Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Shënohen aderimet e para, gara fillestare për diasporë

Më 2025, qytetarëve u është dashur 4 herë t’ua mësyjnë kutive të votimit. Dy herë për zgjedhje nacionale dhe në dy runde të zgjedhjeve lokale

Foto: Marigona Brahimi

Tri aderime të reja politike janë regjistruar të enjten. Ish-presidentja Vjosa Osmani, që pritet të garojë në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka zyrtarizuar dy emra, ndërkaq Partia Demokratike e Kosovës një.

Osmani ka njoftuar se i janë bashkuar ish-deputetja e Partisë Guxo që ishte pjesë e Grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Jeta Statovci, si dhe aktivistja Arjeta Musliu.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“E nisëm bashkë rrugëtimin në Kuvend. Dhe bashkë po vazhdojmë drejt Kuvendit. Jeta Statovci ishte vetëm 26 vjeçe kur mori mandatin e saj të parë, për t’u rikonfirmuar tri herë radhazi me besimin e qytetarëve, duke qenë vazhdimisht ndër deputetet më të votuara. Na kanë bashkuar ndër vite virtyti, vizioni, vullneti dhe e vërteta. Mbi të gjitha, na bashkojnë vlerat mbi të cilat e nisëm këtë rrugëtim. E kur ato devijojnë, ne ringrihemi në këmbë, për dashurinë ndaj vendit dhe për rrugëtimin e sigurt të Kosovës”, ka shkruar Osmani për Statovcin, ndërsa për angazhimin e Musliut ka thënë se bëhet fjalë për “një grua që nuk vjen në këtë rrugëtim për veten e saj, por për çdo nënë që zgjohet çdo ditë me frikën për fëmijën, për çdo motër e vëlla që nuk pranon të dorëzohet, për çdo familje që ka përjetuar dhimbjen e varësisë nga substancat narkotike, për çdo të ri që ka nevojë për një dorë që e nxjerr nga errësira”.

E po të enjten, PDK-ja ka zyrtarizuar emrin e Aida Dërgutit. Ajo ishte pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje deri në vitin 2017, e më pas edhe e Partisë Socialdemokrate.

“Për Aidën, siç e dinë të gjithë, drejtësia është mbi të gjitha detyrë. Dhe, në këtë mision, do të punojmë bashkë”, ka thënë kryetari i PDK-së, Bedri Hamza.

Sot përfundon edhe afati për deklarimin e partive politike për pjesëmarrjen si të vetme apo si koalicione në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit. Nga partitë e mëdha, deri në momentin e publikimit të artikullit, vetëm Vetëvendosje nuk është deklaruar ende. Të gjitha partitë e tjera të mëdha kanë vendosur të hyjnë të vetme.

Partitë politike i kanë edhe 5 ditë afat për dorëzimin e listave me kandidatë për deputetë që do t’i nënshtrohen garës së 7 qershorit.

E një ditë pas hapjes së afatit për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës është intensifikuar edhe fushata, që qëllim ka regjistrimin sa më të madh.

“Ju ftoj të regjistroheni dhe bëheni pjesë e vendimeve për Kosovën. Sepse Kosova është edhe e juaja. Për ne nuk jeni vetëm mërgatë, krenari për ne, pjesë e pandashme e krenarisë sonë”, ka thënë Hamza.

Thirrje ka bërë edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Duke u regjistruar ju i ruani lidhjet me atdheun, me rrënjët tuaja dhe tonat. Shfrytëzoni të drejtën, regjistrohuni. Mos e harroni Kosovën, Kosova ju do”, ka thënë ai.

E Lidhja Demokratike e Kosovës, mërgatës i është drejtuar përmes një postimi në Facebook.

“Regjistrimi online për të votuar nga jashtë vendit ka filluar dhe do të zgjasë deri më datë 17 maj. Prandaj, ju bëjmë thirrje që të ushtroni të drejtën tuaj kushtetuese për të votuar, të gjithëve që jetoni jashtë Kosovës. Vota juaj ka shumë rëndësi, ashtu siç jeni ju të rëndësishëm për atdheun tuaj, Kosovën, e në veçanti Lidhjen Demokratike të Kosovës”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

Anëtarja e Vetëvendosjes në KQZ, Violeta Emini-Salihu, ka njoftuar se deri në mesditën e së enjtes janë regjistruar mbi 14 mijë aplikime për votim nga mërgata.