave nga e gjithë bota. Agjencia Kombëtare e Krimit – ka paralajmëruar: “Grupet shqiptare të krimit kanë krijuar një ndikim të profilit të lartë brenda krimit të organizuar në Mbretërinë e Bashkuar, dhe kanë një kontroll të konsiderueshëm në të gjithë tregun e trafikut të drogës në Mbretërinë e Bashkuar, veçanërisht kokainën. Londra është qendra kryesore e tyre, por ato janë vendosur në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar”.

Bandat shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar rekrutojnë emigrantë të paligjshëm nga veriu i Shqipërisë, ku varfëria është tejet e përhapur. Shuma që paguajnë emigrantët e paligjshëm ndaj këtyre bandave shkon deri në 25 mijë paund. Ndërkohë që gjashtë janë rrugët që shqiptarët ndjekin për të hyrë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar. Ato janë: Calais deri në Dover me kamion; me kamion nga Holanda; me kamion nga Belgjika; me traget nga Spanja; me avion nga Italia ose Greqia; dhe me avion nga Italia në Mbretërinë e Bashkuar nëpërmjet Dublinit.

Ndërkohë, emigrantë të paligjshëm shqiptarë, të rinj në moshë, të shkuar rishtazi në Britaninë e Madhe, kapen thuajse çdo javë nga autoritetet policore britanike nëpër shtëpi të marra me qira, ku ata punojnë si kujdestarë dhe bahçevanë, duke ujitur rrënjët e kanabisit dhe duke u kujdesur për ndriçimin artificial të bimëve, në shkëmbim të shlyerjes së borxhit për trafikimin e tyre ilegal në Britani. Shqiptarët e trafikuar detyrohen të punojnë në shtëpitë ose fermat intensive të kultivimit artificial të kanabisit, anembanë Britanisë.

Grupet e krimit të organizuar përdorin teknika të sofistikuara për kultivimin nëpër magazina dhe shtëpi të marra me qira, duke aplikuar pajisje dhe tenda që pengojnë emetimin e erës së kanabisit dhe nxehtësisë, me qëllim moszbulimin e tyre nga survejimi i policisë dhe rrezet me infra të kuqe. Zyrtarë të Policisë shqiptare në Tiranë flasin për valët e anëtarëve të botës së krimit, të shkuar në Britani në periudha të ndryshme kohore, ku ata që shkuan në vitin 2000, kontrollonin shtëpitë publike të konsideruara si demode për shkak të veseve, ndërkohë që ata pas vitit 2007 nuk kishin vese të tilla, si pija, por ishin të uritur për të bërë para. Nga 2009 e mbrapa u intensifikua kontrolli në tregun e kanabisit dhe kokainës, ku sipas NCA-së, Agjencisë Britanike të Luftës Kundër Krimit, “bandat shqiptare ushtronin një influencë të madhe brenda radhëve të krimit të organizuar në Britani”.

Të rinj nga Shqipëria, kryesisht të moshës 18-22 vjeç, në të shumtën e rasteve kërkojnë që të mobilizohen si shpërndarës të drogës dhe kultivues të kanabisit në Britani. Personat e gatshëm janë kryesisht të rinj të shumtë në numër që objektivi kryesor i tyre është pasurimi i menjëhershëm përmes aktiviteteve të paligjshme, kryesisht trafiku dhe shpërndarja e drogës. Duke parë pasuritë e mëdha që zotërojnë emigrantët shqiptarë në Britaninë e Madhe, Shqipëria po shërben si një bazë e mirë për rekrutimin e elementëve që janë të gatshëm dhe pa asnjë mëdyshje për t’u marrë me drogë në Angli.

Profili i tyre në Shqipëri tashmë është i njohur. Ata njihen si njerëz që kanë vënë para të mëdha dhe perceptimi i publikut është se kjo pasuri e para është vënë nga aktivitetet kriminale, kryesisht nga droga. Agjencia Kombëtare kundër Krimit në Mbretërinë e Bashkuar(NCA) ka pohuar se tregtarët dhe zbatuesit e mafies shqiptare janë duke konsoliduar pushtetin brenda botës kriminale në Mbretërinë e Bashkuar, ku në rrugët e saj ka një treg total kokaine me vlerën e 5 miliardë paundëve. Por, të mëdha janë edhe shpenzimet që Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar harxhon për të burgosurit shqiptarë. Kostoja e një të burgosuri në Britani është 44.600 paund për person në vit, ndërsa strehimi i shqiptarëve në burgje u kushton britanikëve rreth 80 milionë paund çdo vit. Ministrja shqiptare e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, dhe ministri i Drejtësisë në Mbretërinë e Bashkuar, Chris Philip, nënshkruan një marrëveshje për transferimin e të burgosurve në Londër në fund të korrikut, sipas së cilës të burgosurit shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar mund të kthehen në Shqipëri dhe do t’u ndalohet hyrja përsëri në Mbretërinë e Bashkuar.

“Marrëveshja do të thotë që më shumë shkelës mund të kthehen për të vuajtur dënimin e tyre të plotë në Shqipëri. Viktimave do t’u garantohet nga një gjykatës britanik se ata do të vuajnë dënimin e plotë të dhënë ndaj tyre”, tha Qeveria britanike në një deklaratë pas nënshkrimit të marrëveshjes.

Marrëveshja funksionon në të dyja anët, megjithëse ka shumë pak shtetas britanikë në burgjet shqiptare. Marrëveshja e re me Mbretërinë e Bashkuar do të duhet të ratifikohej fillimisht nga Parlamenti i ri shqiptar që fillon punën në shtator para se të hyjë në fuqi dhe para se dhjetëra kriminelë të vinin në Shqipëri për ta vuajtur dënimin në vend.

Ndërkohë që pala angleze duket se ka pranuar propozimin që të asistojë financiarisht për strehimin e shqiptarëve që pritet të transferohen në Shqipëri. Madje, Britania e Madhe është treguar e gatshme të ndërtojë një burg të ri ose të rinovojë një ekzistues në Shqipëri për të transferuar aty shqiptarët e dënuar nga gjykatat britanike. Që nga muaji prill i këtij viti, nga Britania janë larguar 254 të dënuar shqiptarë dhe 85 të tjerëve u është mohuar e drejta të hyjnë në Mbretërinë e Bashkuar.