Shoqata e Prodhueseve të Kosovës ka thënë se ndërprerja e furnizimit me energji elektrike për bizneset, siç ka lajmëruar KEDS-i se ka nisur më 16 gusht, do të ketë pasoja.
Prodhuesit i kanë bërë thirrje Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) që të mos zbatojë masën e ndërprerjes së furnizimit me energji elektrike për bizneset nga data 16 gusht.
Megjithatë, KEDS-i në një njoftim herët të shtunën, 16 gusht, ka thënë se ka nisur shkyçjen e rreth 450 bizneseve që nuk kanë lidhur marrëveshje me furnizues.
“Ndërprerja e energjisë do të sjellë pasoja të rënda: ndërprerjen e prodhimit, humbjen e vendeve të punës, rritjen e çmimeve për konsumatorët, dëmtimin e kontratave me partnerët ndërkombëtarë, uljen e konkurrueshmërisë së prodhuesve kosovarë në tregjet e huaja”, thuhet në reagimin e Shoqatës së Prodhuesve.
Shoqata ka shtuar se kërkon që ZRRE-ja të gjejë zgjidhje të qëndrueshme që mbron prodhimin vendor dhe ekonominë e Kosovës.
“Ne nuk jemi kundër liberalizimit të tregut të energjisë, por kërkojmë që ky proces të zbatohet në mënyrë transparente, me konsultime të mirëfillta dhe me çmime të arsyeshme, të krahasueshme me rajonin”, thuhet në reagim.
E, Aleanca Kosovare e Bizneseve e ka quajtur “arbitrar, represiv dhe shkatërrues për ekonominë e Kosovës” shkyçjen e bizneseve pa marrëveshje për furnizim me energji elektrike.
“Mijëra vende pune në rrezik. Humbje në dhjetëra miliona euro. Shantazh ndaj sektorit privat”, thuhet në reagimin e Aleancës.
