Shkeljet ligjore të gjyqtarëve të konstatuara nga Gjykata Supreme nuk ka kush t’i sanksionojë. Kjo, për faktin se vendimet e këtij institucioni po vazhdojnë të trajtohen si aktgjykime me karakter vetëm deklarativ ose konstatues të shkeljes së ligjit, duke mos prodhuar asnjë pasojë juridike. Kohëve të fundit janë paraqitur një mori rastesh ku Supremja ka vendosur pas kërkesave të parashtruara nga ana e Prokurorisë së Shtetit për mbrojtje të ligjshmërisë.
Po ashtu, ka nxjerrë aktgjykime me të cilat konstatohet shkelja e ligjit penal, konform nenit 438 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës (KPPK). Por nuk janë prishur vendimet e formës së prerë të gjykatave të ulëta, respektivisht ato të Gjykatës së Apelit, duke u kufizuar vetëm në konstatimin e shkeljeve. Një thirrje për disiplinim të gjyqtarëve që marrin vendime të kundërligjshme së fundmi e ka bërë Grupi për Studime Juridike dhe Politike. Ky institut i ka rekomanduar Supremes që përmes një vendimi unifikues neni 438 të interpretohet në atë mënyrë që garanton se vendimet nuk mbesin vetëm deklarative, dhe që efekti i tyre në raport me vendimet e gjykatës më të ulët të jetë i detyrueshëm. Dhënia e një interpretimi të tillë sqarues nuk është marrë parasysh nga Gjykata Supreme, shkruan sot Koha Ditore.
“Drejtësia Sot” ka trajtuar disa vendime të Gjykatës Supreme, e cila ka vendosur mbi kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë të parashtruara nga Prokurori i Shtetit. Në të katër rastet e trajtuara, Gjykata Supreme ka gjetur se Gjykata e Apelit ka bërë shkelje të Ligjit penal.
Rasti i parë ka të bëjë me lëndën e ish-shefit të Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës, Emin Beqiri, dhe të biznesmenit Rrahim Hashimi.
Mënyra se si është trajtuar ky rast ka mundësuar që i njëjti të mos i nënshtrohet shqyrtimit gjyqësor për këtë lëndë dhe me një vendim të formës së prerë të mbyllet lënda. Sipas vendimit të Supremes, Gjykata e Apelit ka tejkaluar kompetencën e saj duke ndërhyrë në kompetencën e Gjykatës Themelore dhe “duke vendosur lidhur me vlerësimin e fakteve kontradiktore, fuqinë provuese të këtyre fakteve, dhe duke konkluduar se i pandehuri nuk është kryerës i veprës penale”.
Ish-shefi i Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës, Emin Beqiri, akuzohej për tri vepra penale- keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, pengim i të provuarit dhe moslajmërim i veprave penale apo kryesve të tyre. Ndërkaq Rrahim Hashimi akuzohej se ka kryer dy vepra penale- ushtrimi i ndikimit. Aktakuza lidhej me aferën e korrupsionit në hetimin e organizatës joqeveritare QAD, për të cilin rast “Koha Ditore” pati raportuar në vitin 2017. Rrahim Hashimi kishte kërkuar 100 mijë euro ryshfet për të lehtësuar hetimin e këtij rasti. Kundër kësaj aktakuze mbrojtësit e të pandehurve kishin paraqitur kundërshtimet në Gjykatën Themelore të Prishtinës, e cila me aktvendimin e datës 25 qershor 2018 i refuzoi kërkesat për hedhjen e aktakuzës.
Mirëpo gjërat ndryshuan në momentin kur Gjykata e Apelit i aprovoi pretendimet e mbrojtjes së të pandehurit Emin Beqiri. Në këtë mënyrë, Gjykata e Apelit e ndryshoi aktvendimin e shkallës së parë, ashtu që, ndaj të pandehurit Emin Beqiri kishte hedhur poshtë aktakuzën për veprat penale duke e pushuar procedurën penale që po zhvillohej ndaj tij. Veprimet ishin arsyetuar me faktin që, sipas kësaj gjykate nuk kishte prova të mjaftueshme që mbështesin dyshimin e bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale për të cilat dyshohej. Me të njëjtin aktvendim, Gjykata e Apelit duke vendosur sipas ankesës së mbrojtësit të Rrahim Hashimit, e kishte anuluar aktvendimin e shkallës së parë dhe çështjen e kishte kthyer në rivendosje. Në rivendosje, Gjykata Themelore e Prishtinës, me aktvendim përsëri e kishte refuzuar kërkesën e mbrojtësit të Rrahim Hashimit për hedhjen e aktakuzës dhe për kundërshtimin e provave kundër tij. Pas ankesës së Hashimit në Gjykatë të Apelit, kjo e fundit pjesërisht kishte aprovuar atë duke e ndryshuar vendimin e shkallës së parë. Me anë të këtij aktvendimi, Gjykata e Apelit e pushoi procedurën penale për veprën penale ushtrim i ndikimit me arsyetimin se nuk është vërtetuar që i njëjti e ka kryer atë. Ndërsa për veprën penale të mashtrimit në vazhdim është refuzuar ankesa e mbrojtjes, dhe procedura ka vazhduar me caktimin e shqyrtimit gjyqësor.
Ndaj këtyre aktvendimeve Prokuroria e Shtetit kishte paraqitur kërkesë në Gjykatën Supreme për mbrojtje të ligjshmërisë të bazuar në nenin 438, paragrafi 2 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës.
Sipas vendimit të Supremes, në rastin konkret, Gjykata e Apelit ka tejkaluar kompetencën e saj duke ndërhyrë në kompetencën e Gjykatës Themelore dhe duke vendosur lidhur me vlerësimin e fakteve kontradiktore, fuqinë provuese të këtyre fakteve, dhe duke konkluduar se i pandehuri nuk është kryerës i veprës penale. Njëkohësisht, shkelja tjetër që i është përshkruar Gjykatës së Apelit ka të bëjë me dhënien e interpretimit të gabuar për veprën penale ushtrim i ndikimit, “ku gabimisht ka konstatuar se kjo vepër penale mund të kryhet vetëm nga personi zyrtar”. Sipas Supremes, Gjykata e Apelit nuk ka pasur të drejtë të lëshohet në vlerësimin e provave dhe se me ketë veprim pa të drejtë e ka marrë rolin e gjykatës së shkallës së parë.
Rrahim Hashimi është protagonist edhe në videot e skandalit të fajdeve. Në videot e publikuara nga “Koha”, Hashimi bashkë me Kadri Rexhepin shihen teksa kërkojnë para nga biznesmeni Faton Dalladaku, për t’ia mundësuar atij ndërtimin e spitalit brenda hapësirës së QKUK-së.
Supremja kufizohet në konstatim
Në lidhje me shkeljet e konstatuara, gazeta ka pyetur Gjykatën Supreme rreth veprimeve që ka ndërmarrë për të garantuar që vendimet e saj të adresohen në mënyrë efektive nga gjykatat më të ulëta.
Teksa e kanë cituar nenin 438 të Kodit të Procedurës Penale me të cilin rregullohet procedura lidhur me aktgjykimin mbi kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë, për rastet e cekura kanë thënë se, nuk ekziston situatë ligjore për t’u vënë në veprim.
“Kësisoj, Gjykata Supreme nëse vërteton se kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë është e bazuar, merr aktgjykim me të cilin, duke pasur parasysh llojin e shkeljes në paragrafin 1.1 ndryshon vendimin e formës së prerë; nën paragrafi 1.2 në tërësi ose pjesërisht anulon vendimin e gjykatës themelore dhe gjykatës më të lartë ose vetëm vendimin e gjykatës më të lartë dhe lëndën për vendim të ri ose rigjykim ia kthen gjykatës themelore ose gjykatës ma të lartë, që nënkupton Gjykata e Apelit; dhe 1.3 kufizohet vetëm në vërtetimin e shkeljes së ligjit”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Supreme.
“Lidhur me pyetjen e juaj në lëndët konkrete të cekura me emrat e palëve e që janë vendosur në këtë gjykatë nuk ekziston situata ligjore e përshkruar më lart”.
Sa i përket rekomandimit që përmes një vendimi unifikues të sqarohet se neni 438 i KPPK-së duhet të interpretohet në atë mënyrë që vendimet të mos mbesin në nivel deklarativ dhe të jenë të detyrueshme, në Supreme kanë thënë se nuk e kanë këtë kompetencë.
“Paragrafi 2. i nenit 438 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës i përket pyetjes së parashtruar i cili shprehimisht rregullon situatën e rasteve të cekura nga ju e që po e citoj dispozitën: ‘Kur Gjykata Supreme e Kosovës çmon se kërkesa e paraqitur për mbrojtjen e ligjshmërisë në dëm të të pandehurit është e bazuar, vetëm konstaton shkeljen e Ligjit pa ndikuar në vendimin e formës së prerë’”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Andaj, mbi këtë bazë Gjykata Supreme ka thënë se nuk ka kompetencë ligjore të ndërmarrë masa të tjera ose vendim unifikues, pasi, sipas arsyetimit të tyre, kjo është çështje e rregulluar me ligj dhe nuk ka mundësi që të interpretohet dispozita ligjore kur është e qartë.
“Për më tepër ky është standard edhe në shtetet e tjera”, kanë thënë ata.
Por, sipas Grupit për Studime Juridike dhe Politike, Gjykata Supreme nuk mund t’i ikë detyrimit kushtetues për të garantuar që vendimet e saj kur konstatojnë gjendje të paligjshmërisë, të adresohen në mënyrë efektive nga gjykatat më të ulëta, “dhe atë ta bëjë duke u bazuar në parimin esencial kushtetues që çdo mjet juridik, qoftë i rregullt apo i jashtëzakonshëm duhet të ketë efektivitet për ta mënjanuar gjendjen e paligjshmërisë si ndaj viktimave të veprave penale ashtu edhe të të akuzuarve, të cilët e drejta duhet t’i trajtojë në mënyrë plotësisht të barabartë”.
Sipas tyre, një praktikë e tillë nuk aplikohet as në vendet e rajonit. Sa i përket Shqipërisë, ata kanë përmendur një rast të vitit 2001, për të cilin është vendosur precedent që kur konstatohen shkeljet e gjykatave, vendimet të prishen dhe të kthehen në rivendosje.
“Gjykata e Lartë, pavarësisht se kush i drejtohet asaj, ka detyrimin ligjor që, kur konstaton se gjykatat e shkallëve më të ulëta të kenë zbatuar gabim ligjin në dhënien e vendimeve, t’i prishë këto vendime dhe të disponojë në një nga mënyrat që përcakton neni 441 i K.Pr.Penale”, shkruan në vendimin për rastin Agron Hajdarit, ndaj të cilit është konstatuar të jetë bërë cilësim i gabuar juridik i veprës penale, në një rast vjedhjeje.
Pra, Gjykata e Lartë, pavarësisht se kush i drejtohet asaj, ka detyrimin ligjor që kur konstaton se gjykatat e shkallëve më të ulëta të kenë zbatuar gabim ligjin në dhënien e vendimeve, t’i prishë këto vendime dhe të disponojë në një nga mënyrat që përcakton neni 441 i K.Pr.Penale.
Sipas GSJP-së, ky vendim i Gjykatës së Lartë në Shqipëri ka vendosur me të njëjtin parim që është shfrytëzuar dhe po shfrytëzohet kundër nga gjykatat e Kosovës. Konstatimi i paligjshmërisë së vendimeve gjyqësore nga Gjykata e Lartë, qoftë edhe në disfavor të të gjykuarit, nuk ka të bëjë me rendimin ose jo të pozitës së tij, por i njëjti duhet të konsiderohet për të evituar shkeljet e gjetura nga gjykata më e lartë.
“Pra, në rastin konkret shumica e vendeve të rajonit kanë të mishëruar në dispozitat e kodeve të tyre penale të njëjtin përcaktim, pra dispozita të ngjashme të cilat për dallim nga Gjykata Supreme e Kosovës interpretimin dhe aplikimin e tyre në raste të ngjashme e bëjnë ndryshe nga Gjykata Supreme e Kosovës, siç është rasti ilustrativ i Shqipërisë ndaj Agron Hajdarit”, kanë thënë në GSJP.
Ndikimet politike në gjyqësor
Janë edhe disa raste të tjera për të cilat Gjykata Supreme e Kosovës ka dhënë vendime konstatuese. Është rasti me lëndën e ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit, Sali Mekaj. Pas arrestimit në korrik të vitit 2015, një vit më vonë Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë kundër tij nën dyshimin për “keqpërdorim të pozitës zyrtare”, vepër kjo e cila më vonë u ricilësua si “ushtrim i ndikimit”. Sipas aktakuzës, ai dyshohej se kishte pranuar një ryshfet në vlerë prej 20 mijë eurosh.
Mënyra si është trajtuar ky rast ka mundësuar lirimin e të njëjtit dhe shkeljen e ligjit penal. Në këtë rast, Gjykata Supreme ka vlerësuar se në instancat paraprake faktet janë vërtetuar në mënyrë të drejtë, mirëpo janë nxjerrë përfundime të gabuara për ekzistimin e veprave penale. Sipas Gjykatës Supreme me aplikimin e drejtë të ligjit penal, Sali Mekaj do të duhej të ishte shpallur fajtor për veprën penale të ushtrimit të ndikimit. Kjo, ngase, sipas provave të shkresave të lëndës, veprimet e tij paraqesin ushtrim të ndikimit.
“Drejtësia Sot” konsideron se rasti i ish-shefit të Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës, Emin Beqiri, dhe rasti i ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit në Kosovë, Sali Mekaj, dëshmojnë qartë ndikimin politik dhe jo pavarësinë e gjyqësorit në Kosovë.
“Me anë të këtyre vendimeve të Gjykatës Supreme është vërtetuar dhe një herë dështimi institucional në krijimin dhe sigurimin e një gjyqësori të drejtë, të pavarur dhe të paanshëm. Me një gjyqësor të tillë dëmtohet skajshmërisht mirëqenia e çdo qytetari të Republikës së Kosovës dhe dëmtohet pozita e Kosovës në tërësi në çdo proces integrues euroatlantik”, thuhet në analizën e GSJP-s.
Rastet e tjera të trajtuara kanë të bëjnë me lëndën e Berat Nikës, Krenare Maculës, Nehat Veliut, që ishin të akuzuar për veprat penale keqpërdorim të detyrës zyrtare, kurse Xhelal Selimi akuzohej për veprën penale mashtrim me subvencione. Për këtë rast, Gjykata Themelore në Gjilan kishte nxjerrë aktgjykim lirues i cili më pastaj ishte vërtetuar nga Gjykata e Apelit. Vetëm në Gjykatën Supreme është arritur të vërtetohet se ka pasur prova të mjaftueshme me të cilat do të provohej fajësia e të akuzuarve. Sipas Gjykatës Supreme, këta persona duke qenë anëtarë të komisionit në cilësinë e personave zyrtarë për vlerësim dhe miratim të projekteve në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, kanë tejkaluar autorizimet e tyre, sepse nuk iu kanë përmbajtur udhëzimit për kriteret e aplikimit “Masa 503”, kur kanë konstatuar se Xhelal Selimi dhe kompania e tij “Calabria Sh.p.k” i plotësojnë kriteret për aplikim.
Janë dy momente të ndryshme që GSJP thotë se duhet dalluar në rastet kur konstatohen shkeljet. Së pari, neni në fjalë në asnjë formë nuk përjashton mundësinë që vendimi i formës së prerë të Gjykatës së Apelit, nëse është marrë në shkelje të ligjit penal material, të ndryshohet dhe rasti të kthehet në rigjykim në Gjykatën e Apelit. Dhe së dyti, që statusi i të pandehurit që mund të jetë shpallur i pafajshëm me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit nuk mund të cenohet deri në momentin kur Gjykata e Apelit konstaton ndryshe duke interpretuar faktin dhe aplikuar atë në raport me Ligjin penal material pas rigjykimit të tërësishëm të rastit.
Në rastin Beqiri dhe Mekaj përbërja e trupit gjykues ka qenë e njëjtë, dhe kjo ka ngritur dyshime për përsëritjen e vazhdueshme të problemit të njëjtë. Në Këshillin Gjyqësor të Kosovës kanë folur me terma të përgjithshëm kur janë pyetur për veprimet që kanë ndërmarrë në evitimin e paligjshmërive.
“Lidhur me pyetjen e parashtruar nga ana juaj me datë 14 nëntor 2019, se a ka shqiptuar masë disiplinore KGJK ndaj gjyqtarëve të Gjykatës se Apelit, ju njoftojmë se: bazuar në Ligjin për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve (me tutje Ligji Nr.06/L-057), neni 9 paragrafi 1 lidhur me nën paragrafi 1.1 autoritet kompetent për të pranuar ankesa ndaj gjyqtarëve është kryetari gjykatës në të cilën e ushtron detyrën gjyqtari përkatës”, ka zëdhënësja e Këshillit Gjyqësor, Ajshe Qorraj-Berisha.
Edhe Gjykata e Apelit mund t’i rigjykojë rastet në të cilat Supremja ka konstatuar paligjshmëri, dhe atë ta bëjë duke u bazuar në parimin kushtetues që vendimet e Supremes janë të detyrueshme për çdo instancë tjetër të gjyqësorit të rregullt. Një praktikë e tillë është ndjekur në formë konstante nga Gjykata Kushtetuese, kur ajo konstaton shkelje në vendimet e Gjykatës së Apelit. Në lidhje me rastet që i ka trajtuar gazeta, Gjykata e Apelit nuk ka treguar për veprimet e ndërmarra.
“Gjykata e Apelit është e obliguar t’i zbatojë vendimet e Gjykatës Supreme si gjykatë më e lartë, dhe punon në vazhdimësi që vendimet t’i marrë në harmoni me qëndrimet e saj”, ka thënë shkurt zëdhënësi i Apelit, Arbër Jashari.
Lufta kundër krimit të organizuar dhe forcimi i sundimit të ligjit janë kërkesa të vazhdueshme të Bashkimi Evropian. Sipas Raportit të vitit 2019, të publikuar nga Komisioni Evropian, Kosova vazhdon të ballafaqohet me probleme në fushën e rendit dhe ligjit, me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe ka mungesë efikasiteti të gjykatave në trajtimin e rasteve gjyqësore.
(Storia është mbështetur nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, i cili përmes Ambasadës britanike në Prishtinë ka krijuar platformën “Drejtësia Sot”, me qëllim të monitorimit të punës së KGJK-së, KPK-së, të të gjitha gjykatave dhe prokurorive në Kosovë. Puna e zhvilluar në kuadër të kësaj platforme mbetet përgjegjësi ekskluzive e GLPS-së dhe nuk pasqyron pikëpamjet e Ambasadës britanike në Prishtinë.)