Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka nisur të shtunën shkyçjen e bizneseve të cilat nuk kanë lidhur marrëveshje me një furnizues të energjisë elektrike.
KEDS përmes një njoftimi ka thënë se ligjërisht nuk mund të lejojë vazhdimin e furnizimit me energji elektrike për ato kompani që nuk kanë arritur akoma marrëveshje me ndonjërin prej furnizuesve të licencuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.
"Mbi bazën e kësaj dhe në respektim të Legjislacionit në fuqi, ju njoftojmë se sot kemi filluar shkyçjen e mbi 1400 pikave matëse të konsumatorëve komercialë, të cilët nuk u janë përfillur thirrjeve të vazhdueshme për lidhjen e marrëveshjes me një Furnizues, pavarësisht se i plotësonin kushtet për dalje në treg të hapur të energjisë elektrike", thuhet në njoftim.
KEDS ka njoftuar më tej se në emër të këtyre bizneseve janë identifikuar mbi 1400 njehsorë elektrikë, prej të cilëve mbi 600 janë njehsorë smart që do të shkyçen nga distanca, ndërkaq pjesa tjetër do të shkyçen fizikisht te këto kompani.
Oda Ekonomike: Ndërprerja e rrymës, goditja më e ulët ndaj bizneseve
Oda Ekonomike e Kosovës e ka cilësuar goditje në mënyrë të ulët për bizneset, ndërprerjen e energjisë elektrike për bizneset që nuk kanë nënshkruar kontratë për dalje në treg të lirë energjetik.
Në një komunikatë për media, kjo Odë ka njoftuar se bizneset janë ankuar edhe në praninë e policisë gjatë aksionit të zyrtarëve të KEDS-it për ndërprerje të energjisë.
“Prania e policisë ka krijuar një imazh shumë negativ tek kompanitë, sidomos tek investitorët e huaj. Qëndrimi prapa i aparaturës policore në ekzekutimin e këtij vendimi paraqet jo vetëm humbje shprese për të sjellë investime të huaja, por edhe humbje të mundësive për zgjerimin e investimeve të bizneseve vendore”, thuhet në reagim.
Sipas reagimit, ka pasur raste kur edhe bizneset me kontrata të lidhura janë përballur me zyrtarë që kanë shkuar për t’ua ndërprerë energjinë elektrike, por edhe bizneseve që s’e plotësojnë kriterin ligjor për të dalë në treg të lirë.
“Kjo e tregon më së miri se procesi i daljes në tregun e lirë të energjisë elektrike nga Zyra e Rregullatorit për Energji nuk ka qenë fare i përgatitur”, thuhet në reagim.
Oda Ekonomike e Kosovës i ka bërë thirrje Zyrës së Rregullatorit për Energji që t’i ndalë këto veprime, të cilat i ka quajtur të dhunshme, dhe që të kthehet në dialog me bizneset për të organizuar transicion të mirëplanifikuar për dalje në treg të lirë.
“Vetëm në këtë mënyrë mund të mbrohen bizneset të cilat përbëjnë 60% të ekonomisë së Kosovës, kanë të punësuar 143 mijë qytetarë të vendit dhe janë më meritorët për stadin ku ka arritur zhvillimi i shtetit të Kosovës. Një vendimi të tillë si sot, të vetmit që iu janë gëzuar janë armiqtë e Kosovës”, përfundon reagimi.
ZRRE-ja në mars kishte njoftuar se bizneset me mbi 50 të punësuar apo mbi 10 milionë euro qarkullim do të dalin në treg të hapur të energjisë. Ky njoftim është kundërshtuar nga biznese të ndryshme, të cilat kanë ngritur lëndë të veçanta në gjykatë.
E, javë më parë Komercialja pati anuluar njoftimin për dalje në treg të lirë.
Vendimi i Komerciales për anulim të njoftimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji dhe të njërës pikë të vendimit për liberalizimin e tregut, sipas juristëve, qe i vlefshëm për të gjitha bizneset dhe nënkupton se ato nuk janë të detyruara që të dalin në treg të hapur të energjisë. Vendimi i ZRRE-së ishte dërguar për trajtim në Gjykatën Komerciale nga kompania “Proex”, nën pretendimet se është i paligjshëm.
Por, pas apelimit në shkallë të dytë nga ZRRE-ja, vendimi i shkallës së parë është anuluar.
Në Kosovë liberalizimi i tregut të energjisë është paraparë me Ligjin për energjinë elektrike të miratuar në vitin 2016, por zbatimi i tij është shtyrë për shkak të rrethanave të ndryshme.
Në vendet e Bashkimit Evropian procesi i liberalizimit të tregut të energjisë ka filluar në fund të viteve ’90 me qëllim të rritjes së konkurrencës, efikasitetit, sigurisë dhe zgjedhjes për konsumatorët.
Në Ballkanin Perëndimor ky proces është ende në zhvillim e sipër.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë: Shkyçja e bizneseve rrit çmimet e konsumit
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë e ka quajtur të papërgjegjshëm si veprim fillimin e shkyçjes së bizneseve që nuk kanë arritur marrëveshje për furnizim me energji elektrike, pasi ka thënë se shumë biznese janë ende në pritje të vendimeve të gjykatave dhe themelimit të institucioneve të reja.
Sipas Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, shkyçja e bizneseve nga sot, 16 gusht, rrezikon largimin nga puna të punëtorëve dhe rrit çmimet e konsumit.
“Ky veprim arbitrar dhe i papërgjegjshëm, po rritë çmimet e konsumit të dy milionë qytetarëve të vendit dhe po rrezikon largimin nga puna të se paku 22 mijë punëtorëve, duke goditur rëndë familjet e tyre, ekonominë e brendshme dhe stabilitetin social në vend”, thuhet në reagim.
Dhoma ka shtuar se pasojat do të jenë “dramatike”, teksa ka paralajmëruar mbyllje të aktiviteteve biznesore, humbje të prodhimit vendor, rritje të importit, rritje të çmimeve dhe varfërim të mëtejmë të qytetarëve.
Shoqata e Prodhuesve numëron pasojat që do të sjellë te bizneset ndërprerja e furnizimit me energji
Shoqata e Prodhueseve të Kosovës ka thënë se ndërprerja e furnizimit me energji elektrike për bizneset, siç ka lajmëruar KEDS-i se ka nisur më 16 gusht, do të ketë pasoja.
Prodhuesit i kanë bërë thirrje Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) që të mos zbatojë masën e ndërprerjes së furnizimit me energji elektrike për bizneset nga data 16 gusht.
Megjithatë, KEDS-i në një njoftim herët të shtunën, 16 gusht, ka thënë se ka nisur shkyçjen e mbi 1400 pikave matëse të konsumatorëve komercialë që nuk kanë lidhur marrëveshje me furnizues.
“Ndërprerja e energjisë do të sjellë pasoja të rënda: ndërprerjen e prodhimit, humbjen e vendeve të punës, rritjen e çmimeve për konsumatorët, dëmtimin e kontratave me partnerët ndërkombëtarë, uljen e konkurrueshmërisë së prodhuesve kosovarë në tregjet e huaja”, thuhet në reagimin e Shoqatës së Prodhuesve.
Shoqata ka shtuar se kërkon që ZRRE-ja të gjejë zgjidhje të qëndrueshme që mbron prodhimin vendor dhe ekonominë e Kosovës.
“Ne nuk jemi kundër liberalizimit të tregut të energjisë, por kërkojmë që ky proces të zbatohet në mënyrë transparente, me konsultime të mirëfillta dhe me çmime të arsyeshme, të krahasueshme me rajonin”, thuhet në reagim.
E, Aleanca Kosovare e Bizneseve e ka quajtur “arbitrar, represiv dhe shkatërrues për ekonominë e Kosovës” shkyçjen e bizneseve pa marrëveshje për furnizim me energji elektrike.
“Mijëra vende pune në rrezik. Humbje në dhjetëra miliona euro. Shantazh ndaj sektorit privat”, thuhet në reagimin e Aleancës.