Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi, e ka cilësuar abuziv, arbitrar dhe haptazi të kundërligjshëm shkarkimin e Besim Kelmendit nga roli i ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të shtetit.
Kelmendi u shkarkua të enjten, nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, një ditë pas intervistimit nga Prokuroria Speciale si dëshmitar për masakrën e Reçakut.
“Fillimisht vendimi i KPK-së për shkarkimin e u.d. të kryeprokurorit është haptazi i paligjshëm sepse KPK-ja në rastin konkret mori vendim në një takim që nuk mund ta mbante sepse nuk ishte kuorumi i nevojshëm i anëtarëve për të mbajtur mbledhje dhe për të nxjerrë vendime. Në rastin konkret kuorumi është 6 anëtarë për të filluar mbledhja. Dhe në takimin përkatës ishin vetëm pesë e u mor vendimi për shkarkimin. Është abuziv, arbitrar dhe haptazi i kundërligjshëm”, ka thënë ai fillimisht në “Interaktiv” të KTV-së të premten.
Shala ka thënë se pos që është shkelje ligjore, shkarkimi i Kelmendit shpërfaq edhe efektet e reformës në Këshillin Prokurorial të Kosovës që do të nisin nga janari 2026.
“KPK-ja edhe aktualisht do të thotë e ka një përbërje korporatiste që është mirëmbajtur me vite. Ka mbi një dekadë që përmes një përbërje të tillë kryen shkelje të vazhdueshme dhe ka ndërtuar kulturën e pandëshkueshmërisë brenda sistemit prokurorial. Reforma në KPK që pritet t’i japë efektet e saj, që pritet të jetësohet në janar 2026, ka cenuar mirëmbajtjen e korporatizmit nga grupe të caktuara të interesit brenda sistemit prokurorial të Kosovës dhe kjo është arsyeja pse po tentohet të shkohet në këtë mënyrë”, ka thënë ai.
Kjo reformë parasheh që nga përbërja e deritashme prej 13 anëtarësh (tre të zgjedhur nga Kuvendi), KPK-ja do t’i ketë shtatë prej të cilëve tre të zgjedhur nga Kuvendi. E shkarkimi i Kelmendit, sipas Shalës, ka të bëjë me rrezikun e “rrëshqitjes së korporatizmit nga grupe të interesit”.
“Këtë e kemi parë edhe nga diskutimet që janë zhvilluar përkitazi me zgjedhjen e një anëtari të ri nga sistemi prokurorial në KPK. Diskutimet që kanë qenë në atë takim dhe tentativa për ta anuluar një proces të përzgjedhjes së një anëtari të KPK-së dhe një vendim i papritur për shkarkimin e ud. kryeprokurorit tregon që grupe të caktuara brenda sistemit prokurorial s’po mund ta mirëmbajnë në përbërjen e re korporatizmin, pasi nga janari 2026 do t’i ketë vetëm shtatë anëtarë. Të gjitha këto tentativa janë për ta mbajtur shumicën e nevojshme në KPK për të vazhduar kulturën e pandëshkueshmërisë dhe qasjen korporatiste që KPK-ja e ka tash e mbi një dekadë”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se e dyshimtë është edhe koha kur Kelmendi është intervistuar si dëshmitar për masakrën e Reçakut. Sipas Shalës, pretendimet nuk kanë qenë të reja.
Shala ka thënë se vendimi i KPK-së për Kelmendin dëmton imazhin e sistemit prokurorial.
“Është mesazh negativ që u dërgohet qytetarëve nga një prej institucioneve kryesore të sistemit të drejtësisë. Definitivisht se duhet vullnet i mirë për jetësimin e reformës që të përfundojë kultura e pandëshkueshmërisë dhe të kthehet në sistem të mirëqeverisur që u shërben qytetarëve”, ka përfunduar ai.
Sipas Shalës, as politika ndër vite nuk ka pasur interes që ta përmirësojë gjendjen në KPK dhe e ka vonuar reformën.
IKD-ja ka sqaruar një ditë më parë se sipas plotësim-ndryshimit të Ligjit për KPK, përbërja e KPK do të reduktohet nga 13 në shtatë anëtarë, dhe ky reduktim është menduar që të ndodhë gradualisht, duke ruajtur mandatin e fituar të të gjithë anëtarëve të KPK.
“Në janar të vitit 2026, pesë (5) prej anëtarëve të KPK përfundojnë mandatin. Nisur nga fakti se sistemi prokurorial me 01 nëntor 2025 ka zgjedhur një anëtar të ri, i bie se përbërja e KPK do të reduktohet në gjashtë (6) anëtarë, ku edhe një (1) anëtar tjetër mbetet të zgjedhet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Katër nga pesë anëtarët që sot në mënyrë të kundërligjshme dhe abuzive shkarkuan U.D. Kryeprokurorin, e përfundojnë mandatin e tyre në janar të vitit 2026”, ka thënë Instituti.