Të dyshuarit për spiunazh, Fatmir Sheholli, i është vazhduar masa e paraburgimit edhe për dy muaj.
Sheholli do të jetë në paraburgim deri më 9 mars.
“Pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurit F.SH. për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të Spiunazhit në vazhdimësi, gjyqtari i procedurës paraprake pas shqyrtimit të kërkesës, me datë 09.01.2026 përmes Aktvendimit ka aprovuar kërkesën e PSRK-së, ashtu që të njëjtit iu është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 2 muaj”, ka thënë zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
Sheholli është arrestuar më 9 tetor pas një aksioni të Policisë, Prokurorisë Speciale dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë. Pas arrestimit, atij i është bastisur edhe banesa që ndodhet në kryeqytet.
Në dosjen e Prokurorisë theksohet se Sheholli u rekrutua nga BIA serbe dhe se kishte detyra specifike, me të cilat ka cenuar sigurinë dhe rendin juridik në Kosovë.
Pas luftës, ai ka mbajtur lidhje me politikanë serbë në Kosovë, si dhe ka zhvilluar aktivitet në Institutin për Avancimin e Marrëdhënieve Ndëretnike.
Vitin e shkuar, për veprën e spiunazhit, janë arrestuar edhe Bedri Shabani e Muharrem Qerimi.